Advertisement

Responsive Advertisement

Zbatimi i planprogramit, siguri e shoqërisë


Zbatimi i planprogramit, siguri e shoqërisë

Ne po mbështetemi te gjërat të cilat na sigurojnë jetë më të lehtë dhe të mira materiale, dhe llogarisim se këtë e kemi arritur me punën tonë të pavarur nga fuqia e Allahut, dhe po e besojmë dhe e adhurojmë fuqinë e njeriut, duke menduar se ne mund të bëjmë ligje në veti për vete edhe pse ato ligje janë në mospërputhje me planprogramin e Allahut. Dhe jo vetëm kaq, por edhe ligjin e Krijuesit po e quajmë si ligj të dhunshëm. Shpifim dhe e quajmë se është ligj i prapambetur apo e majta. Por e vërteta është se, ai i cili largohet nga planprogrami i Allahut, në të vërtetë, mu ai është duke u kthyer mbrapa.

Sekreti i mbështetjes së njeriut në materie si dhe përkushtimi i tij në jetën materiale, e cila njihet si ideologjia e materializmit, është në atë se nuk na ndihmon të shkojmë drejt një edukimi cilësor i cili i mbizotëron epshet tona të pangopura, përderisa sa i përket planprogramit të Allahut, ai na ndihmon në edukimin jetësor, e cila na siguron jetë fisnike, por fatkeqësisht ne nuk jemi të orientuar në këtë të dytën.

Kur Zoti i Lartmadhëruar na ka thënë “Mos vidh”, askush nuk mund të thotë se me këtë ndalesë ma ka cenuar të drejtën dhe lirinë time që ta zgjas dorën dhe t’ia marr pasurinë tjetrit. Kjo teori kështu është e pakuptimtë. Por, e vërteta është se me këtë ndalesë, tërë shoqërisë ia ka marrë të drejtën që ta zgjat dorën dhe ta marrin pasurinë time. Kështu më ka mbrojtur mua, sepse unë jam i dobët si i vetëm në krahasim me shoqërinë e cila ka fuqi të më merr çdo gjë.

Kur Zoti i Lartmadhëruar më ka ndaluar të preki në nderin e tjetrit, e ka kufizuar lirinë time ashtu që edhe nëse unë e pëlqej një grua të martuar të tjetër kujt, të mos preki në nderin e saj. Mirëpo ne nuk po e analizojme atë se Zoti i Lartmadhëruar i ka ndaluar mijëra të rinj të pamartuar dhe të martuar që të prekin nderin tim. Nderi im është i ndaluar për të gjithë shoqërinë.

Kështu veprohet me planprogramin e Allahut. Ai më mbron mua, e mbron nderin tim dhe fëmijët e mi, mirëpo shkurtpamësia ime dhe epshi im i ngutshëm, më bën që të harroj atë me të cilën më mbron Allahu.

Çdo herë që përparon civilizimi materialist, degjenerimi moral në shoqëri vjen deri në atë nivel sa që e ndaluara bëhet e lejuar, ndërsa ky tjetërsim është jashtë ligjeve dhe rregullave të Allahut.

Kur njeriu krijon bindje se është i pavarur me diturinë e tij ose me autoritetin e tij ose me pasurinë e tij ose me fuqinë e tij ose me diçka që Allahu ia ka mundësuar atij të arrij, vjen Allahu i Lartmadhëruar që ta nxjerr nga ajo hipnozë dhe ta qet para realitetit dhe të drejtës. Kjo ndodh:

– ose atëherë kur vdes njeriu;

– ose kur të ndodhë dita e kiametit dhe e shkatërrimit.

Për çdo arritje të njeriut që ia mundësoi Allahu e që njeriu mendon se e arriti me forcat e veta, Zoti i Lartmadhëruar i thotë: Përderisa ti e ke realizuar vet, nëse ke mundësi apo rrugëdalje, ruaje vet.

E vërteta e parë e jetës është vdekja. Vdekja qëndron pranë çdo gjëje e cila është në këtë botë, çdo gjë i nënshtrohet vdekjes i turpëruar.

Njeriu i cili ka menduar se specialistët më të njohur mund t’ia ruajnë shëndetin e tij dhe se ata do ta mbajnë jetën në trupin e tij para vdekjes, tregohen të paralizuar dhe të paaftë. Nuk mund të gjejnë zgjidhje dhe nuk mund të bëjnë asgjë.

Po ashtu edhe pasuria e njeriut me të cilën njeriu ka menduar se me të mund të bëj çka të dojë dhe të veprojë si të dëshiron, por edhe shpresa se ai me fuqinë dhe pozitën e tij mund të veproj çka të dëshiron është çështja tjetër e cila tregohet e paaftë që t’i jep energji dhe forcë që t’i vazhdoj jeta në trupin e tij. Në momentin e vdekjes, e sheh çdo gjë që i ka munguar dhe e sheh para vetes çdo gjë. Atëherë e sheh çka është dashur të besoj dhe çka ka kërkuar Allahu prej tij, e kupton realitetin e lirisë së zgjedhjes. Ai moment eshtë çasti i shtangimit, çasti kur njeriu mbetet syhapur dhe ai i cili mendonte se është i fuqishëm dhe mund të bëjë ç’të dojë, bëhet i nënçmuar, i frikësuar, dhe i pafuqishëm që të bëj gjë.

Që nga momenti kur shpirti del prej trupit, largohet prej çdo çështjeje të kësaj bote dhe shkon në botën tjetër ku ligjet më nuk janë në funksion (shërbim) të veprimit (dëshirës) së tij. Vdekja, nuk është fundi, ashtu siç mendojnë shumica e njerëzve, por është të kaluarit prej jetës në jetë tjetër, prej kësaj bote e cila i ka ligjet e saj, në jetën pas vdekjes e cila ka ligje tjera. Atëherë sheh, atë që nuk e ka parë më parë. Për këtë arsye Zoti i Lartmadhëruar thotë:

“Tash ta kemi ngritur perden (e syve) dhe sot shikimi yt është i mprehtë.” (Kaf : 23)

I dërguari i Allahut s.a.v.s. në hadith ka thënë:

“Njerëzit janë duke fjetur, kur të vdesin, zgjohen.”

Si është e mundur që i dërguari i Allahut s.a.v.s. të thotë: Njerëzit janë duke fjetur, kur të vdesin, zgjohen?!

Si është e mundur që i dërguari i Allahut s.a.v.s. të thotë: Njerëzit janë duke fjetur… kur në botën të cilën jetojnë, janë zgjuar!? …dhe kur të vdesin, zgjohen.

Si është e mundur që njeriu i cili është zgjuar, i cili e mbush tokën plot gjallëri, që në të vërtetë të jetë duke fjetur dhe kur të vdes dhe të mbulohet me dhe’ zgjohet!?

Përgjigjja në këtë është se: Në këtë botë njerëzit janë të angazhuar ndaj epsheve, pasurive dhe në realizimin e dëshirave të tyre. E gjithë kjo njeriun e largon nga realiteti i kësaj bote dhe nuk e lë të analizoj argumentet e Allahut. Zoti i Lartmadhëruar u paraqet argument pas argumenti që t’i bëj ata që të besojnë, por ata refuzojnë dhe kjo i bie sikurse të jenë në gjumë kundrejt realitetit rreth tyre dhe çdo gjëje që u është premtuar nga Allahu dhe kur të vdesin shohin qartë, pa kurrfarë mbulese, e ai moment është kur e vërejnë Allahun, programin e tij dhe realitetin apo të vërtetën e kësaj bote.

Vërtetë njeriu është në gjumë të lehtë dhe nuk udhëzohet sepse i ka mbyllur sytë, nëse i hap sytë sheh dhe kupton. Kështu pra, çështja e parë e cila i është dhënë është e para e cila i merret, e ajo është jeta. Njeriu kur të vdes e sheh vendin e tij se a do të jetë në xhenet apo xhehenem. Në çastin e vdekjes e kupton se do të vdesë. Njerëzit mendojnë se çasti i vdekjes është i njëjtë për çdo njeri, që secilit njeri i vjen çasti i vdekjes dhe vdes, por e vërteta është ndryshe, sepse Zoti i Lartmadhëruar na ka lajmëruar se në çastin e vdekjes, bëhet lamtumira e kësaj bote dhe në botën tjetër nuk shkojnë në mënyrë të njëjtë, por që nga këtu fillon ndryshimi. Lexoje fjalën e Zotit të Lartmadhëruar:

“Të cilëve melekët ua marrin shpirtrat duke qenë të pastër. U thonë atyre:
– Shpëtimi dhe paqja qoftë mbi ju! Hyni në xhenet, si shpërblim për veprat që keni kryer!” (En-Nahl : 32)

Kështu pra, njeriu i mirë dhe besimtar, në çastin e vdekjes i sheh melekët.

Edhe mohuesi (pabesimtari) i sheh melekët në çastin e vdekjes, por ka dallim të madh njëra me tjetrën.

Njeriu i cili ka qenë besimtar i mirë, i sheh melekët e mëshirës të cilat e përgëzojnë dhe e dërgojnë në xhenet. U japin selam, fytyrat e tyre janë të ndritura, dhe atëherë gëzohet njeriu besimtar, sepse kalon në një jetë më të mirë dhe më të pastër se sa në këtë botë në të cilën ka qenë. Fytyra e tij është e gëzuar, i sheh shtretërit komodë, e sheh se bota e sprovave ka përfunduar dhe se ai do të kaloj në botën e begative, ku do të kënaqet me të mirat e Allahut të Lartmadhëruar, i shkëlqen fytyra. Kur t’i vjen çasti i vdekjes e kupton se ai është duke e ndjerë se është duke shkuar në një shkallë më të lartë se sa në atë të cilën ka jetuar në këtë botë dhe se i ka ndodhë me të vërtetë premtimi i Allahut për një përfundim të mirë.

Edhe pabesimtari i sheh melekët në çastin e vdekjes. Këtë e tregon Zoti i Lartmadhëruar kur na njofton se ai ballafaqohet me një takim të vështirë:

“Eh sikur t’i shihje se si melekët ua marrin shpirtrat mohuesve! I godasin ata në fytyrë dhe shpinë (duke u thënë): – Shijoni dënimin e zjarrit! Kjo për shkak të asaj që keni bërë me duart tuaja, sepse Allahu nuk është i padrejtë me robërit e vet!” (El-Enfal : 51, 52)

Kështu, ne shohim se në çastin e vdekjes ka dallim të madh në mes të njeriut besimtar dhe njeriut pabesimtar.

Pabesimtarit, melekët i thonë: – A nuk po e sheh se si ke gënjyer në jetën e paravdekjes. A po e sheh dënimin i cili po të pret. Nëse ke mundësi dhe fuqi nxirre veten nga kjo situatë. Ik, po pate mundësi, por nuk mundesh. Të ka mashtruar jeta e dunjasë, ke bërë krime dhe padrejtësi, ke bërë mëkate. Ke folur për Allahun gjëra të padrejta, je treguar kryelartë. Tani ka përfunduar çdo gjë që ka qenë për ty në jetën e dunjasë. Zotat tu, të cilët i ke adhuruar përpos Allahut, kanë ikur dhe janë fshehur sepse të kanë mbështetur në të keqe dhe në mëkate, ata nuk mund t’i bëjnë vetes së tyre as dëm dhe as dobi, por edhe të gjithë ata që të kanë ndihmuar ty në dunja për të bërë padrejtësi, tani nuk kanë mundesi që të të mbrojnë.

Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Post a Comment

0 Comments