Advertisement

Responsive Advertisement

Makutëria

 

Makutëria
Makutëria është dëshirë e pashuar për pasuri, ushqim a posedime. Ajo është lakmi e tepërt për të fituar pasuri, për të pasur fëmijë, famë, fuqi apo dëshirë për të pasur më shumë sesa që është e nevojshme.

Një njeri makut ka oreks ose dëshirë të papërmbajtur për të poseduar shumë e më shumë. Sinonime të tjera për një makut janë: lakmues, koprrac, neqez, egoist, i paduruar, i pangopur, i etur etj.
Islami e ndëshkon lakminë për pasuri, për të mirat e kësaj bote dhe për posedimet e ndryshme, meqë ajo është sëmundje që pengon përparimin e robit në rrugën e Zotit. Lakmia apo makutëria po ashtu negativisht ndikon edhe në përparimin mendor dhe atë shpirtëror të njeriut, për shkak se e bën njeriun të përpiqet me çdo kusht të fitojë sa më shumë që mundet, madje edhe nëpërmjet mënyrave a mjeteve çoroditëse apo të paligjshme, siç është: vjedhja, plaçkitja, korrupsioni, përvetësimi i diçkaje joligjërisht etj.
Sipas Kuranit, pasuria, fëmijët dhe posedimet e ndryshme e shmangin njeriun nga të përmendurit e Allahut të Lartësuar. Së këndejmi, Kurani i quan ato joshje dhe sprova të mëdha. Pra, ai i këshillon besimtarët që të mos i kenë lakmi njerëzit e atillë që u është dhënë bollëk në pasuri e në fëmijë, meqë nëpërmjet kësaj Allahu i Lartësuar nuk ka për qëllim gjë, pos t’i sprovojë.
Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë se lakmia e njeriut për pasuri asnjëherë nuk shuhet, edhe nëse i janë dhënë kodra me ar dhe se vetëm dheu i tokës e mbush barkun e njeriut (që është makut). Prandaj, besimtarët duhet të gjejnë pasuri në vetëkënaqje, sepse pasuria e vërtetë nuk qëndron në pasuri të mirash materiale me bollëk.


Argumente nga Kurani

1) “Është e sigurt se njerëzit më lakmues për të jetuar ke për t’i gjetur ata (jehuditë), bile edhe më lakmues se idhujtarët. Ndonjëri prej tyre dëshiron të jetojë një mijë vjet, por edhe sikur të jetojë, ajo (jeta e gjatë) nuk do ta shpëtojë atë prej dënimit. Allahu sheh çka veprojnë ata.” (Kur'an, 2: 96).
2) “E sikur të donim Ne, do ta ngrenim lart me atë (dituri), por ai nuk iu largua tokës (dunjasë) dhe shkoi pas epshit të vet. Shembulli i tij është si ai i qenit, të cilin nëse e përzë ai e nxjerr gjuhën, po edhe nëse nuk e përzë, ai sërish e nxjerr gjuhën. Ky është shembulli i atyre që i konsideruan të rreme argumentet Tona. Ti rrëfejua tregimet (umetit tënd) në mënyrë që ata të mendojnë!” (Kur'an, 7: 176).
3) “Dhe dijeni se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë dhe se te Allahu është shpërblimi i madh!” (Kur'an, 8: 28).
4) “Prandaj, le të mos të mahnitë (mos e shih të mirë) pasuria e tyre e as fëmijët e tyre, se Allahu do vetëm t'i dënojë me to në jetën e kësaj bote e t'ua nxjerrë shpirtrat duke qenë ashtu qafira!” (Kur'an, 9: 55).
5) “Dhe mos ia ngul sytë bukurisë së kësaj jete me të cilën i bëmë të kënaqen disa prej tyre (pabesimtarët), e për t'i sprovuar me të, sepse shpërbimi i Zotit tënd është më i mirë dhe është i përjetshëm!” (Kur'an, 20: 131).
6) “Edhe ata që përgatitën vendin (Medinen) dhe besimin para tyre, i duan ata që shpërnguleshin tek ata dhe nuk ndiejnë në gjoksat e tyre ndonjë nevojë (për zili a tjetër) nga ajo që u jepej atyre (muhaxhirëve), madje edhe sikur të kishin vetë nevojë për të, ata u jepnin përparësi atyre para vetvetes. Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar.” (Kur'an, 59: 9).
7) “S'ka dyshim se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë, ndërsa ajo që është tek Allahu, është shpërblim i madh.” (Kur'an, 64: 15).
8) “Andaj, sa të keni mundësi ruajuni prej dënimit të Allahut, dëgjoni, respektoni dhe jepni për të mirën tuaj, e kush i ruhet lakmisë së vetvetes, të tillët janë të shpëtuarit!” (Kur'an, 64: 16).
9) “Ju ju preokupoi përpjekja për shumimin (e pasurisë, të fëmijëve, të pozitës)! Derisa të mos i vizitoni varrezat (të bëheni banues të tyre - të vdisni). ” (Kur'an, 102: 1-2).


Argumente nga Sunneti

1. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Pasuria nuk është në posedime me bollëk, po në vetëkënaqje.” [Shënon Buhariu dhe Muslimi]
2. Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Mplaket biri i Ademit, por dy gjëra i mbeten të paplakura: lakmia për pasuri dhe shpresa për jetë.” [Shënon Buhariu dhe Muslimi]
3. Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Edhe po t’i kishte dy kodra me pasuri, biri i Ademit do ta kërkonte të tretën; asgjë, përveç dheut, nuk mundet ta mbushë barkun e të birit të Ademit, dhe Allahu i kthehet atij që i kthehet Allahut me pendim!” [Shënon Buhariu dhe Muslimi]
4. Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “O njerëz! Patjetër duhet ta dini se makutëria është varfëri, kurse dëshpërimi është pasuri [Këtu fjala “dëshpërim” nuk është e përdorur në kuptimin e vet të parë, por në kuptim të asaj kur pranon ose kur heq dorë prej një diçkaje në mënyrë të ftohtë e me melankoli (shën. i përkthyesit)]. E kur njeriu dëshpërohet nga një gjë, ai heq dorë nga ajo!” [Shënon Razini]
5. Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Gjithsecili që është i kënaqur me atë furnizim të pakët nga Allahu, edhe Allahu do të jetë i kënaqur me punët e pakta të atij!” [Shënon Bejhakiu]


Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI, 30.04.2010
Shkëputur nga libri: Kodi Social dhe Moral në Islam
Autor: Muhamed el-Kudri

Post a Comment

0 Comments