Advertisement

Responsive Advertisement

Asgjë nga Miraxhi nuk është e kaluar

 

Asgjë nga Miraxhi nuk është e kaluar

Vëllezër e motra!

Sot jemi më datën 24 të muajit rexheb. Pasnesër, me namazin e akshamit fillon nata e bekuar e Miraxhit. Kjo natë e bekuar na e kujton ngjarjen e madhe të udhëtimit të Pejgamberit (a.s.) nga Meka në Jerusalem, na kujton Isranë, udhëtimin e natës dhe na kujton Miraxhin, ngritjen e Pejgamberit deri tek Arshi i Allahut të Plotfuqishëm.

Edhe në udhëtimin e parë, edhe në të dytin, Pejgamberi (a.s.) ka parë dhe përjetuar, dhe neve na ka përcjellë atë që neve çdo herë na e kujton universalitetin e mesazhit islamik dhe detyrën e njeriut që atë mesazh ta ndjekë për të shpëtuar nga mëkati dhe dënimi. Në udhëtimin e tij të natës, Pejgamberi është nderuar të jetë imam i një xhemati që asnjë njeri as para e as pas tij nuk e ka pasur. Ky është xhemati i pejgamberëve të mbledhur në xhaminë Aksa. Të gjithë ata, pejgamberë të mëparshëm, duke qëndruar në saf pas Muhamedit (a.s.), e konfirmojnë universalitetin e mesazhit të Allahut, se Allahu është Një, se rruga që çon në të vërtetën është një, se çdo rrugë tjetër, në fakt, është devijim, dhe se kush kërkon imam tjetër përveç të Dashurit të Allahut, nuk do të ecë në rrugën që çon në kënaqësinë e Allahut.

Në atë udhëtim të natës, para se të ngrihet në sferat e larta, Xhibrili i ofron Pejgamberit (a.s.) që të zgjedhë; i ofron atij të zgjedhë midis asaj që është kalimtare dhe asaj që është e përjetshme, midis rrugës së drejtë dhe rrugës së gabuar, midis së vërtetës dhe të pavërtetës. Pejgamberi (a.s.) nuk e zgjodhi verën që simbolizon kënaqësinë e shkurtër të kësaj bote, por ai e zgjodhi qumështin, i cili me bardhësinë, pastërtinë dhe vlerat ushqyese të tij simbolizon pastërtinë e fesë islame dhe dobinë e urdhërave dhe ndalimeve në Islam për njeriun.

Kur Pejgamberi (a.s.) në shoqërim të Xhibrilit u nis për në sferat e larta dhe kur kaluan nëpër shtatë porta qiellore për të arritur tek arshi i Allahut, për të arritur te Sidretul Muntehaja, u takuan me pejgamberët e mëparshëm, të cilët u gëzuan me ardhjen e të Dashurit të Allahut në Tokë. Ata ishin të lumtur sepse e dinin se ajo me çfarë kishin ardhur ata tani ishte plotësuar dhe, se feja e Allahut me ardhjen e pejgamberit të fundit ishte përsosur, ndërsa begatia e pamasë ishte plotësuar.

“I lavdëruar qoftë Ai që e mbarti robin e Tij (Muhamedin) natën nga Xhamia e Shenjtë (në Mekë) në Xhaminë e Largët (të Jerusalemit), rrethinën e së cilës e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga mrekullitë Tona…” (el-Isrâ’, 1)

Këto shenja nga udhëtimi i natës i përmendëm që edhe ne vetë, sipas këtyre shenjave, ta drejtojmë jetën tonë dhe që ato të na shërbejnë si udhërrëfyes në rrugën tonë të kësaj bote.

Mësuam se ndjekja e Pejgamberit të fundit është detyrë e çdo njeriu, ashtu siç e ndoqën edhe të gjithë pejgamberët në xhaminë e Jerusalemit, në xhaminë Aksa.

Mësuam se kur jemi para një zgjedhjeje, dhe njeriu është qenie e lirë, që të zgjedhim gjithmonë atë që është e vlefshme dhe e dobishme në të dy botët, e jo atë që do të na sjellë vetëm një dobi të shkurtër, të kësaj bote.

Mësuam se ashtu siç u gëzuan pejgamberët në portat e qiellit, të vendosur në radhë, me ardhjen e të zgjedhurit ndër ta, që edhe ne të gëzohemi me netët e bekuara prej të cilave i mësojmë mesazhet e fesë sonë, në mënyrë që ta përputhim hapin tonë me atë të Pejgamberit, dhe kështu të bëhemi të denjë për shefaatin e tij.

Për ngjarjen e Miraxhit, Allahui Plotfuqishëm, thotë: “Pastaj iu afrua e iu lëshua, – sa largësia midis dy harqeve ose edhe më afër.” (en-Nexhm, 8-9)…;“ndërkohë që ai e ka parë atë edhe një herë tjetër; – te Sidretul Munteha-ja, – ku ndodhet Xheneti i Strehimit.” (en-Nexhm, 13-15).

Përveç shenjave madhështore e të shumta që Pejgamberi ka parë, ai i ka sjellë umetit të tij nga Miraxhi dhurata me vlerë të papërshkrueshme. Muslimi, nga Ibni Mes’udi (r.a.), transmeton: “Pejgamberi në Miraxh i ka marrë tri gjëra: pesë kohë namaz, tri ajetet e fundit të sures el-Bekare dhe shefaatin.”

Namazin e kemi marrë, dhe atë pesë kohë, por për secilin shpërblimi është sikur të jenë dhjetë. Namazi na është urdhëruar në Miraxhin e Pejgamberit, në ngritjen e Pejgamberit. Nga kjo e lexojmë mesazhin se njeriu, nëse dëshiron të ngrihet në shoqërinë e njeriut, të asaj krijese që ka ardhur në Tokë në formën më të bukur, patjetër duhet ta falë namazin. Pa ndërtim shpirtëror, pa atë ngritje shpirtërore, njeriu nuk është njeri. Detyra e njeriut nuk është vetëm të hajë, të pijë dhe të shumohet. Njeriu është mëkëmbës i Allahut në Tokë. Detyra e tij është që të vendosë rend në Tokë, dhe për të qenë në gjendje që ta bëjë këtë, ai së pari duhet ta rregullojë jetën e vet, dhe ky rregull nuk ekziston pa namaz. Nëse njeriu dëshiron që të jetë në gjendje të përballet me sfidat e jetës, nëse dëshiron që ta kryejë me sukses misionin e tij si mëkëmbës i Allahut në Tokë, është e nevojshme që ai ta ndjekë rrugën e ngritjes së vet, të shkojë në miraxhin e vet, kurse namazi është miraxhi i besimtarit.

Tri ajetet e fundit të sures el-Bekare janë dhuratë e Miraxhit. I janë dhënë Pejgamberit (a.s.) nga thesari nën Arsh. Këto ajete na sjellin edhe udhëzim edhe paralajmërim. Udhëzimi është, se Allahut i përket gjithçka që gjendet në Tokë dhe në qiej, kurse paralajmërimi është, se çdo gjë që bëjmë, qoftë haptazi apo fshehurazi, me të do të përballemi.

Udhëzimi është, që të besojmë ashtu siç kanë besuar pejgamberët, ndërsa paralajmërimi është, që të mos jemi si ata që kishin devijuar rrugën dhe thoshin: “Dëgjuam, por nuk u bindem.”

Udhëzimi është, se Allahu i Plotfuqishëm nuk e ngarkon njeriun më shumë se sa ai mund të mbajë, ndërsa paralajmërimi është, se çdo gjë që bëjmë, e mirë apo e keqe, me ne do të jetë dhe vetëm sipas saj ne do të vlerësohemi dhe do të gjykohemi.

Miraxhi na ka dhuruar shefaatin. Umeti i Muhamedit (a.s.) është nderuar me këtë, që kushdo që të jetë i denjë për shefaat, pa pritur do të hyjë në Xhenet. Nëse dëshiron që të jesh në grupin i cili do të shpëtohet nga ajo pritja e vështirë, shko në rrugën e ngritjes tënde, të përmirësimit tënd shpirtëror, shko në miraxhin tënd.

Allahu i Plotfuqishëm u premton besimtarëve se do t’u japë fitore dhe sukses. Ja ky është premtimi: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, – të cilët janë të përulur në namazin e tyre, – të cilët shmangen nga fjalët e kota, – të cilët japin zekatin, – të cilët ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtligjshme), – përveçse me gratë e tyre ose me robëreshat që kanë në zotërim – dhe, për këtë, nuk janë fajtorë, – ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës (të kufijve), – të cilët u përmbahen amaneteve dhe detyrimeve të marra – dhe të cilët i kryejnë rregullisht namazet. – Pikërisht ata do të jenë trashëgimtarët, – që do ta trashëgojnë Firdevsin, ku do të qëndrojnë përjetësisht.” (el-Mu’minun, 01-11)

Nata e 27-të e muajit rexheb, nata e Miraxhit, është ditën e diel. Katërmbëdhjetë shekuj më pas, asgjë nga mesazhi i Miraxhit nuk është zbehur dhe asgjë nga Miraxhi nuk është e shkuar e largët. Gjithçka edhe tani, ashtu sikur edhe atëherë, është po aq aktuale dhe po aq e rëndësishme për ne, ashtu siç ishte për njerëzit e atëhershëm, për sahabët e Pejgamberit (a.s.).

Miraxhi na mëson se duhet të sillemi në atë mënyrë që sjellja jonë të na vendosë në shoqërinë e atyre që me përgjegjësi e jetojnë rolin e mëkëmbësit në Tokë.

Miraxhi na mëson se ne nuk jemi vetëm trup. Na mëson që me namaz ta edukojmë trupin tonë, që me ajetet e Kuranit ta udhëzojmë vetveten dhe të shpresojmë në shefaatin e Pejgamberit (a.s.).

O Allahu i Lartësuar, na bëj neve që të jemi prej atyre që e ruajnë namazin, që i lexojnë dhe i pasojnë ajetet e Kuranit dhe që me vendosmëri ecin drejt shefaatit të Pejgamberit (a.s.). Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përgatiti në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

Post a Comment

0 Comments