Sado që ndryshojnë kohët, sado që civilizohen shoqëritë, sado që evoluon shkenca, të gjithë mbeten vetëm një hije dhe margjinalizohen në kohë, përpos librit të shenjtë i cili aktualizohet gjithmonë! Bota islame, që nga zbritja e Kur’anit e ka pasur këtë libër, në fenë islame nuk ka tjetër tekst kanonik me prejardhje hyjnore, vetëm Kur’ani e ka këtë privilegj i cili mbetet libër ose frymë hyjnore që nga fillimi deri në fund. Kur’ani është Fjalë e Zotit, respektivisht mrekulli e Tij. Ka zbritur në këtë botë Natën e Fuqisë (Lejletul Kadër), kah fundi i muajit Ramazan, muaji i nëntë i kalendarit hënor. Muaji i cili agjërohet nga muslimanët dhe që kjo natë festohet në mënyrë më specifike.*
Kjo ishte “zbritje” (tenzil) shpirtërore në zemrën e Pejgamberit a.s. derisa ai gjatë muajit Ramazan përsiaste në një shpellë në malin Hira, jo shumë larg Mekës. Kjo zbritje vertikale e Kur’anit u shfaq në dimensionin e jashtëm në shpalljet fragmentare që dolën prej tij, të nxitura nga kjo apo
ajo rrethanë, përgjatë periudhës 23 vjeçare të misionit të tij pejgamberik.1
Por, nuk kishte asgjë të re në mesazhin mbi malin Hira. Kjo ishte thjesht feja e vjetër e Zotit, që kishte zbritur vazhdimisht, por e cila i ishte besuar të Dërguarit Muhamed për t’ua përcjellë jo vetëm arabëve, por të gjithë njerëzve të botës. Kjo fe tashmë e “re” nuk kishte filluar në malin Hira, por në ditën e Krijimit, sepse edhe vetë Kur’ani nuk deklaron
fshirjen e zbritjeve të mëparshme.2
Kur’ani është mrekullia e vetme dhe më e madhe të cilën Allahu xh.sh. e përcolli përmes Xhibrilit tek i Dërguari i fundit Muhamedi a.s, tek një i Dërguar, që siç e ka cilësuar edhe Gëteja Muhamedin në një dorëshkrim që mban datën 27 janar 1816, “Kreu i qenieve të krijuara”.
Zbritja e Kur’anit nga rrafshi i pa krijuar i realitetit në atë të krijuar u krye përmes rrezes ndriçuese të dritës së Shpirtit të Shenjtë, i personifikuar në Xhibrilin a.s. Krye – Engjëllin e Shpalljes dhe tutorin e Pejgamberit a.s.
Mrekullia që përshkon këtë libër dhe që ka një diversitet karshi një libri të rëndomtë, nuk ka të bëjë me karakteristikat gramatikore, sintaksore, gjë që mund të emetohen, por prania Hyjnore në çdo shkronjë, melankolia e një artikulimi të bukur, bashkërendimi i ngjarjeve, të gjitha këto janë të paimitueshme, janë mrekulli e vetëm një koleksionuesi – Allahut xh.sh. Pejgamberi a.s. nuk kishte kurrfarë kontrolli mbi rrjedhën e shpalljes. Kur’ani i erdhi pavarësisht dëshirës së tij: ai as nuk mund ta shpejtonte ardhjen e vargjeve dhe të kapitujve, dhe as ta shtynte atë për më vonë. Realitetin e shpalljes ai e përjetonte si subjektivisht, ashtu edhe objektivisht. Xhelaludin Rumi, në veprimet e tilla që zbulojnë shumëllojshmërinë e interpretimit të Kur’anit ka vërejtur “të hequrit e mbulesës” nga Kur’ani dhe me atë rast ka thënë se kurrë nuk dimë me siguri nëse ndonjë mbulesë është “ajo e vërteta”.
Ai thotë: “Kur’ani është si gruaja e re e martuar. Madje edhe nëse orvateni t’ia hiqni perçen, ajo nuk do t’ju shfaqet. Nëse debatoni për Kur’anin, asgjë nuk do të zbuloni dhe nuk do të shijoni kurrfarë kënaqësie. Kjo është për shkak se mundoheni ta shkulni mbulesën, mirëpo Kur’ani nuk e lejon këtë. Duke përdorur dinakërinë dhe mashtrimin dhe duke u bërë të neveritshëm dhe të padëshiruar në sytë tuaj, ai ju thotë: ‘Unë nuk jam ajo që ju doni’. Dhe në këtë mënyrë ajo mund të shfaqet në çfarëdo forme.”
Shpallja kur’anore, të cilën Pejgamberi kishte filluar ta pranonte nga momenti i meditimit në malin Hira, kishte pasoja shpirtërore, psikike dhe fizike mbi Pejgmaberin a.s. Ky ishte një përjetim tronditës, sublim, i një prezence që mbushi të gjithë horizontin dhe prej të cilit “shpëtimi” ishte i pamundur. Ai tashmë ishte hedhur në një fushë që ai kurrë nuk e kishte imagjinuar, pjesa e sipërme e trupit të tij dridhej nga konvulsionet, vërshimi që përjetonte nga këto momente të kontaktit me Xhibrilin kishin ndikuar edhe në natyrën fizike të tij.
Me një rast, kur po i shpalleshin disa ajete të Kur’anit, trupi i Pejgamberit a.s. u bë aq i rëndë, saqë deveja mbi të cilën ishte ulur më kot përpiqej ta mbështeste barrën e shtuar me përshtatjen e këmbëve të veta. Në kohën kur u ndërpre shpallja, barku i devesë ishte ngjitur përtokë, ndërsa këmbët i kishte të shtrira (Hadith).3
Njëherë Pejgamberi a.s. pati deklaruar: “Asnjëherë nuk mora një mesazh pa kujtuar se shpirti u shkul prej meje”. Sidoqoftë, krahas të gjitha vështirësive që kishte pasur gjatë këtij misioni në pranimin e shpalljes nga Pejgamberi a.s, Kur’ani u bë në një shpirt të pastër, pa kurrfarë pengesash që do ta errësonin rrezatimin e shpalljes. “A nuk ta hapëm kraharorin dhe ta hoqëm ty barrën”.4
S’do mend, duhet të jetë e vështirë të shkruhet për një libër – mrekulli, dhe që nuk është as i ngjashëm, por as nuk krahasohet me ndonjë libër
tjetër, por meqë u drejtohet krijesave atëherë, duhet bërë përpjekje për ta kuptuar brenda suazave të asaj që kuptohet. Për Kur’anin ka folur vetë Kur’ani, por kanë dhënë përshkrime dhe shumë kuptimësi edhe hadithet e
Pejgamberit a.s. Në pamundësi (për natyrën e shkrimit) për të përmbledhur të tëra ajetet dhe hadithet që flasin në këtë drejtim një pjesë prej tyre, pra, vetëm disa ajete kur’anore, hadithe dhe emërtimet që i bëhen në tekstet hyjnore Kur’anit, janë të përfaqësuar një numër i madh i karakteristikave të Fjalës Hyjnore, të cilat njëkohësisht mundësojnë edhe qasje më të mirë njerëzore në kontaktin me Kur’anin.
Kur’ani për Kur’anin në disa ajete thotë: “Ne të zbritëm ty librin me plot të vërteta, që të gjykosh mes njerëzve me atë që të mësoi Allahu...”. 5
“Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij”.6
Kur’ani e përshkruan veten edhe “Kur’an i nderuar në librin e fshehtë”.7 “Kur’an i lavdishëm në tabelën e mbrojtur”.8, së këndejmi edhe hadithet e Pejgamberit a.s. flasin për Kur’anin, për shkakun e zbritjes së Kur’anit, zbatimin e urdhrave të Kur’anit, formën se si duhet të lexohet etj. Pejgamberi a.s. thotë: “Unë juve ju lash dy gjëra. Nëse ju u përmbaheni atyre, nuk do të devijoni: Librin e Allahut dhe Sunnetin tim”. “Ata që dëshirojnë të dinë dijen e të parëve dhe të pasmëve le të lexojnë Kur’anin”.
Kur'ani me ne retrospektivë
Jemi në një vit jubilar të përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe, përkujtim për një libër i cili është bazë themelore e fesë islame, e kulturës dhe qytetërimit në përgjithësi. Është platformë e vetme
që unifikon gjithë besimtarët muslimanë kudo që janë. Kur’ani, si një libër i pakrahasuar gjatë gjithë kohëve qysh nga fillimi i zbritjes, kishte edhe interesimin e njerëzve nga të gjitha anët e botës, pra një qasje që nuk i interesonte vetëm botës arabe, por mbarë botës në përgjithësi. Të gjithë të interesuarit, nuk kishin qëllim të njëjtë, disa e studion për ta kuptuar thelbin e Kur’anit dhe për ta kënaqur shpirtin nga bukuria që përmban ky
libër, të tjerët iu qasën në mënyrë tendencioze për qëllimet e tyre antiislame. Sidoqoftë, sot Kur’anin e kemi një libër të kompletuar pa asnjë fije dyshimi. Sot, nuk ka popull në botë që këtë libër nuk e ka të përkthyer në gjuhën e tij. Edhe shqiptarët, pavarësisht rrethanave, izolimeve, okupimeve të njëpasnjëshme si dhe konflikteve që përjetonin nga armiqtë, në veçanti nga vendet fqinje, në këtë drejtim nuk mbeti mbrapa. Përderisa te popujt e tjerë të Evropës Kur’ani ishte përkthyer nga të krishterët, shumica e të cilëve ishin orientalistë specialistë për gjuhën e kulturën orientale në përgjithësi dhe atë arabe në veçanti, dhe përkthimit të Kur’anit i ishin qasur për çështje misionare me qëllime antiislame, Ilo Mitko Qafëzezi përkthimit të Kur’anit i hyri që t’u ofronte vëllezërve të tij të gjakut që i përkisnin fesë tjetër-fesë islame. Në faqen e brendshme të kopertinës është dhënë përkushtimi i përkthyesit: “Bashkatdhetarëve kombëtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u dedikohet.9
Kur'ani sot
Duket se ka qenë e vështirë, madje edhe e pamundur që një gjuhë, siç është gjuha e Kur’anit, u bë problem serioz për shumë përkthyes sepse e dimë se gjuha kur’anore krijon një botëvështrim (i cili është edhe religjioz), ndërkohë që s’duhet harruar që historia e tërësishme e gjuhës arabe, para se të “sanksionohej” me Kur’an si gjuhë e shenjtërisë dhe shpirtërores islame, ka qenë nën ndikimet e pareshtura të traditës monoteiste, e cila është zhvilluar në ind të gjuhës hebreje, si edhe të gjuhëve tjera, me të cilat korrespondon “gjenetikisht” dhe gjeografikisht.10
Rrjedhimisht, gjuhët janë të ndryshme dhe “ndryshueshmëria e gjuhëve dhe e ngjyrave të njerëzve është argument i Zotit”.11
Sot, meqë e kemi Kur’anin në gjuhën shqipe, do të thotë se ky Kur’an në vete pos një përkthimi që hera-herës është përkthyer vetëm nga kuptimi sintaksor, duhet parë si një rezultat dhe si një event shumë të rëndësishëm për besimtarët muslimanë shqipfolës.
Meqë të mendosh do të thotë të mendosh ndryshe, përkthimi dhe komentimi janë diçka tjetër, diçka e ndryshme nga origjinali. Nëse në përkthimin dhe komentim të Kur’anit mendoj për atë çka flet Kur’ani, unë mendoj ndryshe nga ajo se si është shpjeguar në origjinalin kur’anor, thjesht për faktin se gjuha ime ndryshe e organizon botën (madje edhe botën e përkthyer dhe të komentuar), përfundon Enes Karic.
Sidoqoftë, përkthimi i Kur’anit që nga fillimi i historisë së vet nuk ka mundur asnjëherë të shterohet me gjykimet teologjike mbi “pamundësinë” e përkthimit, duke e quajtur madje të gabueshëm ndërmarrjen e një përkthimi të tillë. Por, pavarësisht të gjitha këtyre fushatave, Kur’ani është përkthyer në të gjitha gjuhët e botës.
Nuk do të hyjmë në çështjen e të dhënave statistikore rreth historikut
të përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe, por me pak fjalë do të shtrojmë se edhe te ne, fillimisht, ka ekzistuar rezistenca rreth përkthimit të Kur’anit. Mirëpo, mund të theksohet se kjo rezistencë ishte jetëshkurtër, sepse çështja shkoi më tepër jo a të përkthehet Kur’ani, por si të përkthehet ai më mirë dhe çfarë metode e rruge të ndiqet gjatë përkthimit. Por, rezistenca e ulemasë shqiptare rreth mos/përkthimit të Kur’anit ishte e arsyeshme, sepse në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX populli shqiptar ballafaqohej me ndikime politike, ushtarake, ekonomike dhe kulturore të shumta e të fuqishme perëndimore nën dirigjimin e kishës katolike dhe lindore, nën dirigjimin e kishës ortodokse.
Latinizimi dhe sllavizimi i aspekteve të ndryshme të jetës ndër shqiptarët e shtyri ulemanë e vendit të ketë drojë nga risitë në pikëpamje të fjalës së shkruar, sepse gojarisht qysh më herët bëhej përkthimi dhe interpretimi i Kur’anit dhe të të vërtetave fetare në gjuhën shqipe dhe gjuhët tjera të vendit.12
Cituar sipas Dr Ismail Bardhit, disa autorë vonesën e përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe e shohin si provë të konceptimit të ulemasë së vendit mbi pamundësinë e përkthimit të Kur’anit në gjuhë të tjera.13
Pavarësisht të gjitha situatave që ka kaluar Kur’ani, qoftë në ruajtjen e tij në origjinalitetin të cilin e ka edhe sot (dhe do ta ketë)14, por edhe në atë të përkthimit që i janë bërë, muslimanët e kanë të vetmen pikë referimi për çdo sjelle të jetës njerëzore. Madje, cituar sipas Dr. Metin Izetit, “qëllimi i Kur’anit para se gjithash është përqendruar në dy momente themelore:
1) Në lidhshmërinë e njeriut me Zotin e tij dhe
2) Në lidhshmërinë e njeriut me shoqërinë njerëzore.
Sipas aspektit të parë, njeriu nëpërmjet të Kur’anit formon lidhshmërinë me Zotin e vetëm dhe që e pranon natyra njerëzore, e konfirmon njëshmërinë e Zotit të vërtetë me bindje për t’i eliminuar të gjitha llojet e zotave të rrejshëm dhe që i dalin në rrugë këtij qëllimi.
Sipas aspektit të dytë, njeriu e formon lidhshmërinë me shoqërinë për ta kompletuar mënyrën e solucionit të vetëm të problemit të kontrastit dhe për ta realizuar në të njëjtën kohë edhe drejtësinë hyjnore...”15
Kur’anin e lexojnë mijëra shqiptarë kudo që ndodhen, e ruajnë si librin më të çmuar, e vendosin më lart karshi çdo libri tjetër, e ruajnë në sirtarët më të bukur. Është libër për të gjitha nevojat shpirtërore dhe një bibliotekë e shenjtë që jep libra të përshtatshëm për rrugët e për metodat e të sinqertëve dhe dijetarëve.16
Çdo xhami në Kosovë brenda vetes ruan dhe kultivon institucionin e mësimit të leximit të Kur’anit nga gjeneratat e reja, organizata të shumta me qëllime sublime kanë krijuar kurse për mësimin e leximit të Kur’anit, brenda vetë Medresesë funksionojnë edhe garat e leximit të bukur të Kur’anit, të cilat mbahen çdo vit dhe tashmë kanë krijuar një traditë. Të gjitha këto janë vetëm një dëshmi se Kur’ani asnjëherë nuk do të shuhet në këto troje, jo vetëm se i Madhi Zot ka garantuar për ruajtjen e këtij libri, por pikërisht edhe prej faktit se janë besimtarët ata që e kultivojnë dhe e transmetojnë brezni pas breznie. Një praktikë të tillë muslimanët e morën nga as’habët e Pejgamberit a.s., ndërsa këtë praktikë ua mësuan edhe të tjerëve, shpeshherë duke e bërë leximin e Kur’anit jo si një libër
fabul ose tregim interesant, por si një mrekulli që nuk ka të ngjasuar me asnjë libër tjetër. Si përfundim i kësaj që u tha, dua të përmend vetëm shembullin e Gëtes. “Shileri, në një letër për Kimbelin që mbart datën 22.02.1815, tregon se Gëteja u lexonte me zë të lartë anëtarëve të familjes së Dukës së Vajmarit dhe miqve të tyre përkthimin e Kur’anit në gjuhën gjermane nga Jozef fon Hameri dhe se vetë Shileri, bashkë me të shoqen, kishin marrë pjesë në një takim të tillë.17 Për Gëten Kur’ani është, thjesht, libri i librave (Das Buch der Bucher).
* Respekti i Gëtes për Kur’anin shkon deri aty, saqë ai, në moshën shtatëdhjetëvjeçare, shkruan se synon të festojë “Me respekt atë natë të shenjtë, në të cilën Profetit iu soll Kur’ani nga lart”, Edvin Cami, fq. 63.
1. Ismail Bardhi. Kriza e teologjisë muslimane shqiptare, Shkup, 2009, boton “Logos – A”, fq. 56.
2. Karen Armstrong, Muhamedi një biografi e Profetit, Tiranë, 2006, fq. 110.
3. Ismail Bardhi. Kriza e teologjisë muslimane shqiptare, Shkup, 2009, boton “Logos – A”, fq. 59.
4. El-Inshirah 1-2.
5. En - Nisa, 4:105.
6. El - Hixhr, 15:9
7. El Vakia, 76-77.
8. El Buruxh, 22.
9. Cituar sipas Ramdan Shkodrës. Nisma e përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe nga Qafëzezi – vepërmonumentale e kulturës islamo – shqiptare. Në www.forumishqiptar.com
10. Enes Karic, Si të komentohet Kur’ani, pa vit botimi, Boton Fakulteti i Studimeve Islame – Prishtinë, fq. 46.
11. Kur’ani XXX: 22
12. Cituar sipas Nexhat Ibrahimit, Mbi përkthimin e Kur’anit, në www.zeriislam.com
13. Ismail Bardhi, Hafëz Ibrahim Dalliu dhe ekzegjeza e tij kur’anore, Shkup, 1998 fq. 110, fusnota 195.
14. “Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij” Hixhr, 15:19
15. Metin Izeti, Ethet e metafizikës, pa vit botimi, Boton shoqata kulturore “Skofia”, fq. 138.
16. Musa Musai, Psikologjia e identitetit fetar, Gostivar, 2005. fq. 209.
17. Edvin Cami, Gëtejames Perëndimit dhe misticizmit oriental, Tiranë, 2009. fq. 63.
Emine A. Vezaj
0 Comments