Advertisement

Responsive Advertisement

Armiqësitë evroperëndimore e shqiptare ndaj Islamit

 

Armiqësitë evroperëndimore e shqiptare ndaj Islamit

Shkruan: Nexhat Ibrahimi

Hyrje

Vetëdijësimi dhe rizgjimi i muslimanëve në botë por edhe në trojet shqiptare gjatë disa dekadave të fundit hodhi në sipërfaqe çështje me rëndësi të madhe religjioze, etike, kulturore, politike, sociale e nacionale. Shumë vlera dhe botëkuptime standarde u lëkunden, sepse, literatura e deritashme në botë e veçan në trojet shqiptare, në të gjitha fushat, Islamin krye­sisht e paraqet si fe regresive, violente, obskurantiste, fanatike, intolerante, aziatike, fe të pasioneve, të errësirës, fe të padijes dhe një varg epitetesh pezhorative. Në këtë pikëpamje nuk dallon literatura katolike, pra­vosllave dhe ajo laike prokristiane.

Mirëpo, derisa në disa qendra tjera ballkanike, në prezentimin objektiv të Islamit kanë ecur para, së paku në rrafshin individual, në Kosovë, Islami në të gjitha segmentet e tij, lëre që nuk është studiuar objektivisht për çka konfirmon realiteti nga shkolla fillore e deri në Universitet, por është bastarduar e çoroditur.1

Burimi i armiqësisë evroperëndimore dhe shqiptare ndaj islamit

Kur’ani paraqet fundin e intervenimit të Krijuesit te njerëzit. Ai pra­non pejgamberët e mëparshëm, pranon burimin hyjnor të li­brave të tjerë qiellorë, por njëkohësisht tregon në shtresimet historike në to dhe i plotëson. Me shpalljen e Kur’anit Krijuesi e ngriti njerëzinë nga organizimi komunitar primitiv në shkallën superiore, duke hequr dorë nga standardet e deriatëhershme primitive të njerëzisë për komunikim e bashkëpunim dhe duke e ngritur njeriun në pozitë dinjitoze, kurse çdo gjë nga bota e krijuar e vuri në shërbim të tij.2

Për këtë arsye, pas një shekulli të Islamit në skenën historike, muslimanët shtriheshin prej Oqeanit Atlantik deri në Kinë.3 Gjatë kësaj periudhe, duke iu falënderuar natyrës integruese të Islamit, të hapur ndaj të gjithëve e për të gjithë, e mbi të gjitha natyrës së tij të sinqertë e humane, muslimanët kanë “asimiluar në fenë e vet, në gjuhën e vet, e madje edhe në tipin e vet fizik më shumë të huaj se cilado racë tjetër para dhe pas saj, duke mos e përjashtuar atë helene, romake, an­glosaksone ose ruse.” 4

Suksesin e Islamit në rrafshin historik mbi të gjitha duhet kërkuar në faktin se ai si arabëve ashtu edhe joarabëve, nuk u është ofruar me metodën konservatoriste 5, as me metodën revolucioniste 6, e madje as me metodën reformiste7. Islami në vend të këtyre metodave të për­mendura më sipër ofron metodën e Muhammedit a. s.8, e cila përbëhet prej fjalëve të tij që i ka thënë, ligjeve që i ka miratuar, sjelljes personale dhe rekomandimeve të tij. Kjo metodë nuk pranon asnjë dobësi nga metoda konservatoriste, revolucioniste dhe reformiste, kurse pranon të gjitha pikat pozitive të tyre. Kjo është metoda e Muhammedit a.s. e cila nuk është si e Ibni Sinasë, as e Hallaxhit. As si e in­dividualistëve, as si e elitistëve, Muhammedi a.s. është vetëm përgjegjës për kuptimin e Shpalljes, është zëdhënës i lajmeve të rrugës së All-llahut, tregues i rrugës, por jo përgjegjës për përparimin në të. Nga njerëzit varet se a do ta zgjedhin atë shkollë apo jo. Kjo karakteristikë e bën Islamin të jetë shkolla e parë shoqërore e të menduarit, shkolla e parë që njerëzit i konsideron faktorë themelorë dhe fundamentalë të shoqërisë dhe historisë.

Shkolla islame nuk është nga ato shkolla që u flasin të diturve dhe intelektualëve, të shquarve apo një grupi të zgjedhur, një grupi apo race superiore, apo mbinjeriut; ajo nuk njeh grupe të privilegjuara.9

Atëherë: Prej nga burojnë armiqësitë evroperëndimore nëse Islami nuk është rrënues, përbuzës, ekskluziv e ekskomunikues ndaj të tjerëve, nëse Islami judeokristianët, librat dhe pejgamberët e tyre i pranon dhe i çmon si realitet religjioz e historik!!!

Disa faktorë të armiqësisë ndaj islamit
Populli i zgjedhur

Rrafshi i parë ku duhet kërkuar shkakun e krijimit të botëkuptimeve paragjykuese e tendencioze të evroperëndimit ndaj Islamit, duhet kërkuar në vetë natyrën e Judeo-kristi­anizmit në Bibël. Bibla pranon qartë superioritetin e hebrenjve ndaj popujve tjerë. Tradita hebraike karakterizohet me teorinë racore mbi popullin e zgjedhur. Kjo ka ndikuar që edhe Kisha kristiane e ka konsideruar veten trashëgimtare të asaj zgjedhshmërie: “Ju jeni racë e zgjedhur ... popull i shenjtë” (Letra e parë e Pjetrit, II, 9).10 Superioritetin e tyre hebrenjtë e shohin edhe në atë se ata “ndalojnë kamatën ndërmjet të vetëve, por e lejojnë me të huajt, duke pretenduar se ata nuk kanë ndonjë obligim ndaj atij populli injorant.” Përkatësisht, hebraikët lejojnë skllavërimin e të tjerëve, por jo edhe skllavërimin e racës së vet.11 Ky superioritet i tyre zinte fill edhe në trashëgiminë e lashtë letrare, në krenarinë nacionale dhe kulturore të tyre. Si pasojë e gjithë kësaj, ata çdo paraqitje hyjnore, çdo in­tervenim hyjnor në botën fenomenale pas Tevratit (Torës) e konsideronin si falsifikim të traditës biblike, ndaj, edhe pse Isai (Jezusi) ishte i tyre, ata nuk e pranuan atë për të dërguar të Zotit pas Musait (Mojsiut).12 Ngjashëm ndodhi edhe me Muhammedin a. s., misionin pejgamberik të të cilit nuk e njohën as Hebraizmi as Kristianizmi13.

Natyra militante e judeo-kristianizmit ka burim hyjnor

Dalja e Islamit si forcë konkurruese në skenën botërore bëri që si në Judaizëm ashtu edhe Kristianizëm të vijë në shprehje natyra e tyre përçmuese dhe përjashtuese, ndonëse judeokristianët, si atëherë ashtu edhe tash, me bollëk proklamojnë mesazhet e dashurisë. Në Ungjillin e Llukës thuhet: “... E kush më pra­non mua, e pranon atë që më dërgoi mua...” (Luka, 9:48), ose: “... E kush më përbuzë mua, e përbuzë atë që më dërgoi mua”. (Luka, 10:16).14

Ata që mbesin jashtë Kishës, ku bëjnë pjesë edhe muslimanët, nga dita në ditë do të ekspozohen para sprovave të intoler­ancës dhe dhunës, sepse Ungjillli thotë: “Kush nuk është me mua, është kundër meje, dhe kush nuk mbledh me mua, shkapërderdh.” (Mateu, 12:30).15

Në mbështetje të fjalëve biblike “... dhe detyroi të hy­jnë...” (Luka, 14:15-24), Kisha ka konkluduar se udhëzimi mund të imponohet me dhunë dhe se Kisha ka të drejtë të bëjë presion e ta terrorizojë shpirtin njerëzor, e ndaj atyre që refuzojnë, ata të ndëshkohen me ekskomunikim ose të digjen në zjarr.16

Islami ndërmjet shpresës për paqë dhe dhunës kishtare

Përkundër thënieve jotolerante e madje edhe ka­nosëse dhe represive të teksteve biblike, disa kronika lindore nga shekulli VII na shpiejnë të kuptojmë drejt një qëndrimi afirmativ të Islamit nga ana e kristianëve. Madje, kristianët monofizitë të Lindjes me dëshirë e pranuan pushtetin politik të pushtuesit arab, sepse prej tij prisnin tolerancë më të madhe17 se sa prej vetë shtetit qendror kristian.

Mirëpo, zhvillimi dhe zgjerimi i shpejtë i Islamit nxiti kthesë vendim­ta­re në tre kontinente: në Azi, Afrikë dhe Evropë, dhe nga themeli lëkundi fuqitë më të mëdha të asaj kohe: Bizantin dhe Persinë dhe shtetet përreth, që nxiti urrejtje të madhe.18

Kisha, e cila nga rënia e Romës më 476 forcohej suksesivisht, në shekullin VIII në tërësi kishte absorbuar segmentet e tëra ushtarake, politike dhe administrative të Romës. Kisha në atë kohë zhvillonte formulën: në skenën politike mbretërit janë sovranë, por, njëkohësisht, ata duhet ta njohin autoritetin shpirtëror të Kishës. Pas shumë përpëlitjesh midis Kishës dhe autoriteteve profane evropiane, ajo u forcua dhe erdhi në po­zicion ta marrë sundimin profan.19 Kështu, shekulli VIII e më vonë, karakterizohet me një njohje të vrazhdë të Islamit, sa madje Jean Damascenea në veprën e vet De Heresibus, Is­lamin ka tentuar ta identifikojë me një herezi arianite.20 Në anën tjetër, me kalimin e kohës, supremacioni papnor, përkatësisht Kristianizmi politik identifikohet me Perëndimin evropian, dëshiron të jetë organizëm politik, që, kjo është e qartë, ai më nuk është bashkësi e rëndomtë fetare. Pushtimet muslimane gjatë shekujve VIII-X në zonat periferike të Ev­ropës: në Spanjë, Italinë Jugore, Galinë Jugore, janë kon­sideruar barbare dhe anarkike, duke i quajtur arabët grabitçarë, kriminelë etj.21

Zgjerimi ideor dhe hapësinor musliman dhe armiqësia antimuslimane

Botëkuptimi se muslimanët janë barbarë është moment i ri dhe niset nga tërbimi kundër Pejgamberit Muhammed a.s., i cili është shkaktari më i madh për pengimin e kryqimit të mbarë njerëzisë. Ai për predikim përdorte Kur’anin, grumbull tregimesh, sipas tyre, të vjedhura nga Bibla e pastaj të shtrembëruara, i cili kishat i ka shndërruar në xhamia, d.m.th. në sinagoga djajsh.22 Kjo gjendje tërbimi do të kulmojë me inkuizicionin kristian shumëshekullor23 dhe me luftërat kryqtare24, të cilat do t’ju shkaktojnë aq shumë dëm muslimanëve saqë çdo kristian i ditëve të sodit do të du­hej të turpërohej për veprimet e të parëve të tij.25

Faktorët integrues dhe ç’integrues

Entitetet individuale kulturore, si ai evropian, arabik, islamik, levantik, hebraik e të tjerë, kanë një fun­dament të përbashkët - mesdhetarizmin, që është themel i univer­salizmit të secilës nga kulturat e cekura, mirëpo për shkak të raporteve të prishura ndërmjet Botës islame dhe Evropës, në shekullin XIII - XIV ky themel universal i përbashkët filloi të dobësohet kurse elementet integruese të natyrës universale filluan të bien në harresë dhe njëri-tjetrin ta shohin si kundërshtarë e jo si aleatë të vlerave universale. Si rezultat të kësaj gjendjeje kemi dy komplekse psikologjike, kompleksin evropian të ‘superioritetit’ - të gjitha meritat i përshkruhen Evropës, dhe kompleksin islam të ‘inferioritetit’, të izolimit dhe të ndarjes nga ky prosperitet universal, që te muslimanët ka zgjuar rezistencën refleksive kundrejt universalitetit. Kjo harresë ka shtrembëruar vetëdijen kulturore në të dy anët. Njëra-tjetrën nuk e njohin dhe nuk mendojnë se duhet të njihen.26

Islami ndërmjet njohjes intelektuale dhe armiqësisë politiko-ekonomike

Në shekullin XVI e më vonë, polemikat drejtuar Islamit nuk janë më aq intensive. Në planin politik, Islami u identifi­kua me Perandorinë Osmane, karakteristikë kjo që do të vërehet se është infiltruar edhe ndër kristianët shqiptarë që nga shekuli XVI, XVII, e deri në ditët tona, duke i identifi­kuar muslimanët shqiptarë me turqit. Përkundër ndjenjës së tyre se Islami si religjion duhet të flaket nga rrjedha shpirtërore qendrore e njerëzisë sepse ai është simbol i fana­tizmit, në planin dituror, megjithatë shihen përpjekjet që të njihet Islami.27 D. Buçan këtë dukuri e vrojton shkëlqyeshëm dhe konfirmon se përkundër luftërave të përgjakshme, “elita intelektuale e ka njohur njëra-tjetrën”.28 Kësaj njohjeje, mbase, i ka ndihmuar edhe fakti se Mesdheu ka qenë qendër e botës, dhe Evropa vetëm nëpërmjet Islamit ka mundur të vijë në kontakt me pjesën e mbetur të botës. Islami në Mes­dhe nuk ishte vetëm forca prijatare ushtarake dhe kundërshtar ideologjik, por edhe shembull filozofik dhe shkencor. Islami thelbësisht ka marrë pjesë në inicimin e të gjitha aspekteve të universalizmit, që nga ai filozofik e deri te ai shkencor.29

Shekulli XVIII e pas, karakterizohet me riaktivizimin e arsenalit mesjetar kristian ndaj Islamit. Karakterizohet edhe me evrocentrizmin e fuqishëm si ndër kristianët e majtë ashtu edhe ndër kristianët e djathtë, me theks të veçantë që majtistët mundohen t’ia injorojnë Islamit dimensionet e pastra mod­erne, domenin e brendshëm kulturor fuqishëm të lidhur për të kaluarën.30 Imperializmi perëndimor dhe kreatura e tij, ori­entalizmi perëndimor, Islamin e kanë paraqitur si “religjion fanatik, të errët, që ithtarët e vet i edukon në besimin e ngushtë, dogmatik, i cili është armiqësisht i disponuar ndaj lirisë së mendimit dhe zhvillimit të lirë të ideve”.31

Kontinuiteti i traditës biblike e greko-romake gjatë shekujve XIX-XX

Pozita e Islamit dhe muslimanëve kundrejt Perëndimit dhe nën Perëndimin kolonialist gjatë shekujve XIX-XX është mjaft instruktive. Ernest Renani, njëri ndër antropologët shpirtëror dhe moral më të mëdhenj të botës, në Sorbonë të Francës, në mars të vi­tit 1883, me veprën “Islami dhe shkenca” konfirmoi se Islami frenon zhvillimin e mendimit njerëzor.32 Pakuptimësitë e tij shihen edhe në pohimin se “raca shpirtërore e njeriut është raca Veriore dhe Perëndimore”, me çka E. Re­nani paraqet kontinuitetin e teorisë raciste nga tradita biblike judaisto-kristiane e greko-romake “mbi popullin e zgjedhur”, dhe njëherit shërben si “mësues” për brezat e ardhshëm.33

Filozofi i njohur perëndimor, Volteri, fillimisht ishte armiqësor ndaj Islamit, që më vonë toni i tij të bëhet më i nuancuar e më i kthjellët, ndonëse sërish i ashpër.34

Lamartini dallon nga të tjerët dhe ka mendime më pak të ngarkuara nga tradita evrokristiane. Ai ka pranuar autenticitetin e Shpalljes dhe e ka kuptuar dimen­sionin e dyfishtë të Kur’anit, universal dhe specifik.35

Pikëpamjet e shekullit XX në Evropë mbi Islamin, krye­sisht janë kontinuitet i vizionit mesjetar të Islamit. Lidhur me këtë, F. Hiti pohon se “gjurmë të asaj paraqitjeje ka edhe sot shumë” 36, kurse intelektuali i njohur botëror Rozhe Garodi thotë: “Kur në Algjeri kam dëshiruar t’i njohë traditat e lavdish­me të kulturës dhe civilizimit arab, u ballafaqova me krimin e vërtetë të cilin kolonializmi e bëri kundër arsyes njerëzore”, apo Rozhe Garodi, i cili pohon se pas Luftës II botërore “çdo tentim i ndriçimit të ‘kontributit historik të kulturës arabe’ përmban në vete reagim ndaj politikës arsimore kolonial­iste...” 37

Se deri në ç’shkallë ka arritur verbëria ev­roperëndimore kristiane në armiqësinë e tyre ndaj musli­manëve në botë tregon pohimi mjaft sinjifikativ dhe i qëlluar i intelektualit boshnjak Ferid Muhiq, i cili thotë: “Këtë që e bëmë tash (falja e namazit të drekës) është shkaku kryesor që nuk na duan ... Mirëpo, të gjithë ata që i kundrojnë muslimanët se si përulen duke u falur dhe sipas saj e vlerësojnë karakterin e tyre, thellë janë në mashtrim. Pikërisht ai që i falet All-llahut xh.sh. nuk do t’i përkulet askujt tjetër.” 38

Shembujt e theksuar tregojnë se ekzistojnë armiqësi të tipit mesjetar, e që kanë të bëjnë veçanërisht me strukturën e religjionit islam, me Islamin si, gjoja, reli­gji­on dhune, si religjion i sensibilitetit të shfrenuar, si religjion i gabueshëm. Përkatësisht, paragjykimet, në të shumtën, zënë fill në atë se Islami nuk është vetëm emërtim për religjionin, por edhe sinonim për shoqërinë që ka ndërtuar civilizim autokton e të veçantë.39

Me të drejtë princ Çarlsi vrojton: “Është e çuditshme përse moskuptimet ndërmjet Islamit dhe Perëndimit duhet të vazhdojnë, kur ajo që i bashkon këto dy botë është shumë më e fuqishme se ajo që i ndanë: mono­teiz­mi, përkohësia, përgjegjësia, bota tjetër, respekti ndaj diturisë, mëshira ndaj të varfërve, rëndësia e jetës fa­miljare, respekti ndaj familjes.” Për t’u përgjigjur në pyetjen e tij se: “Moskuptimet paraqiten kur nuk ia arrijmë të çmojmë se si të tjerët e shohin botën, historinë e saj dhe rolet tona përkatëse në të”. Më tej ai shton se: “Mënyra se si ne sot e shohim Islamin rezulton ta konsiderojmë si kanosje dhe rrezik, në Mesjetë si pushtues ushtarak, ndërsa në kohët më bashkëkohore si burim të mos­tolerimit, ekstremizmit dhe terrorizmit”, ndonëse “Islami mesjetar ishte një religjion i tolerancës së jashtëzakonshme për kohën e vet që u lejonte hebrenjve dhe të krishterëve t’i praktikojnë besimet e tyre të trashëguara, duke dhënë një shembull i cili fatkeqësisht për shumë shekuj me radhë nuk u kopjua në Perëndim.” 40

Përfundim

Armiqësitë evroperëndimore gjenezën e tërhe­qin duke filluar nga tradita biblike, nga trashëgimia greko-romake, nga inkuizicioni dhe kryqëzatat, nga paraqitja e osmanlinjve në trollin evropian dhe nga kolonializmi e neokolonializmi, përkatësisht nga modernizmi bashkëko­hor.41 Eliminimi i faktorëve të armiqësive do të shpiente në fazën e parë në eliminimin e armiqësive ndaj Islamit dhe muslimanëve dhe në fazën e dytë në njohjen dhe në respektimin e Islamit dhe muslimanëve. Faza e tretë do t’i obligonte muslimanët t’ua falin kristianëve për gabimet e bëra ndaj tyre gjatë historisë dhe të fillojnë një bashkëpunim në të gjitha fushat pa kushtëzime. Për suksesin në fazën e parë dhe të përgjegjës janë kristianët, kurse për suksesin në fazën e tretë përgjegjës janë barabartë kristianët dhe muslimanët.

Post a Comment

0 Comments