Pyetje:
Cilat janë kushtet të cilat duhet t’i plotësojnë muslimanët, që martesa e tyre (niqahu) të jetë në përputhje me normat sheriatike (ligjore islame)?
Përgjigjja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!
THEMELET E MARTESËS SIPAS ISLAMIT
Përkufizimi i përzgjedhur për familjen në dritën e mësimeve islame është se, “familja është institucioni shoqëror që zhvillohet nga çiftimi i një burri me një grua me akt të rregullt ligjor islam dhe më pas nga bashkimi i familjeve ndërtohet shoqëria”. Kulmet më të rëndësishme të familjes janë: burri, gruaja dhe fëmijët.
Martesa në Islam është quajtur besëlidhje rigoroze. Duke qenë se martesa është hallka më e rëndësishme e mirëqenies së individit dhe shoqërisë, Islami i ka dhënë rëndësi dhe interes të veçantë mbarëvajtjes së insitucionit të martesës, prej të cilit dalin dhe aftësohen individët e shoqërisë humane.
Së këtejmi Islami ka vendosur për martesën e muslimanëve kushtet në vijim1:
Kushti i parë: Dy kandidatët për martesë duhet të mos kenë ndonjë pengesë ligjore islame për t’u martuar me njëri-tjetrin, si p.sh.: të mos jenë mahrem2 (burrë dhe grua që u ndalohet përjetësisht martesa mes tyre, ku hyn edhe mospasja të njëjtën nënë gjiri3), ndalohet martesa me kurvarët, me idhujtarët, martesa me të divorcuarën apo vejushën para se të mbarojë iddeti4 (kohëpritja para ri/lidhjes kurorë), martesa e muslimanes me jomuslimanin etj.
Kushti i dytë: Përcaktimi i sigurtë i identitetit të dhëndrit dhe nuses dhe pëlqimi i tyre që të martohen me njëri-tjetrin.
Kushti i tretë: Prania e kujdestarit legjitim5 të nuses në këtë martesë dhe leja e tij për të6. Kujdestari i nuses është babai i saj e në mungesë të tij janë: gjyshi, djali (nëse nusja ka qenë e martuar më parë), vëllai, xhaxhai etj.
Shënimi i parë: Kushti i dytë dhe i tretë njihen ndryshe si “El-Ijxhabu Ue El-Kabulu / propozim-pëlqimi (miratimi i kurorëzimit nga dy palët)”, i cili bëhet në prani të dy dëshmitarëve (siç vjen në kushtin e katërt); në një trajtë të tillë që kujdestari i nuses, pasi ka marrë pëlqimin e kësaj të fundit, ia propozon atë për martesë dhëndrit dhe ky i fundit e miraton këtë propozim qartazi për të pranishmit. Gjithsesi, martesa, sidomos në rastin kur palët nuk kanë pasur informacion mbi trajtën standarde juridike islame në fjalë të “propozim-pëlqimit”, vlen edhe nëse palët e kanë kryer kurorëzimin në një trajtë tjetër miratuese të tij, ku hyn edhe trajta në të cilën është dhëndri (apo i autorizuari prej tij) që e kërkon vajzën për nuse dhe kujdestari i vajzës e miraton këtë kërkesë, duke u bërë ky miratim dypalësh qartazi për të pranishmit, apo ngjashëm me këtë trajtë7.
Shënimi i dytë: Mendimi më i fuqishëm i juristëve muslimanë është se nuk lejohet që gruan (nusen) ta martojë kujdestari i saj më i largët, nëse ekziston kujdestari i saj më i afërm, përveçse nëse kjo bëhet me autorizimin e kujdestarit më të afërm, ose në pamundësi të arritjes tek ky i fundit apo tek i autorizuari prej tij, ose kur ky kujdestar i afërm e humb të drejtën e kujdestarisë për shkak të padrejtësisë së tij në këtë çështje, ose kur ky i fundit humbet ndonjë nga kushtet e kujdestarisë (të cilat janë: mendja, puberteti dhe të qenët musliman dhe i drejtë).
Shënimi i tretë: Nëse gruaja është e krishterë ose hebreje, atëherë për martesën e saj duhet prania dhe leja e kujdestarit të saj që i përket besimit të saj (babai, gjyshi, vëllai i saj…); kurse nëse kujdestarët refuzojnë ose nuk ka kujdestarë, rolin e kujdestarit të saj e merr (me pajtimin e saj) gjykatësi musliman dhe në mungesë të këtij të fundit (rolin e kujdestarit) e merr drejtuesi i qendrës islame ose një musliman i besueshëm në vend.
Shënimi i katërt: Për të krishterën apo hebrejen që është bërë muslimane, familjarët e saj jomuslimanë nuk mund të jenë më kurrsesi kujdestarë për të (bazuar në mendimin konsensual të juristëve muslimanë) dhe kujdestarinë e saj (dhe çdo muslimaneje të re) e merr udhëheqësi musliman ose përfaqësuesi i tij ligjor (gjykatësi musliman), kurse në mungesë të tyre e marrin këtë kujdestari përfaqësuesit e komuniteteve muslimane apo qendrave islame në vend, ose imamllarët apo muslimanët e besueshëm besimdrejtë të cilëve kjo muslimane e re pajtohet t’ua lërë në kujdestari çështjen e martesës së saj.
Kushti i katërt: Prania e dy dëshmitarëve8 të kryerjes së kurorëzimit të kësaj martese. Dëshmitari duhet të jetë: musliman, mashkull, të ketë mbërritur pubertetin, të mos jetë shurdhmemec, të jetë i përgjegjshëm juridikisht, i ndershëm dhe i rregullt në përkushtimin e tij fetar islam.
Shënimi i parë9: Shumë dijetarë janë të mendimit se krahas kushtit të dy dëshmitarëve, një kusht tjetër është edhe që martesa të bëhet publike (e njohur) për gjithë shoqërinë e dy familjeve dhe çiftit. Këta dijetarë janë të mendimit se nëse martesa është dëshmuar nga dy dëshmitarë por nuk është publikuar, në saktësinë e saj ka probleme dhe kundërvajtje ligjore. Por të gjithë dijetarët janë të mendimit (konsensual), se nëse martesa nuk dëshmohet nga dy dëshmitarë dhe as bëhet publike, ajo nuk është e saktë.
Shënimi i dytë: Dy kandidatët për t’u martuar lejohet që të qëndrojnë vetëm për vetëm (qoftë në mënyrë direkte, qoftë nëpërmjet telefonit ose internetit) vetëm pas përmbushjes së këtyre kushteve, përndryshe ata të dy konsiderohen të huaj për njëri-tjetrin.
Po në këtë kontekst disa dijetarë kanë kushtëzuar edhe dokumentimin shtetëror të martesës (praninë e çertifikatës së martesës); teksa mendimi i saktë është se ky dokumentim nuk është nga kushtet e martesës sipas islamit (niqahut), por gjithsesi ai është një obligim që duhet bërë.
DOKUMENTIMI SHTETËROR I MARTESËS
– Angazhimi i mehrit10 (prikës / pasurisë së pakthyeshme) që i jepet nuses:
Martesa e obligon dhëndrin t’i jap mehr (prikë a pasuri të pakthyeshme) nuses së tij, por aktkurorëzimi i martesës është i vlefshëm edhe pa përmendjen a dhënien paraprake të mehrit (sipas shumicës së juristëve muslimanë)11. Vlerën e mehrit e vendosin nusja bashkë me kujdestarin e saj.
Më e mira është që mehri të caktohet para se të bëhet kurorëzimi, si dhe të përcaktohet koha (mënjëherë apo më vonë) dhe forma e dhënies (me këste apo njëherësh) e këtij mehri, i cili duhet gjithsesi të gëzojë pëlqimin e nuses; në të kundërt (nëse mehri vendoset pas kurorëzimit) vlera maksimale e tij bëhet automatikisht sa vlera normale e mehrit të rasteve homologe (të femrave ngjashëm me këtë rast). Islami na mëson se mehri më i mirë është ai që nuk është i shtrenjtë dhe se gjëja më e rëndësishme është që dy personat të cilët duan të martohen dhe familjet e tyre duhet të jenë njerëz sa më të mirë, besimtarë që falen dhe zbatojnë urdhrat e Zotit, si dhe njerëz punëtorë dhe të aftë që të mbajnë dhe edukojnë familjen.
Allahu e di më mirë.
Ju ftojmë ta shpërndani këtë postim, që të përhapet dobia e tij dhe së bashku të marrim shpërblimin e publikuesit të fjalës së mirë.
Shih: islamweb. ↩
Mahrem: Është: “diçka e ndaluar apo tabu”, kurse juridikisht është: “Mashkulli i rritur, i arsyeshëm dhe i besueshëm, i cili e ka përjetësisht të ndaluar që të martohet me një grua të caktuar, për arsye të një shkaku të ligjshëm dhe sepse ky ndalim është prej të drejtave (përfitimeve) themelore ligjore të saj / CILI PERSON QUHET MAHREM I NJË GRUAJE. ↩
Nënë gjiri (Mëndeshë): Gruaja që i jep qumësht (nga sisa ose të shtrydhur në enë) një foshnje të huaj në moshën dy vjeç e poshtë, me kusht që: foshnja të ketë pirë gji të paktën pesë vakte të sigurta (ku në secilin vakt pirje foshnja të jetë ngopur apo të ketë pirë deri sa ta ketë lëshuar gjirin vetë) / shih: islamweb dhe islamweb. Për shkak të pirjes në fjalë të qumështit bëhen të ndaluar për martesë: babai, biri, vëllai, xhaxhai, daja, djali i vëllait dhe ai i motrës nga qumështi (dhe kështu me radhë sikurse tek lidhjet e gjakut). ↩
Iddeti / Kohëpritja e të divorcuarës ose vejushës para ri/lidhjes kurorë: Kjo kohë pritje është si vijon: (a) menjëherë pas divorcit, nëse pas kurorëzimit nuk ka ngjarë fare kontakt seksual dhe e divorcuara nuk ka pasur veçim me të martuarin; (b) tre cikle të plota menstruale pas divorcit, nëse e divorcuara nuk është shtatzënë dhe është prej atyre që u vijnë menstruacionet; (c) tre muaj pas divorcit, nëse e divorcuara është nga ato që nuk u vijnë menstruacionet; (d) pasi të lindë, nëse e divorcuara ka mbetur shtatzënë; (e) koha e pritjes së vejushës është katër muaj e dhjetë ditë (gjatë të cilave ajo qëndron në shtëpinë e saj dhe nuk del veçse kur e ka të domosdoshme). ↩
Shih: KUJDESTARIA PËR MARTESËN-RREGULLAT. ↩
Shih: islamweb, islamweb, islamweb, islamqa, islamqa dhe islamweb. ↩
Shih: islamweb dhe islamweb. ↩
Shih: islamweb. ↩
Shih: islamqa, islamqa dhe dorar. ↩
Mehr: Pasuri që dhëndri obligohet t’ia jep nuses së tij dhe që kalon në pronësi të plotë të kësaj të fundit. ↩
Shih: islamweb. ↩
0 Comments