Advertisement

Responsive Advertisement

"NGA QYPI RRJEDH ÇFARË KA BRENDA TIJ"

 

"NGA QYPI RRJEDH ÇFARË KA BRENDA TIJ"

Mustafa Çağrıcı

"NGA QYPI RRJEDH ÇFARË KA BRENDA TIJ"

Ne të gjithë, në jetën tonë të përditshme, e përjetojmë vazhdimisht faktin se si kërkesat tona epsharake e kanë fuqinë ta shtypin arsyen dhe ndërgjegjen tonë, ta dobësojnë aftësinë e të menduarit dhe të kuptuarit tonë. Megjithëkëtë, ne prapëseprapë, shpesh, më shumë u japim përparësi kërkesave të epshit (nefsit) sesa të vërtetës dhe virtyteve që e pasurojnë shpirtin tonë. Në librat e vjetër të moralit thuhet se hapi i parë për ta kapërcyer këtë problem është që njeriu ta njohë vetveten, thelbin e tij.
Një i urtë ka thënë: "Njerëzit thonë, 'Për të parë, duhet të hapësh sytë'; unë them, 'Për të parë, duhet të mbyllësh sytë'." Ajo që e bën njeriun të cekët dhe të ulët është përqendrimi i vazhdueshëm në botën e jashtme dhe vrapimi pas gjërave jashtë tij, si pasuria, pozita dhe fama, duke e shpërfillur vetveten, thelbin e tij. Nëse i kthehemi vetvetes dhe - kur të jetë e nevojshme, e shpërfillim botën e jashtme dhe gjërat jashtë nesh – i kushtojmë vëmendje zemrës sonë dhe e dëgjojmë atë, ajo nuk do të na mashtrojë. Kështu, përcillet që edhe Pejgamberi i dashur, Muhammedi s.a.v.s., ka thënë: "Pavarësisht çfarë fetvaje japin myftinjtë, ti pyete zemrën tënde!" Megjithatë, shumica prej nesh, në vend të zemrës sonë, e ndjekim dhe e dëgjojmë atë që Kur’ani e quan en-nefsu’l-emmara bi’s-su’i, atë që psikologjia e vjetër e quante "nefsi kafshëror", pra egon tonë negative. Sepse, edhe pse duket sikur po e pyesim zemrën tonë, në realitet, interesat dhe shikimet tona janë të orientuara drejt botës së jashtme dhe jo drejt thelbit, esencës sonë.
Të vjetrit rrëfenin histori të bukura për ata që e kanë ndjekur dritën e zemrës së tyre dhe kanë qenë më të suksesshëm në rrugën shpirtërore, dhe padyshim që kjo është e vërtetë. Flitet për një hadith kudsij, ku Zoti të ketë thënë: "Mua nuk më nxuri as qielli e as toka, por më nxuri zemra e robit Tim besimtar". Edhe pse dijetarët e hadithit thonë se ky nuk është hadith autentik, i vërtetë, megjithëkëtë kjo nuk e ul vlerën e kësaj thënieje. Sepse kjo është një shprehje metaforike, që do të thotë: "Njeriu që e pasuron shpirtin dhe zemrën e tij me besimin në Zot, me dashurinë për Zotin dhe me përgjegjësitë që i sjell kjo dashuri me vete, e gjen të vërtetën dhe të mirën brenda zemrës dhe mendjes së tij". Për këtë arsye, shpirtrat e mëdhenj nuk frikësohen nga stuhitë e mëdha jashtë tyre apo nga telashet e botës, por nga tronditjet e vogla brenda tyre. Sepse Kur'ani thotë: "Në të vërtetë, nuk janë sytë ata që verbohen, por zemrat e njerëzve në gjokset e tyre."
Zakonisht thuhet se ndonjëherë skamja dhe pafuqia, e ndonjëherë bollëku dhe pasuria e çojnë njeriun në veprime të këqija. Por në fakt, ajo që na çon në veprime të këqija nuk është as skamja e as bollëku; por është shpërfillja e vetvetes sonë, është mospastrimi i nefsit, moszhvillimi i shpirtit dhe mosndriçimi i mendjes sonë. Kur shikojmë në adhurimet që bëhen me sinqeritet (ihlas), shohim se të gjitha kanë ndikime të forta që realizojnë këto përmirësime në psikologjinë e njeriut, duke siguruar një edukatë dhe ngritje shpirtërore dhe morale tek ai. Kështu, qëllimi i adhurimeve (ibadeteve) për shpirtin tonë është të na çlirojë nga ndikimi i forcave të brendshme negative dhe t’i zhvillojë forcat tona të brendshme pozitive. Atyre që këto ibadete ua shtojnë ndikimet ndërtuese brenda shpirtrave të tyre, të njëjtëve edhe bota e jashtme, pra edhe qëndrimet dhe sjelljet e tyre të jashtme u bëhen të mira; sepse, sipas një përkufizimi të njohur, morali është një aso tërësie aftësish të vendosura në botën e brendshme të njeriut, saqë nëse ato janë pozitive dhe të virtytshme, edhe në botën e jashtme shfaqen si sjellje të mira dhe të virtytshme. Siç e përsërisin shpesh dijetarët muslimanë dhe sufijtë: "Çfarëdo që të ketë brenda qypit, ajo do të rrjedhë jashtë."
Njeriu, pas çfarëdo gjëje që të vrapojë, pas saj quhet se është i përkushtuar. Pejgamberi ynë s.a.v.s. e ka përdorur shprehjen "skllav i parasë" (abdu'd-dinar) për atë që sytë nuk i shohin asgjë tjetër përveç parave. Në këtë kuptim, ashtu si skllavi që në kuptimin shoqëror është një njeri që “nuk është i lirë”, edhe ai që në fushën shpirtërore dhe morale u është nënshtruar instinkteve të tij negative, nuk është “njeri i lirë”. Problemi më i madh i njeriut modern është pikërisht humbja e kësaj lirie të brendshme shpirtërore.
Ata që arrijnë t’i çlirojnë shpirtrat e tyre, e fitojnë gjithashtu edhe virtytin e ndarjes së dashurisë që e kanë brenda tyre dhe të pasurive që i kanë jashtë tyre. Njëri nga sufijtë e hershëm, Fudajl bin Ijadi nga Horosani (v. 187/803), tregon: "Një nga profetët e hershëm e ka pyetur Zotin: 'O Zot! Si mund ta kuptoj që Ti më do?'. Zoti i Madhërishëm i ka thënë: 'Do ta kuptosh duke parë të varfrit nëse ata janë të kënaqur me ty.'" (Pra, nëse ti u ndihmon fukarenjve dhe ata janë të kënaqur me ty, atëherë dije se edhe Unë si Zot të dua dhe jam i kënaqur me ty - R.N.).

Nga turqishtja: Rehan Neziri

Post a Comment

0 Comments