Advertisement

Responsive Advertisement

PSE MORALI?

 

PSE MORALI?

Mustafa Çağrıcı

PSE MORALI?

Kur njerëzit e vlerësojnë njëri-tjetrin, zakonisht shikojnë së pari moralin e tjetrit. Kjo sepse që nga koha e Profetit Muhammed s.a.v.s., edhe në kulturën tonë, morali është përcaktuar si "sjellje e mirë dhe respekt për të drejtat dhe detyrat", andaj, me këtë është nënkuptuar: "Sa më me moral të jesh, aq më shumë njeri je".
Njerëzimi ka nevojë për moral dhe për ligj, që është forma e shndërrimit të elementeve më të domosdoshme të moralit në rregulla dhe që mbështeten pastaj me masa konkrete, sanksione. Shteti dhe ligji kanë lindur pikërisht nga kjo nevojë. Edhe sot, shumica dërrmuese e problemeve globale janë të lidhura ngushtë me moralin: lakmia, shkeljet e të drejtave, luftërat, pushtimet, masakrat, shfrytëzimi, uria dhe varfëria, problemet mjedisore, terrorizmi dhe të tjera.
Ndërsa bota po zvogëlohet për shkak të transportit, të komunikimit dhe të rrjeteve moderne të informacionit, problemet po bëhen globale, dhe kjo po e vë njerëzimin përballë rreziqeve të reja dhe të papara deri më tani të së keqes dhe të dëmit. Arsyet e këtyre janë të njëjta, që nga koha e Kabilit dhe Habilit: instinktet egoiste dhe konfliktuale të njeriut. Kur Zoti ynë i Lartë shpalli se do të krijonte një njeri (halife) në tokë, engjëjt thanë: "A do të krijosh dikë që do të shkaktojë trazira dhe do të derdhë gjak atje?" (Kur'ani, 2, 30-33). Historia është e gjatë... Që nga ajo kohë, njerëzit herë e ndihmojnë njëri-tjetrin dhe herë luftojnë me njëri-tjetrin.
Pse morali? Sepse të këqijat nuk mbarojnë; sepse sidomos dy pasionet shkatërrimtare të njeriut: dëshira për pushtet/sundim (hubbu’l-xhah) dhe dëshira për pasuri/shfrytëzim (hubbu’l-mal), e robërojnë mendjen dhe ndërgjegjen e tij. Këto janë pasionet që po e shndërrojnë botën në një vend të grabitur dhe të shkrumbuar. Për shkak të këtyre pasioneve, njeriut, të cilin e nxë një varr prej vetëm dy metrash, nuk i del e gjithë bota; sa më shumë që ai po pasurohet, aq më shumë po varfërohet; sa më shumë që po sundon, aq më shumë po bëhet skllav. Në kohën tonë, dhjetë milionë njerëz vdesin çdo vit nga uria. Dhe për të vrarë më shumë, shpenzohen 1.7 trilion dollarë çdo vit. Megjithatë, edhe 1 % e kësaj shume do të ishte e mjaftueshme për të shpëtuar jetën e atyre dhjetë milionë njerëzve nga vdekja.

Nga turqishtja: Rehan Neziri

Post a Comment

0 Comments