Nuk vonoi shumë dhe i erdh përgjigjja nga Zoti i tij, me anën e engjëjve: "Nëse ke dëshirë, atë popull e shkatërroj"! Por, Profeti i mëshirës e refuzoi një gjë të tillë duke thënë: "Shpresoj që nga ata të dalë ndokush që do ta adhurojë All- llahun pa i bërë Atij shok"![1] Përse e fillova në këtë mënyrë shkrimin tim kushtuar atyre që frikësohen kaq shumë, ditëve të fundit, për Shqipërinë nga "rreziku islam"? Për një arsye të vetme: Sepse, në shumë raste duhet të falim e të mëshirojmë ata, të cilët për një arsye a një tjetër me dëshirën e mirë për të rregulluar, prishin. Por nëse vërejmë se qëllimet e tyre janë me të vërtetë prishja, atëherë mundohemi të ruhemi me sa qytetari që të mundemi nga ata dhe rreziku i tyre, madje të vëmë në dijeni edhe opinionin publik me fakte dhe argumente të qarta e të palëkundura! U bë kohë që kumonat e sulmeve të ndryshme mediatike po bien kundra Islamit në vendin tonë, pa të drejtë! Sikur të mendonin më thellë ata që ndjekin këtë politikë jo të natyrshme, për vetë pozicionimin e vendit tonë karshi botës dhe jo të logjikshme karshi atyre miliona shqiptarë myslimanë nëpër botë, si dhe për dëmet morale dhe mbjelljen e hasmërive ndërmjet vëllezërve të tyre shqiptarë të një gjuhe e një gjaku, pa dyshim se nuk do ta vazhdonin më lojën e tyre të fjalëve dhe do të pendoheshin! Nganjëherë ndodh që për një sinjal të rremë, një informacion të shtrembëruar a për një paraqitje hipokrite, ndokush të krijojë bindje të gabuara për një ngjarje, një vend, një mendim, një grup fetar a një fe në tërësi. Mirëpo me studime objektive dhe dialog ndërtues, çdo e paqartë bëhet e qartë dhe çdo hije dyshimi në zemër largohet duke u zëvendësuar me bindje të plotë e kënaqësi të ndërsjelltë. Kush kundra kujt? Kjo është një pyetje që të shkon ndër mend, sapo dëgjon a sheh se në mes të dy individëve a grupeve po dëgjohen zhurmë, debate a shikime të egra e të nxehta… Dy shqiptarë kundra njëri- tjetrit, ose disa shqiptarë kundra një mase shumë më të madhe shqiptarësh. Po përse? Për një kundërshtim mendimi që ka tendenca të arrijë në një imponim të dukshëm të një mendimi! Po a ia vlen që për një keqkuptim në të menduar e në të shprehur, shqiptarët të vazhdojnë akoma lojën e tyre të llafeve, ndërkohë që karvani i qytetërimit botëror ka ecur e po ecën shumë me hov përpara, çdo ditë që kalon? Përse ta emërtojmë si problematik Islamin e shqiptarëve, duke marrë parasysh respektimin e kësaj feje dhe të ithtarëve të saj në ato vende që konsiderohen sot simbole të lirisë e qytetërimit, si ShBA, Anglia, Gjermania, etj. ? Nëse në Amerikë, në ndonjë prej sallave të Capitolit, ditën e premte kongresmenët myslimanë falin xhumanë[2], përse të na bëjë përshtypje ringjallja e mësimeve islame në këtë vend, ku Islami ka hyrë në zemrat e mendjet e njerëzve që shekuj më parë? Përse të ngrihen një grup njerëzish, në shumë raste ateistë dhe t'u jipet mundësia që nëpërmjet mediave të ndryshme të derdhin mllefin e tyre kundër Islamit e myslimanëve shqiptarë, sikur të ishte ky Islam një risi e re e ardhur në Shqipëri pas hapjes së saj me botën? Sikur të ishte ky Islam një shpikje e re e palogjikshme dhe një ideologji raciste, terroriste, diskriminuese e popujve e shkatërrimtare e tyre? Po të qe kështu, do të na dilte për detyrë që të gjithë si shqiptarë të ngriheshim për ta mënjanuar këtë problem të madh shoqëror, për të mirën e shoqërisë tonë, edhe pse sensibilizimi shoqëror në këtë vend pothuajse po zhduket! Por nuk është kështu, pasi ky Islam është po ai që myslimanët shqiptarë filluan ta harronin nga egërsia komuniste, nga mos lejimi i mësimeve fetare, nga humbja e literaturës, nga drejtimi ateist e materialist i politikës së atëhershme komuniste dhe nga vdekja e njerëzve të ditur, derisa nga ky Islam mbeti vetëm hallva për Netë të Mëdha, zbukurimi për Bajram dhe synetllëku i fëmijëve të vegjël! Përse në këtë millenium të ri, individë të ndryshëm në shoqërinë shqiptare të luajnë rolin e taiflive të kohës profetike, ndërkohë që bota është zvogëluar e informacioni ka hyrë në çdo shtëpi e ne nuk jetojmë në një zonë Saharaje që të mos dimë lëvizjet dhe mendimet e reja e të vjetra në skenën e ngjarjeve botërore? Jo se unë jam kundra dialogut për të sqaruar koncepte të ndryshme rreth Islamit, por jam absolutisht kundra hapjes së fronteve antiislame në një vend si Shqipëria! Përse? Sepse a i shërben kjo integrimit të vendit tonë në listën e vendeve përparimtare e të qytetëruara, ku respektohen të drejtat e njeriut dhe e drejta e besimit dhe e praktikimit të fesë në liri, pa cënuar të drejtat e tyre? Pa dyshim që nuk i shërben aspak! Atëherë a nuk duhet të distancohemi nga thirrjet e sëmura dhe jologjike dhe të merremi me ndërtim, kleriku e qeveritari, fetari e individi i thjeshtë, për hir të asaj dite të afërt, kur edhe shqiptarët të jetojnë, ashtu si i takon një njeriu bashkëkohor. Humbje kohe apo ndalim vrulli? Në një kohë që një pjesë e madhe e organizmave të ndryshme botërore, politike dhe joqeveritare po mundohen që me ndërhyrjen e klerit dhe bashkëpunimit me të, të luftohen fenomenet denigruese në shoqëritë njerëzore si: prostitucioni, droga, krimi i organizuar, pija, e shumë e shumë kobësi të tjera për tokën dhe njeriun, të konsiderosh sot si diskriminim të femrës mbulesën e saj dhe të merresh me të rinjtë që po afrohen çdo ditë e më shumë nga Zoti dhe rreth institucioneve që u mësojnë atyre moralet e fesë, më duket absurde dhe humbje kohe, ose frikë nga një revolucion moralo- shpirtëror në një shoqëri si ajo shqiptare! Për të folur reth konceptit të mbulesës së femrës nga librat hyjnorë, do të më duhet kohë dhe do të largohem shumë nga tema, megjithatë meqë ra rasti, nuk po lë pa përmendur disa arsye që justifikojnë konsiderimin e pretendimit të mësipërm si absurd e jo normal, duke u nisur nga pozicioni im si teolog: Mbulesa e femrës, qoftë në Islam apo gjetkë, në radhë të parë është simbol i pastërtisë dhe ruajtjes nga imoraliteti, sjelljes fisnike në rrugë e çdo mjedis dhe mbi të gjitha shenjë e lidhjes me Zotin Krijues. Femra, e cila pranon të mbulohet me vullnet të lirë, jo me shpatë e për një rrogë mujore a pension të përkohshëm, siç u pretendua dhe pretendohet ende nga disa, duhet që më parë ta njohë Zotin e saj, ta dojë Atë, të kalojë në fazën e bindjes ndaj mësimeve të Tij e më pas të kalojë tek shamia që e konsideroj si një konkluzion shumë domethënës! E mbuluara, nga ana tjetër është garanci për qytetërimin e shoqërisë, në të cilën ajo jeton, sepse mësimet islame dhe përgjegjësia e shamisë dhe lidhja e saj me fenë e përparimit dhe dijes, e detyrojnë atë të jepet pas studimeve, dijes, kërkimit dhe përkushtimit në çdo fushë për të arritur rezultate të larta e suksese të njëpasnjëshme në jetë, për veten dhe shoqërinë e saj, jo për të justifikuar shaminë, natyrisht! Nga ky këndvështrim, a nuk do të dëshironim të gjithë ne që koncepti i mbulesë së femrës myslimane të përhapej gjithandej e të shihnim më pas fillimin e një fryme të re ndërtuese në vend e në shoqëri? Unë nuk e di se si mund të krahasohet logjikisht mbulesa e trupit me një gjoks gjysëm të dalë e një fund të çarë e tërheqës që fundja e fundit të josh e të tërheq? Këto janë shenjat dhe hapat e para drejt adulterisë materiale e asaj intelektuale! Në shumë vende të librave hyjnorë po të kërkojmë, do të gjejmë paralajmërimet për adulteri dhe rrezikun e saj, si psh: Para më shumë se 14 shekujsh, Kur'ani predikonte dhe vazhdon të predikojë: "Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë shumë e keqe".[3] Por edhe Bibla, shumë kohë më parë predikonte të njëjtat mësime: "Mos e çndero e mos e jep në lavirësi vajzën tënde që të mos fëlliqet toka e të mos mbushet me kobësi".[4] Sot më tepër se kurrë drejtuesve të institucioneve fetare dhe klerikëve në përgjithësi, u del si detyrë që të nxisin përherë e më shumë dashurinë e besimtarëve ndaj njëri- tjetrit dhe ndaj pastërtisë morale, në mënyrë që të gjithë besimtarët shqiptarë të kontribuojnë për integrimin e vendit të tyre drejt qytetërimit të mëtejshëm. Sot në vend që të shqetësohemi për problemin e drogës, shtëpive publike, nxirjes së zemrave si pasojë e largimit të tyre nga mësimet e pastra që zbresin nga qielli, ndotjes së mjedisit dhe ruajtjes së ekologjisë, varfërisë dhe shkatërrimit të familjes shqiptare, në vend që të interesohemi për ruajtjen e mjediseve publike, të shqetësohemi për problemet e infrastrukturës, internetit dhe energjisë elektrike, disave u bie ndër mend të merren me Islamin, fenë e paqës, dijes, përparimit dhe mirëqenies së individit në vetvete dhe shoqëri! Më duket jo normal ky fakt! Sidoqoftë, adhuruesve të "Diksionerit të fondamentalizmit" dhe ithtarëve të tij, do t'u kisha rekomandur miqësisht që në vitrinat e librarive të Parisit, sepse në Shqipëri s'besoj se do t'i gjejnë në tërësi, të kërkonin edhe për libra të tillë, si: · "Historia e civilizimit", nga Wil Djurant. · "Dielli arab shkëlqen nga perëndimi", nga Zigrid Honke, i përkthyer edhe në shqip. · "Civilizimi i arabëve", nga Gustav Lobon. · "Historia e popujve islamë", nga Karl Brokelman, e shumë libra të tjerë si këto, të shkruar nga dijetarë perëndimorë, të cilët me objektivizmin e një intelektuali mendjekthjellët, shkruajnë dhe sqarojnë shumë koncepte të gabuara rreth Islamit. Dëshira e mirë e lexuesve të këtyre librave për të arritur tek e vërteta, mund të bëjë që ata ta shohin atë me sy, se përkundrazi do të vazhdojnë të jenë "adhurues" të "Diksionerit"!? Me leximin e tyre, mendoj se shumë mendime negative rreth kësaj feje qiellore, do të ndryshojnë, ose kështu lutem e shpresoj! Në vend të mbylljes Ka shumë çështje të padiskutuara ende, si pasojë e humbjes së dialogut ndërtues në mjediset tona dhe marrjes me debate të sëmura. Por, kryesorja është që shqiptarët e pastër besimtarë të mos shqetësohen, kur shohin a dëgjojnë se akoma edhe sot pasojat e revolucionit kulturor komunist, kanë lënë shenjat dhe pasojat e tyre në masë! Vetëm dialogu dhe dëshira e mirë për të ditur e mësuar, mund të zgjidhë çdo paqartësi, sepse në të kundërt do të vazhdojmë të dëgjojmë këmbana të pafund sherresh e akuzash ndër besimtarë! Problemi që duhet të na shqetësojë realisht është mungesa e urtësisë në ato rrethe të shoqërisë sonë, ku inisiativat e djallëzuara për destabilizim, ngrihen në piedestal dhe inisiatorëve të tyre u shtrëngohen duart dhe u rrahen krahët për punën "e mbarë" që bëjnë. Myslimanët shqiptarë dhe të gjithë besimtarët në një Zot të Vetëm, më tepër se kurrë sot, duhet të forcojnë lidhjet e tyre me Zotin dhe njëri- tjetrin që t'i japin një pamje edhe më të bukur vendit të tyre, drejt besimit të pastër dhe dashurisë së njeriut për vëllanë e tij njeri. Bibla predikon: "Në qoftë se ndokujt prej jush i mungon urtia, le t'ia lypë Hyjit, i cili gjithkujt i jep me ëndje e pa fjalë dhe do t'i jepet. Por le ta kërkojnë me fe të gjallë, pa fare dyshimi, sepse ai që dyshon i përngjan valës së detit që e çon peshë era dhe e përplasë".[5] Ndërsa në Kur'an thuhet: "Ai ia dhuron urtësinë atij që do, e kujt i është dhënë urtësia, atij pra i është dhuruar mirësi e madhe, përveç të mençurve këtë nuk e kupton kush".[6] Shikimi i gjërave me objektivizëm bën që t'i kuptosh më mirë ato e të mos i hysh në hak as vetes, as ndokujt tjetër! --------------------------------------------------------------------------------
Fusnotat
[1] Ky hadith transmetohet nga Muslimi, ndërsa krejt kjo ndodhi është marrë nga Ebul Hasan en- Nedevi në "Es- sirretun nebevijje", fq. 147. [2] Fakt i vërtetuar nga Dr. Abdurr- Rrahman Amudi, president i Lidhjes së Myslimanëve të Amerikës, në një kumtesë mbajtur në Qëndren Kulturore Amerikane, në Damask të Sirirsë, në verën e vitit 2001, ku isha prezent. [3] Kur'ani: 17:32. [4] Levitiku: 19, 29, fq. 153. [5] Letra e Jakobit: 1, 5-6, fq. 1703. [6] Kur'ani: 2:269.
0 Comments