Advertisement

Responsive Advertisement

Ujgurët, pakicë tetëmilionëshe!!!

 

Ujgurët, pakicë tetëmilionëshe!!!


Përleshjet mes Ujgurëve dhe Han-Kinezëve shkaktuan jehonë të madhe në botë. Por, kush janë Ujgurët dhe kush janë Han-Kinezët? Pyetjet të cilat dëshmojnë se bota shumë pak e njeh këtë vend të Lindjes së Largët, ku pakicat janë të margjinizuara.

Kina vetëm në shikim të parë duket si një vend homogjen. Zyrtarisht ekzistojnë 56 nacionalitete të ndryshme, por Han-Kinezët janë dominantë. Numri i tyre arrin 1.1 miliard dhe përbëjnë 90% të popullsisë. Për këtë arsye të tjerët konsiderohen "pakicë nacionale".

Pakica më e madhe është populli jugokinez Zhuang, me mbi 16 milion njerëz. Si pakicë më e vogël janë pjesëtarët e Lhobit në Tibet, numri i të cilëve arrin deri në 3.000. Pakica më e njohur në Kinë janë tibetasit me afro pesë milion, pastaj Ujgurët, të cilët janë mbi tetë milion dhe Mongolët me afro gjashtë milion.



Popullzimi masovik i Han-Kinezëve

Pakicat jetojnë në dy të tretat e territorit kinez. Ndërkohë në të gjitha këto zona Han-Kinezët janë shumicë. Me fjalë të tjera, Kina zbaton politikën e popullzimit të Han-Kinezëve në zonat ku jetojnë pakicat. Han-Kinezët mendojnë se pakicat janë të prapambetur dhe barbar. Në kohën kur Mao-ce Tung ishte në pushtet, është tentuar zbatimi i asimilimit të pakicave, ku zakonet e tyre dhe shkrimet e vjetra janë ndaluar.

Në vitet e tetëdhjeta pakicave u janë dhënë disa të drejta formale - përmes ndryshimit të kushtetutës së vitit 1982 dhe të ashtuquajturit "ligj për autonomi" nga viti 1984. Sipas kësaj, pakicat fituan administrim të pavarur të institucioneve, por edhe në këtë rast partia ishte ajo që jepte fjalën e fundit. Ndërsa liderët e partive janë gjithnjë kinezët. Përveç kësaj, në Kinë nuk ekziston Gjykata kushtetuese, andaj nuk ekziston edhe mundësia që me anën juridike të kërkohet e drejta kushtetuese.

Në anën tjetër, pakicat i gëzojnë disa privilegje. Kështu, p.sh. nuk janë të detyruar t'i përmbahen politikës së një fëmie, e cila kinezëve nuk u lejon të kenë më shumë se një fëmijë, për të kufizuar rritjen e popullatës përtej kufijve të caktuar.

Pas trazirave në Urumqi, kryeqytet i krahinës kineze Xinjiang, ku si pakicë muslimane jetojnë Ujgurët, parashtrohet pyetja se si jetojnë Ujgurët, jo vetëm në Kinë, por edhe në ekzil?

"Myezinët në mbarë botën i thirrin ujgurët në lutje. Ata, afro 1.5 milion, jetojnë në Kazahstan, Kirgistan, Uzbekistan, Turqi dhe Arabinë Saudite", thotë Nurmamat Rozahun, anëtar i Kongresit Botëror të Ujgurëve (WUC). Shumica e Ujgurëve në ato shtet nuk janë refugjat politik. Por, situata është ndryshe për 2.000 prej tyre që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada, apo për 3.000 që jetojnë në Evropë. Sipas Kongresit Botëror të Ujgurëve 90% prej tyre në disa vite të fundit kanë ikur për shkak të represionit të cilën e zbaton qeveria kineze.



Numri më i madh i Ujgurëve jeton në Bavari

Qendra e diasporës së Ujgurëve gjendet në Evropë, në Minhen. Këtu jetojnë afro 500 prej 600 Ujgurëve që gjenden në Gjermani. Arsyeja është se gjatë viteve të shtatëdhjeta radioja amerikane 'Liberty' nga Minheni kishte emituar programin në gjuhën ujgure. Gjithashtu, në vitin 1991 në Minhen, është formuar organizata e tyre e parë në ekzil, ndërsa në vitin 2004 Kongresi Botëror i Ujgurëve. Prandaj ujgurët që emigrojnë nga Kina më së shumti vijnë në Bavari. Njëri prej ujgurëve më të njohur është Asgar Can, nënpresident i Kongresit Botëror të Ujgurëve. Ai shpeshherë flet për dilemat në të cilat gjendet numri më i madh i Ujgurëve që jetojnë në ekzil. Nga njëra anë ata janë të shqetësuar për familjarët dhe miqtë e tyre që kanë mbetur në Kinë dhe me shumë kënaqësi do të bisedonin me ata. Por, në anën tjetër, në këtë formë ata do ta rrezikonin vetveten.

"Njerëzit që na thërrasin, bashkatdhetarët tanë rrezikojnë jetën e tyre. Nëse do t'i kapnin ata do të dënoheshin me burg të përjetshëm apo edhe të vriteshin", thotë Asgar Can.



Armiku shtetëror?

Më e njohura prej tyre dhe më me ndikim është Rebiya Kadeer, presidentja e Kongresit Botëror të Ujgurëve. Ajo jeton në Washington dhe që nga shpërthimi i trazirave në Kinën Verilindore për qeverinë e Pekinit është armiku shtetëror numër 1. Ajo është akuzuar për provokimin e trazirave në provincën Xinjiang.

Së shpejti grupi më i vogël i Ujgurëve do të jetoj në Palau e cila ka pranuar ftesën e SHBA-ve t'i pranoj 17 Ujgur nga burgu Guantanamo Bay në Kubë.

Post a Comment

0 Comments