Advertisement

Responsive Advertisement

SHITJA E NAFTËS TE PABESIMTARËT NË GJENDJE LUFTE

 

SHITJA E NAFTËS TE PABESIMTARËT NË GJENDJE LUFTE

SHITJA E NAFTËS TE PABESIMTARËT NË GJENDJE LUFTE

Dijetari i njohur andaluzian Ibn Abdulberri, në librin me titull “El Kafi” gjatë sqarimit të marrëdhënieve tregtare me pabesimtarët të cilët janë në gjendje lufte me muslimanët thotë: “U pamundësohet blerja e gjithçkaje që u jep forcë atyre kundër myslimanëve, qofshin ato armë, kuaj, shalë, naftë ose hekur prej të cilit prodhohen armë dhe çdo gjë që konsiderohet pajisje prej pajisjeve të luftës”.
El Kafi është një nga librat më të njohur në fikhun maliki. Ibn Abdulberri e ka hartuar këtë libër për shpjegimin dhe shtjellimin e mendimeve të imam Malikut duke u fokusuar në përzgjedhjet kryesore të tij.

Pabesimtarët në fikhun islam klasifikohen me klasifikime të ndryshme, në varësi të marrëdhënieve që kanë me myslimanët. Harbitë quhen ata pabesimtarë që në lidhje me myslimanët janë në gjendje lufte dhe armiqësimi të hapur.
Në lidhje me harbiun, dijetarët e fikhut kanë sqaruar shumë dispozita që lidhen me shitblerjen. Një prej këtyre dispozitave është edhe ndalimi i shitjes së armëve dhe e çdo gjëje që lidhet me armët dhe konfliktin ushtarak, i cili mund të forcojë pabesimtarët në luftën kundër myslimanëve dhe mund të jetë shkak për vrasjen dhe mposhtjen e tyre.

Ibn Haxher Hejthemiu i shafiive, në komentimin e fjalëve të Neveviut: “dhe as (shitja) e armëve ndaj harbiut” thotë:
“Fjala armë këtu ka një kuptim më të përgjithshëm dhe përfshin çdo gjë të shfrytëzueshme gjatë luftës, qoftë ajo edhe një armor ose një kal. Kuptimi i fjalës armë këtu është i ndryshëm nga përdorimi i fjalës armë në kapitullin e namazit të frikës sepse këndvështrimet janë të ndryshme. (Ndalohet shitja e tyre) sepse ai mund t’i përdorë ato kundër nesh gjatë luftës dhe ndalesa në këtë rast ndodh për shkak të pasojave që rrjedhin, prandaj merr gjykimin e asaj që është e ndalur në vetvete (sepse në origjinë marrëdhëniet shitblerëse me pabesimtarët janë të lejuara shën. i përkthyesit) dhe gjykimin e kontratës së pavlefshme ...”.

Më tej thotë: “Gjithashtu (lejohet shitja) edhe e asaj që konsiderohet si material bazë për armatimet, si puna e hekurit, sepse është e mundur që ai (harbiu) ta përdorë për gjëra të tjera; por nëse krijohet bindja se ai ka për ta përdorur atë për armë atëherë (shitja) konsiderohet haram edhe pse kontrata mund të jetë e vlefshme, njësoj si në rastin e shitjes së tyre ndaj rebelëve ose kaçakëve dhe Allahu është më i ditur”. Shkëputur nga libri “Tuhfetul Muhtaxh” që është komentimi i librit “El Minhaxh” të imam Neveviut, vëll. 2, f. 105-106.

Pra është e ndaluar t’u shitet pabesimtarëve harbitë që janë në gjendje lufte me myslimanët dhe është e ndaluar të furnizohen me lëndë të parë dhe me produkte të cilat shfrytëzohen për prodhimin e armëve në konflikt, si hekuri psh, që përdorej për prodhimin e armëve. Një nga këto produkte, në kohën e tyre ka qenë edhe nafta. Nafta, që dikur ngjante më shumë me atë që ne sot e quajmë katran (ar. el karu – القار), përdorej për lyerjen e anijeve, për pishtarë, për izolime dhe gjithashtu përdorej edhe për katapulta dhe sidomos për zjarrin grek. Sigurisht, përdorimi i naftës ose i katranit në kohën e tyre në konfliktet ushtarake ka qenë shumë herë më i kufizuar sesa përdorimi i naftës në kohën tonë. E megjithatë fukahatë e kanë ndaluar shitjen e saj ndaj atyre që luftojnë myslimanët, sidomos në kohën e një konflikti të ndezur për shkak të pasojave që mund të rrjedhin nga kjo shitje.
Nafta në kohën tonë është padyshim një produkt bazë dhe jetik për shumë vende. Pa këtë produkt as ekonomia e këtyre vendeve nuk mund të funksionojë si duhet në kohë lufte dhe as pajisjet e sofistikuara ushtarake nuk mund të punojnë.

Botës arabe i mjaftonte si një mjet presioni ekonomik në konfliktin e sotëm në Palestinë që të vendoste një embargo nafte fillimisht të pjesshme dhe më pas edhe një embargo totale ndaj atyre vendeve që luftojnë dhe punojnë kundër interesave të myslimanëve dhe që mbajnë të pushtuara tokat e tyre, madje që kanë plane në të ardhmen për të pushtuar edhe toka të tjera. Embargoja e naftës ka qenë edhe më parë një armë shumë efikase në zgjidhjen dhe pushimin e konflikteve të armatosura. Është për të ardhur keq pandjeshmëria e sheikëve arab në konfliktin palestinez që zhvillohet në kufijtë e vendeve të tyre. Është për të ardhur keq pandjeshmëria e tyre pas gjithë këtyre mizorive ndaj foshnjeve dhe fëmijëve palestinezë. Nesër, dhe e nesërmja nuk është shumë larg, klithmat e fëmijëve të masakruar do t’i dëgjojnë edhe në vendet e tyre. Nëse nuk lëvizin sot nesër do të jetë shumë vonë.

Deri kur do të heshtin qeveritarët e arabëve që ngrohin kolltuqet dhe xhepat e tyre me pasuritë e myslimanëve pa i shpenzuar ato në rrugë të Allahut, ashtu siç i obligon feja ose të paktën ashtu siç i thërret zëri i ndërgjegjes, nëse ata kanë ndërgjegje. Deri kur duhet të presin për t’u zemëruar për hir të Allahut qoftë edhe një herë të vetme?! A deri në këtë masë u janë ngurtësuar dhe verbuar zemrat. A deri në këtë masë u ka hyrë frika e dynjasë në palcë?! Allahu i dhëntë umetit udhëheqës të hajrit dhe i zëvendësoftë këta diktatorë “luanë” ndaj popujve të tyre, struca me kokë nën dhe ndaj agresorëve mizorë! Amin!


Florian Leli

Post a Comment

0 Comments