SI TA JAP ZEKATIN?
HUTBE E SHKURTËR E XHUMASË
Zekati është shtyllë e islamit dhe ka vlerë dhe rëndësi të posaçme në Islam. Pyetja më e shpeshtë e cila parashtrohet:
Si ta jap zekatin?
Kujt i takon zekati?
Kujt nuk i takon zekati?
Në çka jepet zekati?
Në rend të parë duhet të dimë se:
Nuk jepet zekati pa e arrit limitin (Nisabin) dhe pa kaluar një vit. Këto dy kushte janë kushtet themelore të zekatit.
Vëllezër të nderuar!
Sa i përket se kujt i jepet zekati: Nuk i jepet lozës së poshtme e as të epërme.
Loza e poshtme janë:
– Fëmijët (djem dhe vajza), fëmijët e fëmijëve (fëmijët e djemve dhe fëmijët e vajzave), e kështu me radhë
– Loza e epërme janë: Prindërit (baba,nëna), gjyshërit dhe gjyshet nga ana e babës, gjyshërit dhe gjyshet nga ana e nënës, e kështu me radhë.
Kjo sepse zekatdhënësi e ka për obligim për përkujdesje dhe për t’i ushqyer këto kategori dhe nëse ua jep zekatin këtyre kategorive atëherë ai ka realizuar përfitim personal sepse shpenzimi për këto kategori duhet të jetë nga pasuria e tij personale përpos zekatit, ndërsa zekati dhe përkujdesja nuk mund të jenë në të njëjtën kohë për një person.
Vëllezër të nderuar!
Sa i përket lidhjes anësore apo horizontale: I jepet zekati motrave; vëllezërve, tezeve, dajallarëve, hallave, e kështu me radhë.
Pra, familjarëve si f.v.: vëllezërve, motrave, axhallarëve, tezeve, dajallarëve, hallave (dhe fëmijëve te tyre) u takon Zekati. Muhamedi a.s. ka thënë: “Sadakaja (Zekati) për të varfrin është sadaka, por për farefisin ka rëndësi të dyfishtë: sadaka dhe lidhje farefisnore”.
Nga hadithi kuptojmë se zekati (sadakaja) për farefisin ka vlerë të dyfishtë:
– Vlerë të sadakasë dhe
– Vlerë të lidhjes farefisnore.
Lidhja farefisnore ndërlidh dhe forcon lidhjen me Allahun, ndërsa ndërprerja e lidhjes farefisnore ndërprenë dhe dobëson lidhjen me Allahun.
Vëllezër të nderuar!
Sa i përket asaj se në çka jepet zekati themi si në vijim:
Zekati jepet : Për ari, për argjend, (për kundërvlerën e tyre) për bagëti, për të korrura dhe për thesar.
Sa i përket bagëtive:
Nëse më pak se 6 muaj kulloten delet (bagëtia) në bjeshkë nuk jepet zekat.
Nëse 6 muaj e më shumë i kullotë delet (bagëtia) në bjeshkë, e jep një dele zekat. Pra, zekati jepet për delet (bagëtinë) të cilat kullosin më shumë se 6 muaj në fushë (bjeshkë) dhe nuk jepet për delet të cilat kullosin në fushë (bjeshkë) më pak se 6 muaj.
Duhet ta dimë se: Nuk jepet zekati për lopët në stallë apo në ahur, zekati jepet vetëm për bagëtinë (devetë, buallicat, lopët, delet, dhitë) të cilat ushqehen me kullosa në fushë.
Vëllezër të nderuar!
Sa i përket Zekatit në borxh: Borxhlinjtë janë dy llojesh:
Borxhli i mirë dhe borxhli i vështirë.
Nëse borxhliu është i pasur, i mirë dhe e di se mund të ta kthen borxhin në çdo kohë, e jep zekatin pa e kthyer borxhin.
Nëse borxhliu është i vështirë dhe e di se nuk mund të ta kthen borxhin ose është person i cili ka falimentuar, nuk jepet zekati, vetëm se nëse e kthen borxhin brenda vitit, atëherë e jep zekatin kur ta pranosh borxhin prej borxhmarrësit.
Vëllezër të nderuar!
Për të korrurat, për pemët dhe perimet, zekati jepet kur të korren të korrurat ose kur të mblidhen pemët dhe perimet. Në këto produkte nuk ka nevojë që të kalon një vit i plotë sikurse te produktet tjera, siç thotë Zoti i Madhërishëm: “Dhe jepeni të drejtën në ditën e të korrurave (ose të mbledhurave)”.
Sikurse në çdo ibadet tjetër edhe në të korrura edhe në pemë edhe në perime, në rend të parë duhet ta kryejmë farzin, e pastaj duhet të kryejmë çka është sadaka dhe jo siç është në traditën tonë: Japim sadaka dhe nuk japim zekat.
Vëllezër të nderuar!
Nuk jepet zekati për paga mujore. Por nëse në konto (ose në arkë ose në shtëpi) e ke shumën prej 6000 eurove për shumën e mbetur në konto prej pagave e cila shumë ka mbet në konto për gjatë vitit e jep zekatin edhe pse është akumuluar prej rrogave. Ndërsa nuk e jep zekatin nëse i ke pas në konto më pak se 6000 euro.
Vëllezër të nderuar!
Sa i përket arit dhe argjendit.
Në rend të parë duhet të jepet zekati nga ari (ose nga argjendi) që do të thotë se:
Nëse i ke 1000 gr. ari, ti duhesh të ndash 25 gr. nga 1000 gr. të arit dhe të japësh 25 gr. ari. Mirëpo është bë lehtësim ashtu që të lejohet të japësh kundërvlerën e 25 gr. të arit. E jo siç mendojnë shumica se a duhet të jap zekatin e arit të bashkëshortes për çdo vit!?. E vërteta është se, ti nuk e ke për obligim ta japësh zekatin e arit të bashkëshortes, por bashkëshortja e ka për obligim ta jep zekatin e arit për çdo vit, qoftë në dhënien e gramëve të arit, qoftë në kundërvlerën e gramëve të arit.
Përfundim:
Prej begative të zekatit është se:
– E shton pasurinë.
– E zbaton një urdhër të Allahut dhe
– E çiltëron njeriun nga koprracia.
Aq sa je i sinqertë aq të shtohet pasuria. Zoti i Madhërishëm thotë: “Atyre do t’u shumëfishohen (të mirat dhe pasuria).” “Fe ulaike humul mudifune”.
Muhamedi a.s. na ka treguar:
“Çdo mëngjes kur robërit e Zotit zgjohen, zbresin dy melaqe në tokë dhe
– Njëra thotë: O Zot shtoja pasurin atij i cili jep dhe shpenzon për të tjerët.
– Tjetra thotë: O Zot mos i jep pasuri atij i cili nuk jep dhe nuk shpenzon për të tjerët”. (Mutefikun alejhi)
Zoti i Lartmadhëruar e do dhënësin e zekatit dhe e shpërblen në këtë botë dhe në botën tjetër.
Zoti i Lartmadhëruar e bekon dhe e shton pasurinë e atij i cili e jep zekatin, sa që për shkak të dhënies së një sasie të vogël e bën shumë të madhe, siç thotë Zoti i Lartmadhëruar: “Ata që shpërndajnë pasurinë e vet, edhe natën por edhe ditën, fshehurazi por edhe haptazi, ata kanë shpërblimin e vet te Zoti i tyre dhe për ta nuk ka as frikë as pikëllim”. (El Bekare, 274)
Muhamedi a.s. në hadithë ka thënë:
“Sigurojeni pasurinë tuaj duke dhënë zekatin dhe shëroni sëmundjet tuaja duke dhënë sadakanë”.
Përgatiti: Dr. Musli Vërbani
0 Comments