Advertisement

Responsive Advertisement

Israja dhe Mi'raxhi në fokusin akaidor

 

Israja dhe Mi'raxhi në fokusin akaidor

Shkruan: Nexhat Ibrahimi

Hyrje

Në shekullin e XXI jemi dëshmitarë të sukseseve të jashtëzakonshme në teknologji dhe në të arriturat dhe zbulimet kozmike. Përpjekjet për hulumtime të thella po bëhen në çdo vend, kurse eksperimentet e këtij lloji në Zvicër rreth gjetjes së zanafillës së universit, që kulmuan në shtator e pas të vitit 2008, janë tregues të mirëfilltë se bota është e interesuar të shkojë një hap më tutje. Këto zbulime dhe ecje nëpër kozmos e tokë janë kërkim për të reja, për jetë alternative, nëse një ditë jeta në Tokë bëhet e ngushtë për të gjithë ne. Për besimtarët muslimanë, por edhe për lexuesit e interesuar nuk është e panjohur se Krijuesi i madhërishëm, i bëri mundësitë që Muhammedi a.s. qysh para 14 shekujsh të “ecë, udhëtojë” nëpër kozmos, të “ngjitet lartë” dhe të “vizitojë” shtresat e kozmosit brenda një nate, duke treguar se fuqia e Tij është e pakufizuar dhe e përkryer. Kjo ecje, kjo ngjitje në gjuhën fetare quhet isra’ dhe Mi’raxh.

israja dhe Mi’raxhi, si të kuptohet dhe përse ndodhi?

israja dhe Mi’raxhi është ndër mu’xhizet / mrekullitë më të mëdha të Muhammedit a.s. dhe si temë bën pjesë në fushën e akaidit – besimit dhe si e tillë vetëm pjesërisht i nënshtrohet gjykimit racionalist. Prandaj, në trajtimin tonë më tepër do të thirremi në burimet islame dhe në dijetarët më kompetentë muslimanë.
Si ndodhi e jashtëzakonshme çështja e israsë dhe Mi’raxhit ka nxitur dhe ende nxitë perceptime të ndryshme dhe polemika të shumta si ndër dijetarët ashtu edhe ndër besimtarët e zakonshëm. Madje, ndikimi i këtij udhëtimi është i theksueshëm edhe te të huajt, sikur te Dante Aligieri dhe Komedia Hyjnore e tij. Është vështirë të dallohet çka është origjinale dhe çka është pjellë e imagjinatës së historianëve, poetëve apo të sufinjve. Po ashtu, duhet pasur parasysh se të gjitha interpretimet joortodokse të israsë dhe të Mi’raxhit nuk janë qëllimkëqija. Ato janë herë-herë më tepër prodhim i aftësisë dhe fuqisë së perceptimit të njerëzve të këtyre dy ngjarjeve jo të zakonshme se sa prodhim i trendeve tendencioze.
israja dhe Mi’raxhi ndodhi në periudhën kur Muhammedi a.s. mbeti pa mbështetje fizike botërore me vdekjen e axhës së tij Ebu Talibit dhe pa mbështetjen emocionale të Hatixhes r.anha me vdekjen e saj por dhe pas mossuksesit të tij në misionin pejgamberik në qytetin e Taifit, kurse ndodhi si konfirmim për Muhammedin a.s. se Allahu xh. sh. do t’ia vë në shërbim edhe ushtrinë qiellore nëse Muhamedit do t’i mungojë ushtria botërore dhe si rikonfirmim se Muhammedi ishte i dërguar i Allahut me mesazh të sigurt.


Ç’është israja dhe Mi’raxhi?

Shprehja El-isra’ në pikëpamje etimologjike do të thotë udhëtim horizontal (ose udhëtim nëpër sipërfaqe të tokës), i cili doemos kryhet natën. Në pikëpamje terminologjike, isra' quajmë udhëtimin e Muhammedit a.s. prej Mesxhid’ul-haramit në Mekë deri në Mesxhid’ul-aksa në Jerusalem dhe kthimin e tij në Mekë po atë natë.
Mi’raxh quajmë ngritjen (ngjitjen) vertikale të Muhammedit a.s. nga Mesxhid’ul-Aksa’ në Jerusalem deri në sferat më të larta qiellore dhe në Sidret’ul-munteha, deri atje ku as meleku më i lartë as robi më i respektuar i Zotit nuk mundi të ngjitet, e cila ngjarje konsiderohet se ndodhi në vitin 621 të muajit Rexheb , ndonëse dijetarët nuk janë të sigurt për datën e saktë.
Në aspektin akaidor, israja dhe Mi’raxhi janë shfaqje të jashtëzakonshme, të mbinatyrshme, mbinjerëzore, të cilat, sikur edhe mu’xhizet e tjera të dhëna Muhammedit a.s., nuk mund të maten apo të krahasohen me parametra dhe kritere të zakonshme njerëzore. Besimtari duhet të besojë se israja dhe Mi’raxhi vetvetiu janë të mundshme dhe se Krijuesi, me vullnetin dhe fuqinë e Tij të pakufizueshme bën çka dëshiron. Për ne është detyrim që këto ndodhi t’i pranojmë dhe besojmë , ashtu siç bëri Ebu Bekri r.a..


israja dhe Mi’raxhi në Kur’an

Për isra-në argumenton Kur’ani dhe madje kësaj ndodhie i kushtoi rëndësi të madhe, duke e emëruar një nga 114 suret e Kur’anit me emrin El-isra’:

سُبْحَانَ الَّذِي أَسْرَى بِعَبْدِهِ لَيْلاً مِّنَ الْمَسْجِدِ الْحَرَامِ إِلَى الْمَسْجِدِ الأَقْصَى الَّذِي بَارَآْنَا حَوْلَهُ لِنُرِيَهُ مِنْ آيَاتِنَا إِنَّهُ هُوَ السَّمِيعُ البَصِيرُ .

“I lëvduar qoftë Ai që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (Qabesë) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e së cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëvëzhguesi”. (El-isra (17), 1).
Ibn Abbasi e pranon ndodhinë e israsë si mu’xhize (mrekulli) por nuk shtron dilemat e pranishme se a ndodhi vetëm me trup, me shpirt e trup apo vetëm me shpirt.

Edhe për Mi’raxhin Kur’ani fletë, por më tepër duke dhënë shenjë:

وَالنَّجْمِ اِذَا هَوَى مَا ضَلَّ صَاحِبُكُمْ وَمَا غَوَى وَمَا يَنْطِقُ عَنِ الْهَوَى اِنْ هُوَ اِلاَّ وَحْىٌ يُوحَى عَلَّمَهُ شَدِيدُ الْقُوَى ذُو مِرَّةٍ فَاسْتَوَى وَهُوَ بِاْلاُفُقِ اْلاَعْلَى ثُمَّ دَنَا فَتَدَلَّى فَكَانَ قَابَ قَوْسَيْنِ اَوْ اَدْنَى فَاَوْحَى اِلَى عَبْدِهِ مَا اَوْحَى مَا كَذَبَ الْفُؤَادُ مَا رَأَى اَفَتُمَارُونَهُ عَلَى مَا يَرَى وَلَقَدْ رَآهُ نَزْلَةً اُخْرَى عِنْدَ سِدْرَةِ الْمُنْتَهَى عِنْدَهَا جَنَّةُ الْمَاْوَى اِذْ يَغْشَى السِّدْرَةَ مَا يَغْشَى مَا زَاغَ الْبَصَرُ وَمَا طَغَى لَقَدْ رَاَى مِنْ آيَاتِ رَبِّهِ الْكُبْرَى .

“Pasha yllin kur bie (prej së larti poshtë)! Shoku juaj (Muhamedi që ju e njihni) nuk ka humbur, e as që ka devijuar (nga e vërteta). Dhe ai nuk flet nga dëshira e tij. Ai (Kur'ani) nuk është tjetër pos shpalljes që i shpallet. Atë ia mësoi, Ai fuqiforti (Xhibrili). Që ka mendje precize dhe që u përqendrua në formën e vet (reale). Dhe ai (Xhibrili) ishte në horizontin e lartë (nga lindja). Pastaj u lëshua dhe iu afrua. E ishte afër sa dy harqe (dy kute) apo edhe më afër. Dhe i shpalli robit të Tij atë që ia shpalli. Zemra nuk mohoi atë që pa (me sy). A po i bëni polemikë atij për atë që ka parë? Atë (Xhibrilin) e ka parë edhe herën tjetër. (E ka parë) israja dhe Miraxhi tek Sidretul Munteha. Që pranë saj është Xhennetul Me'va (kopsht strehimi). Atëherë kur Sidrën e mbuloi çka e mbuloi. Shikimi (i Muhamedit) as nuk lakoi e as nuk tejkaloi. Ai (Muhamedi) vërtet, pa disa nga shenjat më të mëdha të Zotit të vet.” (En-Nexhm (53), 1-18).


israja dhe Mi’raxhi në hadithet e Muhammedit a.s.

Për isranë dhe Mi’raxhin fletë edhe Hadithi i Muhammedit a.s., me transmetim autentik (mutevatir) në të cilin nuk ka dyshim dhe këtë nëpërmjet Umer ibn Hattabit, Alij ibn Ebi Talibit, Ibn Mes’udit, Ebu Dherres, Malik ibn Sa’sait, Ebu Hurejres, Ebu Seidit, Ibn Abbasit, Sheddad ibn Evsit, Ubejj ibn Ka’bit, Abdullah ibn Amrit, Xhabirit, Hudhejfes, Ebu Ejjubit, Ebu Usames, Semureh ibn Xhundubit, Suhejb Er-Rrumit, Ummi Hanes, Aishes dhe Esmasë – Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë këta.
Për arsye se hadithet janë të shumta kurse hapësira e trajtimit të kësaj teme e vogël, nuk do t’i citojmë të gjitha ato, pos që do t’i cekim disa momente kyçe. Lexuesin kureshtar e drejtojmë në përmbledhjet e ndryshme të haditheve.
Për shkak të jashtëzakonshmërisë së ngjarjes, filluan polemikat dhe dilemat e para: a ndodhi, si ndodhi dhe kur ndodhi, ndodhi vetëm me shpirt apo edhe me trup, e ka parë Pejgamberi a.s. Krijuesin gjatë udhëtimit etj.? Dijetarët ofrojnë përgjigje të shumta. Ndër më autentiket është shpjegimi se me shprehjen el-abd në gjuhën arabe kuptohet tërë qenia njeriut e përbërë prej shpirtit dhe trupit, njëjtë siç kuptohet edhe me shprehjen el-insan. Për besimtarin ky perceptim është i mundur dhe krejt i pranueshëm, sepse kjo ndodh me urdhrin e Zotit: “... Bëhu dhe ajo bëhet”. Kjo ndodhi para hixhretit, njëherë, dhe me këtë rast është përcaktuar namazi në formën dhe mënyrën e tanishme.
Në dilemën e parë se a është fare i mundur një udhëtim i tillë, personaliteti i Ebu Bekrit r.a. ndihmon shumë. Ja si u zhvillua një bisedë.
Ibni Shihabi thotë se Ebu Seleme ibn Abdurrahman ka thënë:
”U përgatitën (ose shprehje e ngjashme) kurejshitët, shkuan te Ebu Bekri dhe i thanë: “A mendon ti se shoku yt ka shkuar deri në Bejt’ul-Makdis e pastaj është kthyer deri në Mekë gjatë një nate?” Ebu Bekri r. a. pyeti: “A e ka thënë ai këtë?!” Kurejshitët u përgjigjën: “Po”. Ebu Bekri u përgjigj: “Unë dëshmoj se nëse ai e ka thënë këtë, të vërtetën e ka thënë.” I thanë Ebu Bekrit: “Ti i beson se ka shkuar deri në Sham gjatë një nate e pastaj është kthyer deri në Mekë para se të gdhijë?!” Ebu Bekri u përgjigj: “Po, unë i kam besuar edhe më shumë se kaq. I kam besuar kur ka filluar ta pranojë shpalljen nga qielli.” Ebu Seleme thotë: “Për këtë arsye është quajtur Ebu Bekr Es-Siddik”.
Pyetja vijuese është: A e ka parë Muhammedi s.a.v.s., Allahun xh.sh. gjatë kohës së isra-së apo jo? Kadi Ijadi në veprën e tij “Esh-Shifa” përmend mospajtimin e as’habëve lidhur me këtë çështje. Ai citon fjalët e Aishes r. anha, ku shprehimisht mohon se Muhammedi a.s. me sytë e tij e ka parë Allahun atë natë. Sikurse Aisha r.a. mendon edhe Ibn Mesudi dhe Ebu Hurejreh.
Ai i citon fjalët e Aishes r.anha me të cilat e mohon se Pejgamberi a.s. e ka parë Allahun me sytë e tij atë natë. Ajo thotë ndër të tjera: “Ka gënjyer ai që të ka thënë se Muhammedi e ka parë Krijuesin e tij.”
Ndonëse ka mendime se Pejgamberi a.s. e ka parë Allahun Natën e Mi’raxhit, dhe si provë theksojnë se sikur të ishte e pamundur të shihet Allahu, Musai a.s. nuk do ta kishte pyetur Zotin që t’i lejojë ta shoh. Megjithatë konsiderojmë se kjo nuk ka ndodhur. Të parit e Krijuesit ka qenë nëpërmjet zemrës, përjetimit, e jo nëpërmjet syve, sepse të parit e Allahut në këtë botë është i pamundur. Këtë e argumenton edhe Muslimi në Sahihun e tij kur e transmeton hadithin në të cilin qëndron se Ebu Dherri r.a. e ka pyetur Pejgamberin a.s.:
“A e ke parë Krijuesin tënd”? Pejgamberi a.s. u përgjigj: “Nur (dritë), si ta shoh nurin (dritën)?”
Hadithet e qarta tregojnë që aludimet në suren En-Nexhm se Muhammedi a.s. e ka parë Krijuesin kanë të bëjnë me faktin se Muhammedi a.s. e ka parë Xhibrilin dy herë në formën e tij origjinale dhe jo Krijuesin.
Të dhënat e sipërme janë të natyrës teknike, formale dhe pos njohurive të caktuara nuk luajnë ndonjë rol më të rëndësishëm në fushën e besimit. Ndaj, do të themi se israja dhe Mi’raxhi i Muhammedit a.s. ishte një prishje, një shpërthim i kufizimit të hapësirës dhe kohës, duke e parë kozmosin të “tubuar’ dhe të pranishëm. Gjatë këtij udhëtimi, në të nuk ndikonte trupi, ritmi i zemrës së tij, iluminimi i shpirtit të tij apo i vetëdijes së tij. Po ashtu, israja dhe Mi’raxhi për Muhammedin a.s. në pikëpamje besimore, paraqet apogjenë e Muhammedit a.s.. Këto fenomene, mrekulli, paraqesin edhe rëndësi psikologjike, si përkrahje direkte pas kohës së dhembjeve dhe krizës, por edhe rëndësi epistemologjike, sepse Muhammedi a.s. gjatë këtij udhëtimi mësoi edhe gjerat deri atëherë të paimagjinueshme, të pakushtëzuara nga faktori kohë dhe hapësirë, çështjet transcendentale, por që me ndihmën e Krijuesit, janë bërë të kapshme dhe reale për Muhammedin a.s..


israja dhe Mi’raxhi te disa akaidologë

Problemin e israsë dhe Mi’raxhit e kanë trajtuar shumë dijetarë të hershëm muslimanë, si Imam Ebu Hanifeh, Imam Nesefiu, Imam Tahaviu por edhe dijetarë të shkollave të tjera. Mendimet e tyre shkonin nga jo që israja dhe Mi’raxhi ka ndodhur me trup dhe shpirt, disa pohonin se kjo ndodhi ka ndodhur vetëm me shpirt dhe disa të cilët mendonin se kjo ka ndodhur vetëm në ëndërr, si vizion i saktë. Të gjitha palët ofrojnë argumentet e tyre, por mendojmë se shumica e tyre mendon se kjo ndodhi ka qenë e realizuar me shpirt dhe trup. Do t’i përmendim shkurtimisht dijetarët kryesorë hanefijë-maturidijë.
Imam Ebu Hanifeh thotë:
“Lajmi për Mi’raxhin është i vërtetë. Kush e refuzon këtë, ai është novator (dhe) i lajthitur.”

Imam Nesefiu thotë:
“Gjatë Mi’raxhit Pejgamberi i Zotit s.a.v.s. ka qenë në gjendje të zgjuar dhe ka udhëtuar trupërisht në Qiell dhe prej aty drejt vendit më të lartësuar, atje ku ka dëshiruar Allahu. Kjo është e vërtetë e pakontestueshme.”
Imam Tahaviu, pasues i Ebu Hanifes, thotë:
“Mi’raxhi – ngritja lart, është e vërtetë e saktë. Ky është udhëtim me Pejgamberin, mëshira e Zotit qoftë mbi të. Personaliteti i tij është ngritur në qiell duke qenë zgjuar, është ngritur në lartësinë deri ku deshi Zoti. Allahu e nderoi atë me se deshi. Ai vetë, dhe i frymëzoi me ç’e frymëzoi, - e ai (Pejgamberi) dëgjoi vahjin.”
Edhe komentuesi i Akaidit të Tahaviut, Ibn Ebu El-Izz thotë: “Qëndrimi ynë ndaj Mi’raxhit është i njëjtë sikur edhe ndaj të gjitha temave që bëjnë pjesë në gajb (të padukshmen), në çka besojmë duke mos u përpjekur që ta mësojmë thelbin e tij.” Nga fjalët e Imam Tahaviut qartë shihet se Mi’raxhi është bërë me qenien e tërësishme të Muhammedit a.s. (me trup dhe shpirt) dhe në gjendje të zgjuar.
Shejh Jujo e përcjellë mendimin e Ebu Nuajm El-Hafidhit në të cilin thekson se Muhammedi a.s. ka pasur 34 mi’raxhe, prej të cilëve vetëm një ka qenë trupor, ndërsa të gjithë të tjerët kanë qenë shpirtëror. Shejh Jujo po ashtu huazon qëndrimin e Karabagut në të cilin në mënyrë eksplicite thekson se personi që e mohon Mi’raxhin trupor prej Mekes deri në Mesxhid’ul-Aksa bëhet kafir, për shkak se me tekst të Kur’anit është konfirmuar se ishte kështu. Kurse ai që mohon udhëtimin e Muhammedit a.s. deri në sferat qiellore, ai sajon në fe. Edhe Mul-la El-Ixhsani ndjek shkollën hanefite duke pohuar se Mi’raxhi ndodhi në gjendje të zgjuar me trup... .
Kemi edhe mendimin tjetër, ai që mendon se israja dhe Mi’raxhi kishte ndodhur vetëm shpirtërisht, pa trup. Në këtë pohim të tyre mbështeten në transmetimet e Aishes r. anha dhe disa të tjerëve. Ka shumë dijetarë që e përkrahin këtë mendim. Husein Gjozo, mufesir dhe akaidolog i njohur, mendon se ndonëse për Zotin është e mundur çdo gjë, megjithatë mendon se israja dhe Mi’raxhi trupor është i panevojshëm. Këtë e mbështet në faktin se shpirti (ruhi) ka cilësinë të bëjë udhëtim në horizontet që nuk njohin ligjet fizike. Në kohën e vështirësive fizike, nevojë për përforcim e ngritje kishte shpirti dhe jo fiziku i Muhammedit a.s., i cili edhe pas kthimit nga udhëtimi nuk ishte më i fortë, më ndryshe ngase ishte para udhëtimit. Ky grupim mendon se për Zotin është i mundshëm edhe udhëtimi fizik edhe shpirtëror, por shtrojnë pyetjen: cili është qëllimi i këtij udhëtimi? Nëse qëllimi është udhëtimi në botët e larta, afrimi te Qenia absolute dhe kontakti me Të, atëherë pason pyetja: a ka mundësi që trupi me të gjitha karakteristikat e tij të qëndrojë në botën jomateriale. Meqë edhe trupi edhe shpirti janë të Zotit, përse Zoti duhet t’i thyejë ligjet që i ka krijuar vetë dhe t’i mundësojë njeriut, Muhammedit a.s., udhëtim fizik në botën jofizike. A nuk do të mjaftojë aspekti shpirtëror i njeriut, pikërisht ai element i Pejgamberit të Zotit që e aftësojë Muhammedin a.s. ta pranojë Shpalljen, të ngjitet në lartësitë shpirtërore? Për më tepër që Muhammedi a.s. nuk dallonte nga të tjerët me konstruktin dhe aftësitë fizike, por me fuqinë e shpirtit.
Të gjithë dijetarët temën e israsë dhe Mi’raxhit, qartë, e trajtojnë si temë besimore (i’tikadijjeh), e cila lidhet ngushtë me besimin në Gjithëfuqishmërinë e Allahut, e realizuar nëpërmjet pejgamberit Muhamed a.s., kurse për t’i mposhtur synimet arrogante dhe vullgare të jobesimtarëve apo të hipokritëve.


Përmasat e mirëfillta të israsë dhe të Mi’raxhit

Përmasat e israsë dhe Mi’raxhit janë të shumta, nga ato tradicionaliste, sufiste, por edhe racionaliste. Madje, disa modernistë aktual këtë çështje të rëndë akaidore përpiqem ta shpjegojnë ekskluzivisht në vijën racionaliste. Por, ne do të fokusohemi në disa sosh:

Përmasa Politike:
Gjinia njerëzore për një kohë të gjatë, sidomos deri në isra dhe Mi’raxh, udhëhiqej nga izraelitët meqenëse fetë qiellore të deriatëhershme, judaizmi dhe kristianizmi, ishin në duart e izraelitëve. Por, njerëzit e ngarkuar me këtë nder nuk e plotësuan këtë amanet hyjnor, duke bërë ndryshime, shtrembërime dhe bastardime të mesazhit hyjnor. Kjo bëri që Allahu shkopin dirigjues të udhëheqjes së njerëzisë t’ia marr këtij populli dhe këtë t’ia dorëzojë tjetërkujt, që do të jetë më i përgjegjshëm dhe më këmbëngulës në realizimin e udhëzimit hyjnor ndër njerëzit.
Ndaj, themelimi i shtetit islam në Medinë duhet t’i kishte parasysh dy parime themelore:
1) Parimi qeverisës duhet të jetë në pajtim me natyrën e njeriut;
2) Duart që udhëheqin duhet të jenë të pastra, të drejta dhe të sigurta në aplikimin e parimeve qeverisëse.
Përcaktimi i Muhammedit a.s. për qumështin në vend të verës, në ofertën e melekut Xhibril, është simbolika se Muhammedi a.s. zgjodhi natyrën e pastër, të pandikuar që do të shërbejë si shembull udhëheqjeje deri në Ditën e shkatërrimit. Prandaj, edhe udhëheqja simbolike e Muhammedit a.s. në namaz gjatë Mi’raxhit paraqet kthesë radikale politike, sepse përfundimisht u mor shkopi i dirigjimit që për një kohë të gjatë ishte në duart të izraelitëve. Bindja e pejgambereve pararendës që ta pranojnë Muhammedin a.s. për imamë të tyre është edhe një përkrahje teologjike në thyerjen e të gjitha barrierave politike e shoqërore të rezistencës në Medinë e vendet e tjera në periudhën e parë.
Po ashtu, israja dhe Mi’raxhi e vendosi Mesxhid’ul-aksanë (Palestinën) në kontekstin të interesimit global islam krahas Mekës dhe Medinës. Mbrojtja e Mesxhid’ul-aksasë është prioritet, kurse neglizhenca ndaj këtij prioriteti meriton ndëshkimin e Allahut dhe të Pejgamberit a.s..

Përmasa shoqërore:
Udhëheqja e pejgamberëve pararendës në namaz nga ana e Muhammedit a.s. në Mi’raxh, përkundër gjuhëve, ngjyrave dhe nacionaliteteve të ndryshme, mëson se shteti islam që pritej të konstituohej në Medinë duhet t’i përfshinte të gjithë besimtarët, pa marrë parasysh ngjyrat, gjuhët dhe prejardhjen fisnore të tyre. Ata do të udhëhiqeshin me mesazhin hyjnor, duke i vënë në shërbim të fjalës së Zotit prirjet dhe aftësitë e tyre. Këto prirje dhe aftësi, këto veprime shoqërore, nëse kryhen në emër të Zotit, do të jenë të mirëpritura nga dyert qiellore.
Kjo ndodhi simbolizon shkallë të lartë dhe përgjegjëse të vetëdijes të pjesëtarëve të Islamit. Muslimani duhet të ngrehet mbi çdo pasion dhe lakmi botërore në mënyrë që të dallohet në botën në të cilën jeton me rolin dhe pozitën e tij, dhe për qëllimin përse jeton.

Përmasa shpirtërore:
Pas thyerjes shpirtërore të Muhammedit a.s. me vdekjen e mbrojtësve të tij fizik dhe shpirtëror, Ebu Talibit dhe Hatixhes, Allahu xh. sh. dëshiroi që të dashurin e Tij ta dhurojë me udhëtimin e jashtëzakonshëm, me ç’rast do t’u bëhet imamë të gjithë të dërguarve pararendës. Me këtë veprim, sikur Allahu i madhërishëm i tha Muhammedit a.s. se ty të përket e ardhmja, se sundimi yt do të shtrihet përtej kufijve tokësor, se nëse njerëzit të ngushtojnë hapësirën e veprimit, para teje është tërë hapësira qiellore, se nëse njerëzit të keqtrajtojnë fizikisht nga injoranca e tyre, tërë kozmosi është vënë në shërbimin tënd.
Kjo përkrahje shpirtërore ndaj Muhammedit a.s., edhe pse i hapi probleme të reja fizike përballë kundërshtarëve, megjithatë i dha kurajë të fuqishme që të ecë fuqishëm dhe me këmbëngulje të paimagjinueshme të vazhdojë në rrugëtimin e tij në prezantimin e fesë islame para individëve të shumtë dhe para prijësve të fiseve të shumta, të cilët vinin për pelegrinazh në Mekë apo që takoheshin në vende të ndryshme.

Përmasa psikologjike, epistemologjike ...:
Ndodhia e israsë dhe Mi’raxhit kanë edhe rëndësi psikologjike por paraqesin edhe një kthesë në historinë njerëzore dhe përkrahje për besimtarët e parë pas gjithë atyre problemeve nga fillimi i Shpalljes e deri në këtë rast.
Me këtë udhëtim, ngjitje, Muhammedi a.s. preku edhe problemet epistemologjike, sepse Muhammedi a.s. gjatë këtij udhëtimi mësoi njohje deri atëherë të panjohura dhe jashtë faktorëve normalë kohorë dhe hapësinorë, që i njohim dhe quajmë si njohje transcendentale, por që me ndihmën e Krijuesit bëhen të kapshme, të akceptueshme dhe reale edhe për Muhammedin a.s. dhe nëpërmjet tij edhe për ne, për botën e zakonshme.

Përmasa fenomenologjike:
Ndodhia e udhëtimit horizontal dhe vertikal të israsë dhe Mi’raxhit te shumica e qytetarëve nxiti dyshim. As përshkrimi i saktë nga ana e Muhammedi a.s. të Jerusalemit, nuk i kënaqi jobesimtarët dhe ata nuk i besuan. Për më tepër që ai kurrë më parë nuk e kishte vizituar këtë qytet. Ata donin prova bindëse dhe këtë Muhammedi a.s. e bëri me bindje që nga bota shpirtërore të dalë në rrafshin fenomenal, racional. Ky aspekt fenomenologjik i Islamit është diçka që Islamin në esencë e dallon nga religjionet e tjera të shpallura . Kjo edhe i shpjegon të gjitha përpjekjet intelektuale që kjo dramë fantastike të zbritet në rrafshin racional.

Përmasa shkencore:
israja dhe Mi’raxhi udhëzon edhe në fushën shkencore të studimeve astronomike, kozmike. Ato ofrojnë mundësinë e daljes së njeriut nga sfera e orbitës së Tokës dhe të hulumtimit të Gjithësisë. Muhammedi a.s. nëpërmjet kësaj ndodhie të jashtëzakonshme bëhet hulumtuesi i parë i gjithësisë dhe udhëtari i parë kozmik në historinë e gjinisë njerëzore, edhe pse me mjet fluturues transportues të cilësisë së panjohur. Këtë Muhammedi a.s. e bëri në krahët e Shpalljes kurse hulumtuesit e rinj këtë do të mund ta bëjnë në krahët e shkencës dhe të arriturave teknike-teknologjike.
Me këtë elaborim nuk përfundojnë kuptimet e shumta të mundshme të israsë dhe Mi’raxhit, por vetëm kemi dhënë shenjë se kuptimet janë të shumta dhe presin kontributin e dijetarëve të profileve të ndryshme.


Në vend të përfundimit

Mund të përfundojmë se mrekullia e israsë dhe Mi’raxhit ka ndodhur brenda një nate, në gjendje të zgjuar të Muhammedit a.s. dhe nuk është vizion i bukur apo ëndërr, por me trup dhe shpirt, gjatë periudhës pejgamberike dhe paraqet pikarritjen më të lartë të Muhammedit a.s.
Po ashtu, ky udhëtim paraqet një lidhje kohezive të fesë së vërtetë të Allahut në histori, prej Ibrahimit a.s., prej Musait a.s. dhe malit Sina, prej Betlehemit të Isait a.s., e deri te Muhammedi a.s.. Po ashtu, ky udhëtim paraqet edhe lidhje të vendeve të shenjta të cilat kanë proklamuar tewhidin (njësinë e qenies së Krijuesit), por edhe të pejgamberëve të Zotit, sikurse edhe e Mekës dhe Jerusalemit me sferat më të larta qiellore. Takimi shpirtëror në namaz i Muhammedit a.s., Isait a.s., Musait a.s. dhe Ibrahimit a.s. është një metaforë e papërsëritshme për unitetin e përvojës fetare dhe jetës.
Udhëtimi në fjalë që ndodhi para hixhretit, tundi themelet e shoqërisë së deriatëhershme mekase dhe njëkohësisht shkundi pluhurosjet, filtroi dhe qiti në shesh individët dhe grupimet e shëndosha, të cilët do të jenë bartës të besimit të lartë dhe të implementimit të tij praktik në skenën historike kundrejt grupimit jo të shëndoshë, njerëzve me iman të dobët, të cilët do ta dobësonin shoqërinë muslimane edhe më tej.
Allahu e di më së miri!


Shtojcë:
israja dhe Mi’raxhi në disa hadithe
të Muhammedit a.s.

Enes ibn Maliku transmeton se Pejgamberi i Allahut a.s. ka thënë:
“Më është dhënë Buraku. Ai është kafshë e bardhë e gjatë. Ishte më e madhe se gomari kurse më e vogël se mushka. Hapëron me shpejtësinë e shikimit. Kam kalëruar deri sa nuk arrita deri në Bejt’ul-makdis. E lidha për hallkën në të cilën kanë lidhur Pejgamberët e Allahut, pastaj hyra në mesxhid dhe fala në të dy rekate kurse pastaj dola.
Pastaj më erdhi Xhibrili dhe më ofroi enën me verë dhe enën me qumësht. E zgjodha qumështin, kurse Xhibrili më tha: “E zgjodhe Islamin!”
Pastaj u ngritëm në qiell. Xhibrili kërkoi të hapet, dhe u pyet: “Kush je ti?” “Xhibrili!” - u përgjigj. “Kush është me ty?” - u pyet: “Muhammedi”! - u përgjigj. “A i është dhënë shpallje?” – sërish u pyet. “Po” - u përgjigj Xhibrili. Atëherë u hapë. Aty ishte Ademi a.s. i cili më shprehi mirëseardhje dhe më dëshiroi gjithë të mirat. Pastaj jemi ngritur në qiellin e dytë. Xhibrili kërkoi të hapej, dhe u pyet: “Kush je ti” ? “Unë jam Xhibrili!”- u përgjigj. “Kush është me ty?” - u pyet: “Muhammedi!” - u përgjigj: “A i është dhënë shpallje?” – sërish u pyet. “Po” – u përgjigj. Atëherë u hapë.Aty ishin dy djemë tezeje: Isai i biri i Merjemës dhe Jahjai i biri i Zekerijait – paqja e Zotit qoftë mbi ta – të cilët më shprehën mirëseardhje dhe më dëshiruan gjithë të mirat. Pastaj u ngrita në qiellin e tretë. Xhibrili kërkoi të hapej, dhe u pyet:“Kush je ti?” “Xhibrili!” - u përgjigj. “Kush është me ty?” - u pyet: “Muhammedi”! - u përgjigj. “A i është dhënë shpallje?” – sërish u pyet. “Po” - u përgjigj Xhibrili. U hapë. E pamë Jusufin a.s. të cilit i qe dhënë gjysma e tërë bukurisë, i cili më dëshiroi mirëseardhje dhe më dëshiroi gjithë të mirat. Pastaj u ngritëm në qiellin e tretë. Xhibrili kërkoi të hapej dhe u pyet: “Xhibrili!” - u përgjigj. “Kush është me ty?” - u pyet: “Muhammedi”! - u përgjigj. “A i është dhënë shpallje?” – sërish u pyet. “Po” - u përgjigj Xhibrili. U hapë. Aty ishte Idrisi a.s.. Më dëshiroi mirëseardhje dhe më dëshiroi gjithë të mirat. Allahi i madhërishëm tha: “Ne e ngritëm atë në vend të lartë.”.(Merjem, 57). Pastaj u ngritëm në qiellin e pestë. Xhibrili kërkoi të hapej dhe u pyet: “Xhibrili!” - u përgjigj. “Kush është me ty?” - u pyet: “Muhammedi”! - u përgjigj. “A i është dhënë shpallje?” – sërish u pyet. “Po” - u përgjigj Xhibrili. U hapë. Aty pamë Harunin a.s., i cili më dëshiroi mirëseardhje dhe më dëshiroi gjithë të mirat. Pastaj u ngritëm në qiellin e gjashtë. Xhibrili kërkoi të hapej dhe u pyet: “Xhibrili!” - u përgjigj. “Kush është me ty?” - u pyet: “Muhammedi”! - u përgjigj. “A i është dhënë shpallje?” – sërish u pyet. “Po” - u përgjigj Xhibrili. U hapë. Aty pamë Harunin a.s., i cili më dëshiroi mirëseardhje dhe më dëshiroi gjithë të mirat. Pastaj u ngritëm në qiellin e shtatë. Xhibrili kërkoi të hapej dhe u pyet: “Xhibrili!” - u përgjigj. “Kush është me ty?” - u pyet: “Muhammedi”! - u përgjigj. “A i është dhënë shpallje?” – sërish u pyet. “Po” - u përgjigj Xhibrili. U hapë. Aty pamë Ibrahimin a.s., i mbështetur me shpinë në Bejt’ul-Ma’mur / Qabenë Qiellore në të cilën për çdo ditë hyjnë 70 mijë melekë të cilët më nuk kthehen. Pastaj jam dërguar deri në Sidret’ul-Munteha, gjethet e të cilave kanë qenë sikurse veshët e elefantit kurse frutet sikurse qypi i madh prej dheu. Kur e rimbuloi me atë që Allahu dëshiroi ta rimbulojë atë ashtu që asnjë nga krijesat e Allahut nuk do të ishte në gjendje ta përshkruaj bukurinë e saj. Allahu më shpalli diç nga shpallja dhe më caktoi gjatë ditës dhe natës 50 namaze, dhe zbrita te Musai a.s. i cili më pyeti: “Me çka i obligoi Krijuesi yt pasardhësit tu?” “Me pesëdhjetë namaze.” - u përgjigja.: “Ktheju Zotit tënd dhe kërko lehtësi sepse ummeti yt këtë nuk do ta përballojë duke e marrë parasysh se unë këtë e kam provuar me popullin izraelit.” - më tha: U ktheva te Krijuesi im dhe e luta: “O Krijuesi im, lehtësoja ummetit tim”, dhe më zbriti për pesë namaze. U ktheva te Musai a.s. dhe i thashë: Ma ka zbritur për pesë namaze”. Pasuesit tuaj këtë nuk mund ta përballojnë ndaj kthehu te Zoti yt dhe kërko lehtësi.” - ai më tha: Vazhdimisht jam kthyer ndërmjet Krijuesit tim dhe Musait a.s. deri sa Allahu nuk më tha: “O Muhammed, ata janë pesë gjatë ditës dhe natës dhe për çdo namaz shkruhen dhjetë që përbën pesëdhjetë namaze. Kush vendos të bëj një vepër të tillë të mirë, e nuk e bën - do t’i shkruhet një shpërblim, e nëse e bën – do t’i shkruhen dhjetë. Por, nëse dikush vendosë të bëjë ndonjë vepër negative, dhe këtë nuk e bën – nuk i shkruhet mëkat e nëse e bën – i shkruhet vetëm një mëkat.” Zbrita deri te Musai a.s. dhe i thashë: ”I kthehesha Zotriut tim deri sa nuk më erdhi turp.”
Katade transmeton prej Enes ibn Malikut se Malik ibn Sa’sa ka rrëfyer ... e ka theksuar hadithin deri te fjalët e Muhammedit a.s.: ”... Pastaj jam ngritur deri në Sidret-ul-Munteha dhe pashë frutat e saj në formë të kopshteve të botës deri sa fletët i kishte sikur veshët e elefantit, dhe tha: “Kjo është Sidretu’l-Munteha.” Ka thënë: “Janë shfaqur katër lumenj: dy të fshehtë dhe dy të dukshëm. Kam pyetur: “Ç’është kjo o Xhibril?” U përgjigj: “Sa i përket lumenjve të fshehtë, këta janë dy lumenj në xhennet, kurse sa i përket lumenjve të dukshëm, këta janë Nili dhe Eufrati.” Ka thënë: E pastaj është ngritur deri në Bejt’ul-Ma’muri.”
Në transmetimin e Katades nga Ebu Hurejre r.a. është: - “... Ka thënë: “Kam thënë: E kam lutur Zotriun tim deri sa nuk jam turpëruar, dhe mbeta i habitur, por e kam kryer urdhëresën që pas kësaj e kam dëgjuar kasnecin se si bërtet: “Ti i ke përmbushur urdhrat e Mia dhe ua ke lehtësuar robërve të Mi.”
Ngjashëm shënohet në përmbledhjet autentike të haditheve në transmetimin prej Katades. Në këtë transmetim është: - ”... pastaj më çoi deri në Sidret’ul-Munteha të cilin e kanë mbuluar ngjyrat e adit dhe vetë nuk e di cilat, që pastaj të më fusin në xhennet, ku rrjetat ishin nga sedefët kurse toka nga misku.”
Në transmtimin e Ebu Dherres r.a. thotë: - ”E kam pyetur Pejgamberin e Allahut s.a.v.s.: “A e ke parë Krijuesin tënd?” U përgjigj: “Dritë (Nur) kudo që kam shikuar- e si Ta shoh?!”
Nga Muhammed ibn Beshari me zinxhirin e transmetuesve transmetohet deri te Abdullah ibn Shekiku i cili thotë: I kam thënë Ebu Dherres r.a.: - ”Sikur ta kisha parë Pejgamberin e Allahut s.a.v.s. do ta kisha pyetur”. Më pyeti: “Për ç’gjë do ta kishe pyetur?” Ka thënë: “A e ke parë Krijuesin tënd?” Ebu Dherri ka thënë: “Tashmë e kam pyetur dhe është përgjigjur: “Kam parë dritë (nur)!”
Hafidh Ebu Bekr El-Bejhekiu përmend në hadithin e Shurejkut shtojcën që dallon nga të tjerët, dhe përkrah ata të cilët konsiderojnë se Muhammedi a.s. e ka parë Allahun e madhëruar, me fjalët: “Pastaj i afrua i Fuqishmi, Zotëriu i madhërisë, dhe se është kërrusur, afër sa dy harqe ose edhe më afër.”
Qëndrimi i Aishes, Ibn Mes’udit dhe i Ebu Hurejres r.a. në perceptimin e këtij ajeti është se të parit e Xhibrilit është më korrekte. Kjo është ajo që e përfaqëson El-Bejhekiu - Allahu e mëshiroftë – si korrekte në këtë çështje. Fjalët e Allahut: “Pastaj u afrua dhe u kërrus”, kanë të bëjnë me Xhibrilin a.s. sikur që vërtetohet në Sahihun e Buhariut dhe të Muslimit nga Aisheja, nëna e besimdrejtëve, nga Ibn Mes’udi e po ashtu nga Ebu Hurejre në Sahihun e Muslimit. Nuk është i njohur mospajtimi i as’habëve në komentimin e këtij ajeti.
Ibni Shihabi ka thënë: ”Më ka njoftuar Ibn Hazmi se Ibn Abbasi dhe Ebu Habbe El-Ensari ka folur se Pejgamberi i Allahut s.a.v.s. ka thënë: - ”Pastaj jam ngritur (lartësuar) deri te niveli kur kam mundur të dëgjojë kërcëllimën e pendës.”
Xhabir ibni Abdullahu r.a. përmend se ka dëgjuar Pejgamberin s.a.s.v. duke thënë: - “Meqenëse më bënë gënjeshtar kurejshitët kur u ngjita natën në isra deri në Bejt’ul-Makdes, qëndrova në hixhr (hatim, kthinë – NI) pranë Qabesë dhe Allahu ma dëftoi Bejt’ul-Makdisin, dhe fillova t’i njoftojë për gjerat interesante që i kam shikuar.”
Ibni Shihabi thotë se Ebu Seleme ibn Abdurrahman ka thënë: - ”U përgatitën (ose shprehje e ngjashme) kurejshitët, shkuan te Ebu Bekri dhe i thanë: “A mendon ti se shoku yt ka shkuar deri në Bejt’ul-Makdis e pastaj është kthyer deri në Mekë gjatë një nate?” Ebu Bekri r. a. pyeti: “A e ka thënë ai këtë?!” U përgjigjën: “Po”. Ebu Bekri u përgjigj: “Unë dëshmoj se nëse ai këtë e ka thënë se të vërtetën e ka thënë.” I thanë Ebu Bekrit: “Ti i beson se ka shkuar deri në Sham gjatë një nate e pastaj është kthyer deri në Mekë para se të gdhijë?!” Ebu Bekri u përgjigj: “Po, unë i kam besuar edhe më shumë se kjo. I kam besuar kur ka filluar ta pranojë shpalljen nga qielli.” Ebu Seleme thotë: “Për këtë arsye është quajtur Ebu Bekr Es-Siddik”.
Ibni Abbasi r.a. ka thënë: ”Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Natën në të cilën ndodhi israja u gdhira në Mekë. U frikësova duke e ditur se për këtë arsye do të më quajnë gënjeshtar.” Mbeta i izoluar, i dëshpëruar. Pranë tij kaloi armiku i Allahut Ebu Xhehli, u ulë pranë tij dhe me ton përçmues, e pyeti: “A mos ka ndodhur diçka?” Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Po”. “E çka ashtu?” - Ai pyeti. “Mbrëmë jam ngritur”. - Muhammedi a.s. u përgjigj. “Ku?” – Pyeti. “Në Bejt’ul-Makdis”. - U përgjigj. “Pastaj ke gdhirë me ne?!” - Ebu Xhehli ka thënë. “Po!” - U përgjigj. Ebu Xhehli nuk tentoi ta demantojë duke u druajtur që Pejgamberi i Allahut mos ta mohojë fjalimin e tij kur t’ia thërras popullin, dhe e pyeti: “Çka mendon ta thërrasësh popullin tënd: A do t’ua rrëfesh këtë që ma rrëfeve mua?” “Po”!, - tha Muhammedi a.s.! Ebu Xhehli ftoi: “O pasardhësit e Ka’b ibn Lu’jit”. Erdhën në grupe dhe u ulën pranë atyre të dyve. Ebu Xhehli tha: “Rrëfeja popullit tënd atë që ma rrëfeve mua.” Pejgamberi a.s. tha: “Vërtet mbrëmë qesh ngritur”! “Ku?” - Ata pyetën! “Deri në Bejt’ul-Makdis”! - u përgjigj! “Pastaj je zgjuar në mesin tonë”? – thanë ata. “Po!” - u përgjigj: Atëherë disa duartrokitën kurse disa i vunë duart në kokë duke shprehur habi në këtë mënyrë. A mund të na përshkruash Mesxhidin?” – pyetën ata. Në mesin e tyre kishte nga ata që kishin udhëtuar në këtë Mesxhid. Pejgamberi i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “E kam përshkruar dhe një detaj nuk ishte i qartë dhe ma sollën Mesxhidin afër dhe na vendosën pranë shtëpisë së Akilit të cilën e shikoja dhe kështu e përshkrova.” “Sa i përket përshkrimit, për Zotin, ia ka qëlluar.” – briti populli. Në transmetimin e Ebu Hurejres r.a. është hadithi: ”Pejgamberi i Allahut s.a.v.s. ka thënë: - ”Kur qëndroja në hixhr (vend - NI) pranë Qabesë me kujtohet kur kurejshitët më pyesnin për udhëtimin tim të natës. Më pyesnin për hollësitë e Bejtu’l-Makdisit për të cilat nuk isha i sigurt. U brengosa shumë, sa nuk isha brengosur më herët aq shumë dhe Allahu m’i pasqyroi ashtu që kam parë në të. Asgjë nuk më kanë pyetur e që nuk i kam njoftuar dhe u gjeta në shoqëri të pejgamberëve të Allahut. Musai a.s. është falur dhe ishte i fortë dhe i fuqishëm sikur të ishte nga njerëzit e fisit Shenua. Isai a.s. falej kurse më i ngjashmi me të nga njerëzit ishte Urveh ibn Mes’ud Esh-Thekafiu. Ibrahimi a.s. falej kurse më i ngjashmi me të nga njerëzit është shoku juaj – Muhammedi a.s. personalisht – dhe u afrua koha e namazit dhe unë i udhëhoqa në namaz. Kur mbarova, m’u tha: O Muhammed, ky është Maliku, rojtar i xhehenemit. U ktheva nga ai kurse ai më dha selam”.

Përktheu me shkurtime: N. Ibrahimi


Literatura:
1. Adnan Silajxhiq, sipas: http://www.zeriislam.com/artikulli/isra-dhe-Miraxhi-ne-objektiven-e-komentit-klasik.html .
2. Ebu Bekr in Muhammed El-Mul-la El-Ixhsani, Ikd’ul-leali fi sherhi bed’il-emali, bot. II i shtuar dhe përmirësuar, Bejrut, 1420 h./2000.
3. Edin Gjoni, isra dhe Mi’raxhi në objektivën e komentit klasik, në: http://www.zeriislam.com/artikulli/isra-dhe-Miraxhi-ne-objektiven-e-komentit-klasik.html.
4. En-Nesefij, Besimi islam sipas Imam En-Nesefiut, Prizren, 2003.
5. Geschrieben von Dr. Ahmed Hasanovich, në: http://www.dzemat.de/home/index.php?id=380&option=com_content&task=view
6. http://www.zeriislam.com/artikulli/isra-dhe-Miraxhi-ne-objektiven-e-komentit-klasik.html .
7. Husein Dozo, Fetve – Pitanja i odgovori, Novi Pazar, 1996.
8. Ibn Abbas, Tefsir, Pjesa III, Sarajevo, 2007/1428 h..
9. Ibn Ebu El-Izz, Sherh’ul-akideti’t-tahavijjeh, Bejrut, bot. IX, 1408 / 1988.
10. Imam Ahmedi, Musned.
11. Imam Buhariu, Sahih.
12. Imam Ebu Hanifeh, El-Fikh’ul-Ekber- Thelbi i besimit islam, Prizren, 2005.
13. Imam Muslimi, Sahih.
14. Imran N. Husejn, Znacenje Mi’radza, The Minaret, no.1983, sipas: Islamska Misao, nr. 64/1984, Sarajevo.
15. Mehmed Handziq, Izabrana djela, VI, Sarajevo, 1999.
16. Miguel Asin Palacios, Eskatologjia Muslimane në Komedinë Hyjnore, Shkodër, 2003.
17. Muhammed El-Gazali, Komenti tematik i Kur’anit famëlartë, Shkup, 2007.
18. Muhammed Husejn Hejkel, Zivot Muhammedov a.s., Sarajevo, 1425/2004.
19. Muhammed Muteveli Esh-Sha’ravi, Mrekullia e madhe israja dhe Miraxhi, Prishtinë, 2005.
20. Muhammed Rewwas Qal’adzi, Licnost Poslednjeg Allahovog Poslanika, Sarajevo, 1427/2006
21. Mustafa Es-Sibai, Muhammed a.s., Sarajevo, 2007.
22. N. Husein, Znacenje Mi’radza, The Minaret, no.1983, në Islamska Misao, nr. 64/1984, Sarajevo.
23. Nedzad Grabus, Uvod u nauku akaida, Sarajevo, 2005.
24. Vehbi S. Gavoçi, Nyja e besimit sipas Tahaviut, Prishtinë, 1995.

Botuar ne Takvimi 2010, Prishtine. Kopja eshte origjinale.

Post a Comment

0 Comments