Ndër zonat më të prekura janë vendet dhe popullsia muslimane. Shkencëtarët thonë se gjera të tilla ndodhin njëherë në disa shekuj. Ata këto ndodhi ia përshkruajnë faktorëve të ndryshëm, sikurse nxemjes globale, ndeshjes së pllakave kontinentale, prishjes së shtresës së ozonit, etj., kurse besimtari këtë e arsyeton me fjalët e hazreti Aliut r.a., i cili thotë:
“Ndëshkimi nuk do të ndodh përveç për shkak të mëkatit dhe ndëshkimi nuk do të hiqet përveç duke u penduar.”
Pajtimi i muslimanëve me të këqijat në mjedisin e tyre, pjesëmarrja e tyre në mëkate dhe indiferenca e përgjithshme për ta penguar të keqen, tërheq përgjegjësinë dhe sprovat nga Allahu i madhërishëm:
“Edhe ata që ishin para tyre vënë intriga. Po All-llahu rrënoi themelndërtimet e tyre (intrigat) dhe kulmi u shemb mbi ta, dhe ashtu u erdhi dënimi kah nuk kuptuan.”. (En-Nahl, 26).
Çudia e Cunamit në Azinë Juglindore, shtrëngatat rrënuese në SHBA dhe në kontinentin amerikan, janë vetëm një pjesë nga e vërteta absolute e Allahut:
“Neve nuk na pengoi asgjë që t’u sjellim argumente (mrekulli), pos asaj që ata të parët i përgënjeshtruan ato. Ne i dhamë Themudit devenë (mrekulli) konkrete, e ata e mohuan atë. E mrekullitë (ose fenomenet natyrore që shkatërrojnë), Ne nuk i dërgojmë për tjetër vetëm për frikësim.”. (El-Isra’, 59).
Viktimat dhe rrënimet nëpër pjesë të ndryshme të botës, sidomos nëpër vendet muslimane, tregojnë se duhet të ruhemi që me sjelljet tona mos ta sfidojmë dënimin e Zotit, sepse dënimi vjen fuqishëm dhe pa paralajmërim:
“A mos u siguruan banorët e fshatrave nga dënimi jonë kur ata ishin duke fjetur (natën)? A mos u siguruan banorët e fshatrave nga dënimi jonë para dite kur ata ishin duke luajtur? A mos u siguruan ata prej ndëshkimit të All-llahut? Nuk sigurohet kush prej frikës së ndëshkimit të All-llahut pos njerëzve të humbur.”. (El-A‘râf, 97-99).
Kur në kohën e Omerit r.a. ndodhi një termet në Medinë, ai e mblodhi popullin dhe u tha:
“O njerëz, nëse këtu sërish ndodh tërmeti, unë do të iki nga mesi juaj!”
Vërejtja e Omerit r.a. ishte se të gjithë besimtarët duhet ta rregullojnë jetën dhe sjelljet e tyre në pajtim me udhëzimet e ndritshme.
Në këtë fakt jep shenjë edhe porosia e Muhammedit a.a., të cilën e transmeton Ebu Hurejre r.a.:
“Muhammedi a.s. tha: “Dita e kiametit do të ndodh kur të humbë dija (fetare), kur të shpeshtohen tërmetet, kur të kalojë koha shpejt, kur të shpeshtohen sprovat, kur të ndodhin vdekje të pakontrolluara (herxh) të njerëzve të pafajshëm dhe kur të ketë aq pasuri sa ajo do të jetë tepricë në botë.” (Buhariu).
Shumë njerëz kanë mbetur pa asgjë. Shumë fshatra dhe qytete janë zhdukur apo dëmtuar jashtë mase, Vendbanimet dhe fushat pjellore janë mbuluar me baltë, rërë dhe ujë. Popullsia nuk ka ujë të pijshëm, ushqim dhe veshmbathje. Andej-këndej përpiqen t’i gjejnë më të dashurit e tyre dhe t’i varrosin. Muslimanët janë viktimat më të shpeshta, si për shkak të vendbanimeve të ndërtuara dobët, si për shkak të mungesës së masave mbrojtëse nga ujërat e mëdha ashtu edhe për shkak të rrënimit moral e shoqëror të tyre. Muslimanë të vdekur kemi në Filipine, Indonezi, Kosovë, Bosnjë, Çeçeni, Tajlandë, Sudan, Somali, Kinë, Irak e Afganistan .......... Muslimanët duhet të ndihmojnë, së paku, të mbulohen pasojat më lehtë. Kemi për detyrë që ta dëshmojmë solidaritetin islam aq shpesh të përmendur mes veti, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë global.
Muhammedi a. s. thotë:
“Kush ia lehtëson besimtarit një vështirësi në këtë botë, Allahu do t’ia lehtësojë atij një vështirësi në botën tjetër. Ndihma e Allahut do të zgjasë deri sa njeriu e ndihmon vëllanë e tij.” (Buhariu dhe Muslimi).
Në këtë na nxitë edhe Allahu i madhërishëm në Kur’an:
“Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara....” (El-Ma’ida, 2).
Para dhe gjatë ndihmesës së të tjerëve, kujtoni familjarët tanë para disa vitesh, kur prisnin ndihmat e të tjerëve, kur ishim të uritur e të frikësuar. Muhammedi a.s. ka thënë:
“Nuk është prej neve ai që fle i ngopur, kurse fqinji i tij është i uritur kurse ai e di këtë.”
Allahu na ndihmoftë në punë të mira, kurse të dëmtuarve mirëqenie dhe kthim besimit të mirëfilltë.
0 Comments