Advertisement

Responsive Advertisement

Bisedë me sorrën

 

Bisedë me sorrën

H. Selim ef. Samiu

Një ditë i vetmuar në dritare vërejta një sorrë. Tingujt e zërit të saj ak, ak, ak-ak sikur më ishin drejtuar mua. Kjo tërhoqi vëmendjen time: zogu i egër në dritaren time! Duke e vërejtur filluam bisedën.
Sorra tha: -Selamun alejkun, o shitës i aromave!
-Unë u përgjigja: -Ve alejkum selam, zog. Mirë se erdhe
-Mirë se të gjeta – u përgjigj sorra.
Unë e pyeta: - Nga vjen?
-Sorra u përgjigj: -Nga Ademi, mosekzistenca fizike
Në pyetjen time: - Ku shkon? – u përgjigj:
-Në Adem (mosekzistencë)
Unë: -çfarë gjuhe fletë?
Sorra u përgjigj: -Arabisht
Unë: - çfarë do të thotë kjo dhe me kënd ka të bëjë?
Sorra u përgjigj: - Babai juaj Ademi qe i padëgjueshëm.
Ju afrua pemës së ndaluar duke bërë mëkat (akun, el-aku, ak).
Unë: - Kujt i drejtohet këto fjalë?
-Sorra u përgjigj: - Juve, që të hakmerreni ndaj shejtanit i cili e mashtroi babain tuaj Ademin, dhe pasardhësit kanë të drejtë në hakmarrje.
Unë: si ta bëjmë këtë?
Sorra: - Ti kundërvihemi gjithmonë shejtanit duke i bërë sexhde All-llahut xh.sh.
Unë: çfarë paraqet sexhdeja?
Sorra: Bindje dhe nderim.
Unë: përse i ke puplat me ngjyrë të zezë dhe të bardhë?
Sorra: Në këtë botë ka shumë ngjyra, por të gjitha komponohen në të zezë dhe bardhë. Për këtë unë jam në këtë botë lloj i veçantë.
Unë: cila prej këtyre dy ngjyrave është themelore dhe më e rëndësishme?
Sorra: -Ngjyra themelore është e zeza dhe tregon në fazën e Ademit – mosekzistencës fizike. Ngjyra ime e bardhë është relative dhe anësore. Ekzistenca ime fizikë është atim i cili tregon në dhuratën nga ana e ekzistencës së vërtetë absolute e cila është e domosdoshme (Vaxhib el-vuxhud) nga All-llahu xh.sh
Unë: -Nëse është kështu, çka je ti?
Sorra: -Unë jam hije ose fantazi, mosekzistencë - Adem me ekzistencën e domosdoshme-Vuxhud.
Unë: -Ku fluturon?
Sorra: -Në vijën e paramenduar ku takohet e zeza me të bardhën.
Unë: -çfarë tregon vija e zezë?
Sorra: -Ajo është vija e rrugës së drejtë, urdhër i lartë nga Kur’ani: “Festekim kema umirte”
“Ti (Muhammed) përqendrohu vendosmërisht ashtu si je i urdhëruar…”1
Unë: -Si është i mundur kalimi nëpër stazën e urës tejet delikate?
Sorra: -Zhdukja yte (fena) në mënjanimin e çdo gjëje përveç All-llahut.
Unë: -Nga kalohet?
Sorra: -Në mbretërinë e cila nuk zhduket kurrë, gjegjësisht në zhytjen në ekzistencën e përhershme Hyjnore (beka bil-lah).
Unë: -E si kalohet?
Sorra: Me dritën e besimit ndaj Kur’anit:
“Nuruhum jes’a bejne ejdihim… “Drita e tyre ndriçon para tyre….”2
Unë: -Ku banoni?
Sorra: -Në drurët e lartë.
Unë: Përse nuk jetoni në shtëpia?
Sorra: -shtëpitë i ndërtojnë njerëzit, ndërsa drurët janë ndërtesat e All-llahut të madhërishëm.
Unë: -Përse i bëni foletë lartë?
Sorra: -Që ti ruajmë të vegjlit nga disa njerëz.
Unë: -Në ju ankohen njerëzit se ju dëmtoni pemët dhe perimet?
Sorra: -U tërheqim vërejtjen njerëzve të cilët harrojnë përmendjen dhe përkujtimin ndaj Zotit. Gjithashtu u tërheqim vërejtjen njerëzve të jenë të zgjuar në ngritjet shpirtërore që të ruhen nga rëniet.
Unë: -Përse kërceni?
Sorra: -Imitojmë shkurtëzat. Por ne jetojmë në pemë dhe kërcejmë prej njërës në tjetrën degë, dhe kjo është ecja ynë.
Unë: -Kujt i ngjasoni me këtë ecje të çuditshme dhe të pabarabartë?
Sorra: -Njerëzve injorant të cilët njerëzve naiv me zemra të pastra u hedhim pluhur syve dhe ata që fjalët e rëndësishme i tregojnë sipas hamendjes së tyre.
Unë: -A mundet feja pa dituri?
Sorra: -A mund të fluturoj unë pa krahë?
Unë: -Çfarë paraqet bishti juaj i gjatë?
Sorra: Ekzistojnë dy shenja. Njëri është që bishti i gjatë na mban në jetë. I dyti u tregon për të metat. Ka njerëz të cilët tek tjetri shohin gjembin, ndërsa tek vetja nuk e vërejnë as drurin. Neve na është dhënë që të shohim bishtin tonë e mos ti shohim të metat e tjerëve, sepse është thënë: I lumi ai i cili brengoset për të metat e tij sepse kjo e pengon që ti sheh të metat e tjerëve.
Unë: -Atëherë ju jeni shumë të preokupuara me rregullimin e bishtit tuaj.
Sorra: -Bishti im është shenjë imi për tu dalluar nga shpezët e tjera, e secili krenohet me shenjën e tij.
Unë: -Ju bini gjithkund, por kokën e keni gjithmonë të pastër.
Sorra: -Ne nuk themi se jemi të ruajtura nga mëkatet. Por edhe pse ndonjëherë bimë në vende të pa pastra, nuk humbasim mendjen, e duam pastërtinë, dhe largohemi nga papastërtia.
Edhe me të meta njeriu është i pranuar. Babai juaj, Ademi a.s. e pranoi gabimin e tij, u pendua, bëri lutje duke shpresuar.
Unë: -Si është e mundur bini në baltë e nuk humbisni vlerën tuaj?
Sorra: -A thua rrezet e Diellit nuk bijën në baltë?
Edhe margaritari bie në baltë … por nuk humbasin vlerën e tyre.
Unë: -Më trego një shembull!
Sorra: -Ja p.sh. dituria dhe përsosmëria (ilm dhe kemal). Nëse lumturisë i arrin fundi…çfarë atëherë? Çdo gjë ka kulmin e saj. Kur je në kulm të ngritjes, mos u kryelartëso sepse: pas ngritjes është zbritja!
Unë: -ç’është padituria?
Sorra: -Padituria është si katrani, kudo që bie, mbetet njolla.
Unë: -Kush është mbreti juaj?
Sorra: -Skifteri i bardhë (bazul-esh-heb).
Unë: -Kush janë ashikët tuaj?
Sorra: -Bilbilat.
Unë: -Kush janë përmendësit tuaj (dhakirat)?
Sorra: -Pëllumbeshat.
Unë: -Kush janë ata që kanë arritur më shumë njohuri?
Sorra: -Papagajtë.
Unë: -Kush janë vaizët (ligjëruesit) tuaj?
Sorra: -Hutat
Unë: -Kush janë haxhinjtë tuaj?
Sorra: Lejlekët.
Unë: -Kush janë adhuruesit tuaj?
Sorra: -Pëllumbat
Unë:-Kush janë ndihmuesit tuaj?
Sorra: -Pupëzat (Hud-hudi)
Unë: -Zakonisht besimtarët i mashtrojnë.
Sorra: -Njëherë mund të mashtrohet, por dy herë jo.
Në një hadith thuhet: “Besimtari nuk duhet të lejoj që nga një zgavër ta hajë dy herë gjarpri”
Unë: -Më këshillo diç.
Sorra: -Mbrohu me të mira, hidhi të këqijat, ecë rrugës së drejtë, flaki mëkatet, pastro zemrën tënde. Çka sheh, fshihe, çka nuk sheh, mos fol.
Unë: -Më vjen mirë që u takuam, më shërbyen fjalët e urta tua. Faleminderit!
Sorra: -Edhe mua më vjen mirë, dhe të dëshiroj sukses. Qëndro në dashurin ndaj All-llahut të dashur!
Pastaj, u ngritë dhe fluturoi në qiellin e kaltër, e unë mbeta duke medituar gjatë për këtë takim të këndshëm duke falënderua All-llahun e madhërishëm për këto këshilla të bukura.


1 Hudë, 112
2 Et Tahirmë, 8



Përktheu dhe përshtati:
Dr. Ali F. Iljazi

Post a Comment

0 Comments