"O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm." (El-Bekare, 183)
Agjërimi është një nga pesë shtyllat e fesë Islame.
Sikurse dihet, përveç myslimanëve të cilët agjërojnë për të plotësuar një adhurim ndaj Krijuesit Fuqiplotë, këtë e bëjnë edhe jomyslimanët, për arsye të ndryshme. Disa jomyslimanë agjërojnë për të humbur peshë, disa për të qenë më të shëndetshëm, disa e kanë emërtuar agjërimin si “operim pa brisk” dhe agjërojnë për shërim nga sëmundjet, etj..
Diçka të ngjashme ka thënë edhe filozofi Paracelcus: “Ata që agjërojnë, janë në duart e mjekut të brendshëm”. Për shembull, rreth 14% e të rriturve amerikanë raportojnë që kanë agjëruar për të kontrolluar peshën e trupit, dhe kjo qasje ka kohë që mbështetet nga mjekët si një trajtim për mbipeshën. Shumë personalitete të famshme, që mbajnë fjalime të shpeshta në publik, kanë një rregull, e ajo është: “Agjëro përpara një fjalimi të rëndësishëm, dhe ha më vonë”.
“Agjëroni që Të jeni Të shëndetshëm”. (Muhamedi a.s.)
Agjërimi është një adhurim, në të cilin nga shumë gjëra të mira për organizmin, si ushqimi, pijet dhe kontaktet intime, privohet njeriu për një kohë të caktuar. E kjo kohë është prej para se të lindë dielli e derisa të perëndojë, në ditë të caktuara brenda vitit. Këto ditë janë ditë të numëruara ose, thënë ndryshe, i tërë muaji Ramazan.“ (ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit (Ramazanit) në të cilin (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqaruesi i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, të madhëroni Allahun për shkak se ju udhëzoi dhe që ta falënderoni”.(El-bekare, 185)
Duke marrë parasysh që kalendari islam është lunar, i cili ka 11 ditë më pak në vit sesa viti sipas kalendarit georgejan, vijmë në përfundimin që muaji Ramazan, i cili njëherit është muaji i nëntë lunar, çdo vit vjen për 11 ditë më herët, duke e përmbushur një cikël rrotullimi për 33 vjet, në mënyrë që të vijë në të njëjtën kohë (stinë). Kjo bën që brenda një vendi (shteti të madh, shënimi i përkth.), muaji Ramazan të vijë në stina të ndryshme, kur edhe gjatësia e ditës ndryshon. Kështu që mund të presim një ndryshim të gjatësisë së ditës prej 12 orëve, sa është në ekuator, e deri në 22 orë në vendet afër poleve të Tokës.
Sa herë që afrohet muaji i Ramazanit, vijnë dhe u bashkohen debateve e diskutimeve në shoqëri edhe diskutimet e shumta se çfarë të mirash shëndetësore sjell ky adhurim. Duke e ditur se organizmi i njeriut funksionon në bazë të parimit të shfrytëzimit të energjisë së liruar nga metabolizmi i materieve ushqyese (karbohidrate, yndyra, proteina), si është e mundur që Krijuesi i Gjithëdijshëm të obligojë njeriun që të mos konsumojë ushqim për aq kohë? Organizmi i njeriut vërtet që funksionon me energjinë e liruar nga metabolizmi i materieve ushqyese që merr njeriu, por shkencëtarët kanë vërtetuar se po ky organizëm mund të jetojë pa marrë asnjë pikë ujë deri në një javë, kurse po piu ujë një herë në javë, mund të jetojë 70-75 ditë pa ushqim. Kjo nga rezervat yndyrore që siguron organizmi nga ushqimi “i tepërt” që konsumohet dhe i cili në organizëm shndërrohet në yndyra. Pra, agjërimi për një kohë prej para lindjes së diellit e deri në perëndim të tij, nuk është ndonjë pengesë e papërballueshme për organizmin e njeriut. Sepse edhe Vetë Zoti Fuqiplotë na ka njoftuar: “Ne nuk ngarkojmë asnjë njeri përtej mundësive të tij”. (El-En’am, 152).
Në anën tjetër, ndryshimi në mes të agjërimit dhe ushqimit të rregullt qëndron aty se gjatë agjërimit sipas traditës profetike, ushqimi konsumohet para lindjes së diellit dhe pas perëndimit të tij. Pra, shujtat e rregullta të mëngjesit dhe darkës lëvizin pak dhe shujta e drekës nuk merret fare gjatë agjërimit. Pra, kemi të bëjmë me një mëngjes shumë të hershëm-syfyrin, dhe me një darkë-iftarin në një distancë pak më të gjatë nga njëra-tjetra.
Kjo për disa njerëz bëhet relativisht e papërballueshme për arsye të “varshmërisë” që kanë ndaj ushqimit, varshmëri kjo që ndikon edhe në përballimin e urisë. Këta njerëz, që kanë “varshmëri” ndaj ushqimit, në hulumtime mjekësore kanë treguar se nuk mund të përrballojnë njësoj sfidën e urisë me vetëm pak ujë as deri në 40 ditë. Njerëzit thjesht nuk e kuptojnë që ata e “ndotin” trupin me shumë ushqime jonatyrale dhe
të parregullta, duke ndihmuar kështu që organizmi të fillojë ta humb adaptueshmërinë e tij. Personave të tillë, të cilët nuk mund të agjërojnë plotësisht tërë ditën, u rekomandohet që të bëjnë një “gjysmë agjërimi”
parapërgatitor para Ramazanit, duke e privuar veten nga ushqimi gradualisht, derisa të arrijnë agjërimin e plotë. Ndërsa personave të shëndoshë, që nuk vuajnë nga “varshmëria” e ushqimit, ashtu si grupi që cekëm më lart, u rekomandohet parapërgatitja për agjërimin e Ramazanit duke bërë agjërim synet dhe nafile në ditët e caktuara para ramazanit.
Derisa në vendin tonë mbizotëron tradita e ngrënies së vetëm këtyre dy shujtave gjatë Ramazanit, në vende të tjera, si Maroku, popullata atje edhe gjatë Ramazanit konsumon të tri shujtat, veçse iftarin e konsumojnë si një shujtë të lehtë “hapëse” të agjërimit, kurse pas tij dhe para syfyrit kanë edhe një darkë “të rregullt”. Ndërrimi i orarit të shujtave, d.m.th.ngrënia e ushqimit në syfyr dhe falja e namazit të sabahut bëjnë që organizmi të fillojë funksionimin në bazë të orës biologjike, orë kjo që është në raport të drejtë me lindjen dhe perëndimin e diellit dhe me prodhimin e hormoneve në organizëm. Thënë ndryshe, me zgjimin e hershëm, me ngrënien e ushqimit dhe faljen e namazit të sabahut, duke u përgatitur kështu për një ditë me plot aktivitete, organizmi funksionon ashtu sikurse e ka të programuar orën biologjike.
Sipas
hulumtimeve që janë bërë, nuk është gjetur ndonjë ndryshim në sasinë e kalorive të marra në ramazan dhe jashtë tij, kjo për arsye se nga tërë ushqimi që konsumojmë, ne shpenzojmë vetëm 35% të kalorive që marrim dhe një ndërrim në orarin e shujtave nuk ndikon në mënyrë të konsiderueshme në sasinë e kalorive, ky ndërrim ka treguar që kaloritë e shfrytëzuara nga ushqimi që konsumojmë, të arrij deri në 85%.
Nëse i referohemi kulturës së popullit tonë që për Ramazan përgatisin ushqime “më të mira” për iftar dhe syfyr, atëherë themi se në këtë “festival ushqimesh” nuk mbetet organizmi keq për substancat e nevojshme ushqyese.
Sido që të jetë, agjërimi është një mundësi e mirë që të hiqen kilogramët e tepërt nga trupi duke konsumuar ushqim të mjaftueshëm dhe jo duke ngrënë ushqim “sa për dy ditë”, ngase kjo vetëm do të ndikojë në shtimin e ndonjë kilogrami edhe gjatë “dietës” së agjërimit.
Agjërimi rregullon të rrahurat e zemrës
Hulumtimet e shumta rreth agjërimit dhe shëndetit, dita-ditës po nxjerrin në pah dobitë shëndetësore të tij. Do të përmendim shkurtimisht disa nga dobitë shëndetësore të agjërimit, duke lënë pa përmendur shumë të tjera në këtë artikull të shkurtër. Ajo që duhet theksuar këtu, është që agjërimi ndikon edhe në shëndetin mendor edhe në atë fizik të agjëruesit.
Qendra Emergjente e Spitalit Numune në Ankara, ka bërë evoluimin e pacientëve me sëmundje akute koronare gjatë viteve 1991-1997 dhe ka ardhur në përfundimin se këto sëmundje janë shumë më të rralla në Ramazan sesa jashtë tij. Kjo ndoshta për arsye se zemra e agjëruesit pas drekës punon më ngadalë, dhe llogaritet që brenda një dite zemra e një agjëruesi të rrahë 15 000 herë më pak se zemra e një joagjëruesi. Për arsye se në traktin digjestiv nuk ka ushqim për t’u tretur dhe i gjithë trakti ndodhet në një çlodhje të lehtë pasdite, bashkë me të as zemra nuk ka nevojë të pompojë shumë gjak drejt këtij trakti. Po ashtu, një dietë pa ujë bën që organizmi ta kondensojë ujin që ka, dhe po ashtu ta zvogëlojë edhe sasinë e gjakut që dërgon në veshka. Krahas mungesës së ushqimit në traktin digjestiv, këtij trakti i mundësohet një ripërtëritje e qelizave të epitelit, të cilat kanë një jetë mesatare prej 30 ditësh. Ndërkohë që edhe mëlçia kalon në një gjendje të relaksuar për arsye të mungesës së ushqimit të vazhdueshëm në traktin digjestiv. Fatmirësisht, mëlçia nuk pushon së punuari dhe së detoksifikuari organizmin nga substancat toksike, ngase, po të pushonte 24 orë, atëherë organizmi do të shkatërrohej nga substancat toksike që qarkullojnë në të.
Organizmi gjatë agjërimit mobilizohet
Dr. Joel Fuhrman në librin e tij “Fasting and eating for health”, thotë: “Agjërimi nuk bën vetëm detoksifikimin, ai po ashtu largon dhjamin e tepërt, qelizat anormale, pllakat ateromatoze, tumoret, si dhe liron qelizat e sëmura dhe produktet e tyre në qarkullim, për t’i eliminuar. Materiet toksike qarkullojnë në gjak e limfë dhe depozitohen në indin dhjamor. Një element shumë i rëndësishëm i agjërimit është se i mobilizon këto substanca prej vendeve ku janë ruajtur dhe i detoksifikon”.
Është mahnitës mobilizimi i organizmit gjatë urisë së agjërimit. Ai, gjatë urisë dhe mungesës së glukozës në gjak, fillon dhe përmes një procesi metabolik mobilizon rezervat e glikogjenit në organizëm, po ashtu edhe yndyrnat e depozituara i shndërron në glukozë. Ndërsa në krejt këtë proces qelizat “e dobëta” sakrifikohen dhe eliminohen për t’u lënë vend qelizave të reja dhe “të forta”.
Në një hulumtim me studentë të universitetit të shkencave Mjekësore Rafsanjan, Departamenti i Infermierisë, kanë gjetur se agjërimi i Ramazanit mund të jetë një faktor i rëndësishëm për përmirësimin e shëndetit mendor dhe për eliminimin e depresionit tek studentët. Agjëruesit nganjëherë ankohen për kokëdhembje, plogështi, mundim, vjellje, takikardi, etj., shenja këto që janë shpesh pasojë e stresit të tepërt, për shkak të pagjumësisë, hipoglikemisë dhe dehidrimit, mungesës së kafeinës. Pra, një kujdes optimal që gjatë Ramazanit agjëruesit duhet të kenë për konsumimin e shujtave të mjaftueshme me ushqim dhe për të mos e tepruar të ngrënët në iftar për shkak të urisë së tepërt. Pastaj pirja e sasive të konsiderueshme të ujit prej iftarit deri në syfyr, të rekomandueshme janë 10 gota ujë, si dhe konsumimi i sasive të kufizuara të karbohidrateve, - ndikojnë që të parandalohen çrregullimet e lartcekura.
Duke e ditur se organizmi i njeriut ka aftësi të mëdha adaptueshmërie për situata të ndryshme, prej tyre edhe për uri dhe etje, edhe vetë agjëruesit shprehen se, pas ditës së tretë të agjërimit, nuk ndiejnë kokëdhembje dhe toleranca ndaj urisë dhe etjes rritet gradualisht, saqë, kushtimisht, mund të themi që agjëruesit nga fundi i Ramazanit nuk i merr uria dhe as etja gjatë agjërimit.
Nëse nga praktikumi i agjërimit gjatë tërë muajit të Ramazanit arrijmë që ushqimin tonë ta rregullojmë dhe ta vendosim në shujta të rregullta ditore, kjo për ne do të jetë një fitore e madhe në ruajtjen e shëndetit. Kjo sepse një pjesë e madhe e sëmundjeve vijnë si pasojë e ushqimeve jo të rregullta.
Në një mbishkrim në piramida të Egjiptit shkruan: “Njerëzit jetojnë në një të katërtën e asaj që hanë, në tri të katërtat e tjera jeton doktori i tyre”. Ndërsa Allahu në Kur’anin famëlartë thotë: “Hani dhe pini e mos e teproni, sepse Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë”.( El A’raf, 31).
Kur’an-i Përkthim me komentim në gjuhën shqipe, Sherif Ahmeti; Mjekësia e të dërguarit Muhammed, Ibn-Kajjim el-Xhevzi, Gjakovë 2003; Din ve Bilimin Işığında ORUÇ VE SAĞLIK , Prof.Dr. Alparslan Özyazıcı; Fasting and eating for health, Joel Fuhrman, M.D; Beneficial effects of intermittent fasting and caloric restriction on the cardiovascular and cerebrovascular systems, Mattson MP, Wan R. 2005.
Bernard Tahirbegolli
0 Comments