PASTRIMI I MUHAMEDIT a.s.
Pastrimin e të Dërguarit s.a.v.s. e kanë bërë: Abasi, djemtë e Abasit Kasumi dhe El-Fadli, Aliu, Usame bin Zejd, Evs bin Havli dhe Shukrani robi i liruar nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s.
El-Abasi, Fadli dhe Kasumi e kthenin trupin e të Dërguarit s.a.v.s. që të pastrohet më lehtë, Usame dhe Shukrani qitnin ujë, ndërsa Evsi e mbante në gjoksin e vet.
I tërë pastrimi është bërë, por pa ia hequr petkat të Dërguarit a.s., ashtu siç e kishte këmishën e veshur, i hidhnin ujë mbi këmishë e fërkonin me dorë mbi këmishë, e jo nën këmishë, por kjo larje ka qenë specifike e të Dërguari s.a.v.s.
Shehidi nuk pastrohet, por mbulohet me rrobat e përgjakura dhe me kefin, sepse gjaku do të dëshmojë te Allahu në Ditën e Kijametit, ndërsa era e tij do të jetë më aromatike se era e miskut, sepse Muhamedi a.s. në hadith ka thënë për shehidët:
Mos i pastroni sepse çdo plagë, çdo gjurmë dhe çdo pikë e gjakut të tyre do të fryjë erë misku në Ditën e Kijametit”.
(Ahmedi me sened Sahihë)
Lejohet bashkëshortja për ta pastruar (gusl) bashkëshortin sepse kurorëzimi i saj vazhdon sa zgjatë ideti, e ideti është katër muaj e dhjetë ditë.
Po ashtu e dhe e shkurorëzuara me të drejtë kthimi (Talak Rexhij) nëse ende është në idet, lejohet që ta pastrojë (gusl) të shkurorëzuarin e saj.
Fëmijën e vogël (Sabijën) qoftë mashkull, qoftë femër lejohet për ta larë i rrituri apo e rritura.
Sakti (i linduri para kohe dështaku) nëse lindë i gjallë (shenja gjallërie)
farz është gusli, pa marrë parasysh ka lindë para kohe ose pas kohe.
Sakti (i linduri para kohe dështaku) nëse lindë i vdekur
– nëse fëmija ka formë, atëherë gusli është farz.
– nëse fëmija nuk ka formë, atëherë nuk është farz gusli, por mund të lahet.
Në të gjitha rastet fëmija duhet të emërohet.
Nëse gjendet pjesa më e madhe e trupit, farz është gusli i të vdekurit.
Nëse gjendet gjysma e trupit me kokën, farz është gusli.
Nëse vdes gruaja kurorëzimi zhvleftësohet, ajo është e huaj, andaj burri nuk ka të drejtë ta pastrojë, ndërsa nëse vdes burri, gruaja ka të drejtë ta pastrojë atë, sepse ajo ende është në idet kështu që kurorëzimi vazhdon.
Nëse burri e ka lëshuar gruan, mirëpo ka të drejtë kthimi (kurorëzimi i parë dhe i dytë) dhe ende është në idet, atëherë ka të drejtë për ta pastruar.
Nëse burri e ka lëshuar gruan, mirëpo është shkurorëzimi i tretë (BAIN), nuk ka të drejtë për ta pastruar edhe nëse ende është në idet.
Nëse vdes femër dhe nuk ka femra tjera për ta larë, atëherë mashkulli (Muhrim) i cili e ka të ndaluar për t’u martuar me të i jep tejemum fytyrës dhe duarve deri në bërryla, mirëpo nëse nuk ka në atë mes muhrim (i cili e ka të ndaluar martesën me të), atëherë i jep tejemum, por tejemumin ia jep duke vendosur në duar dorëza, harrën apo diçka tjetër dhe i mbyll sytë dhe i jep tejemum duarve deri diçka më thellë se shuplakat.
Kështu vepron edhe burri i saj (i të vdekurës), sepse ai konsiderohet i huaj për të, mirëpo ai ka të drejtë ta shikojë edhe më thellë se shuplakat, pra deri në bërryla.
Nëse vdes një mashkull dhe nuk ka meshkuj tjerë, atëherë mund ta lajë ndonjë femër (e vjetër f.v.) e cila nuk ka ndjenja martese, mirëpo nëse nuk ka femra të tilla, atëherë i epet tejemum fytyrës dhe duarve deri në bërryla duke i mbyllur sytë.
Në të gjitha rastet, pra nëse vdes mashkulli në mesin e femrave dhe pastrohet, dhe nëse vdes femra në mesin e meshkujve dhe pastrohet, atëherë gusli (pastrimi i tyre) pranohet, pra është i vlefshëm, mirëpo është bërë një mëkat.
0 Comments