Advertisement

Responsive Advertisement

DHUNA DHE FËMIJËT TANË (2)

 

DHUNA DHE FËMIJËT TANË

Elif Arslan

DHUNA DHE FËMIJËT TANË

I. FËMIJA SI PËRJETUES I DREJTPËRDREJTË I DHUNËS

1. Dhuna fizike, rrahja, dajaku
Ashtu siç thamë edhe më parë, kur e përmendim dhunën në radhë të parë ndofta nënkuptojmë rrahjen, dajakun. Tanimë është e njohur se fëmijët i nënshtrohen dajakut sidomos për arsye edukuese. Disa prindër ndofta pendohen pas dhënies së dajakut, disa të tjerë për fat të keq besojnë se me këtë kanë bërë gjënë e duhur. Sipas tyre kjo është e nevojshme për ta edukuar fëmijën.
Në qoftë se fëmija nuk e dëgjon fjalën tonë, e meriton dajakun. Në qoftë se ka marrë notë të dobët në shkollë, në qoftë se është zënë me vëllanë ose motrën, në qoftë se ka gënjyer për diçka dhe prindi e ka zënë në flagrancë, fëmija gjithsesi, sipas tyre, e meriton dajakun. Në qoftë se fëmija i ka shkaktuar dëm pronës së dikujt, ky gjithsesi meriton të hajë dajak. Po, kështu mendojnë disa. Ndërsa sot pranohet haptas se dajaku në asnjë farë forme nuk mund të përdoret si mjet edukimi. Po ashtu, edhe në qoftë se e shikojmë mirë e mirë jetën e Muhammedit a.s., ai kurrë nuk e ka përdorur dajakun. Ai ka qenë shumë i butë dhe i mëshirshëm ndaj çdokujt dhe çdo gjëje. Dashuria, butësia dhe mëshira e tij ndaj fëmijëve, ishte më e madhe se ndaj çdokujt tjetër. Ai është shembulli dhe modeli më i mirë për këtë, sidomos me thënien e tij të famshme: “Nuk është prej nesh ai që nuk është i butë dhe i mëshirshëm me më të vegjlit tanë dhe ai që nuk i nderon dhe nuk i respekton më të vjetrit tanë!” (Tirmidhiu, “Birr ve’-sila”, 15)
Në Medine ishte një djalosh që quhej Rafi’ bin Amër. Ai nisi vazhdimisht t’i godiste me gurë drunjtë e hurmave të një kopshti. Një ditë atë e kapi pronari i hurmave dhe e çoi te Muhammedi a.s.. I Dërguari i All-llahut e pyeti:
- O bir, pse i gjuan drunjtë e hurmës me gurë?
Rafi’u, i turpëruar dhe kokulur, tha:
- Isha i uritur, o i Dërguar i Zotit, dhe më haheshin...
Pasi e dëgjoi me kujdes djaloshin, Pejgamberi i mëshirës i tha:
- O bir, edhe një herë mos gjuaj me gurë hurmat! Mirëpo mund të hash nga ato që kanë rënë në tokë.
Më pas Muhammedi a.s. ia përkëdheli kokën djaloshit dhe e bëri këtë du’a: “O All-llah, ngija barkun këtij djaloshi!” (Ibni Maxhe, “Tixharet”, 67)
Pejgamberi ynë a.s. këtu nuk e fajësoi djaloshin, por u interesua për arsyen e këtij veprimi dhe më pas atij i ofroi një alternativë. Natyrisht që ky veprim i djaloshit nuk duhet lënë pas dore dhe kjo nuk nënkupton që të mos u përzihemi fëmijëve në sjelljet e tyre. Pejgamberi a.s. djaloshit i solli një ndalesë: të mos i gjuajë drunjtë e hurmave. Por në të njëjtën kohë i tregoi mundësinë, alternativën, i tregoi se çfarë guxonte të bënte. Ne duhet të mendojmë thellë rreth këtij shembulli dhe duhet ta krahasojmë me metodat tona të edukimit të fëmijëve. Ose le t’ia parashtrojmë vetes këtë pyetje: “Si do të veproja unë në qoftë se ndodhem para një situate të këtillë si Muhammedi a.s.?” dhe nga përgjigjja që do t’i japim vetvetes le të shikojmë se sa afër ose sa larg synimeve edukative të Pejgamberit a.s. jemi ne.
Fëmija është fëmijë dhe të vërtetat do t’i mësojë duke gabuar, duke i provuar dhe duke u mashtruar. Të sillesh me ashpërsi ndaj një fëmije të një moshe që sapo ka nisur ta njohë dhe ta mësojë jetën, tek ai mund të shkaktojë vetëm lëndim dhe përbuzje. Bile është konstatuar se edhe dënimet më të ashpra që mund t’i jepen një fëmije, pas një kohe ato bëhen “shprehi” dhe nuk kanë më ndonjë efekt pozitiv.
Në rastin e lartpërmendur shohim se Muhammedi a.s. jo që nuk e rrahu djaloshin, por as nuk e qortoi dhe nuk e nënçmoi bile. E ç’ka të thuhet tani për ata që në emër të “edukimit” i japin vetes të drejtë për ta rrahur fëmijën e vet po edhe fëmijët e tjerë që u janë lënë amanet për t’i edukuar? Ata për këtë nuk mund të gjejnë mbështetje as edhe nga Pejgamberi a.s.
Rrahja e fëmijës, nuk ia mëson atij vetvetiu gjërat e drejta. Dënimet fizike si dajaku, shtyrja dhe qortimi ndoshta e pengojnë për një kohë sjelljen negative të fëmijës. Mirëpo ato nuk e zgjidhin problemin në rrënjë. Bile-bile fëmija ndonjëherë nuk e kupton as edhe pse ka ngrënë dajak. Ndikimi më efektiv i dajakut ndofta është humbja e vetëbesimit dhe e vetërespektimit te fëmija.
Fëmija nuk mund ta kuptojë absurditetin e dashurisë së prindërve të vet ndaj tij dhe dajakun që ata ia japin. Te ai thyhet besimi ndaj vetvetes dhe ndaj prindërve për shkak të dajakut dhe abuzimit. Në rast se shtohet përdorimi i dajakut kjo mund të çojë deri në mospërfillje. Kohë pas kohe dëgjojmë prindër ose të tjerë të rritur për disa fëmijë të thonë: “Ky fëmijë aq i paedukatë dhe i paturpshëm që është bërë, saqë edhe dajaku s’bën pare më tek ai.” Njeriu që e thotë këtë, në fakt, nuk e ka kuptuar këtë pikë: dajaku nuk sjell asnjë dobi kur është në pyetje edukimi. Fëmija e braktis një sjellje të keqe jo pse e ka kuptuar se ajo s’është e mirë apo se nuk ia pranon më ndërgjegjja, porse vetëm për të shpëtuar nga dhimbja dhe nga lëndimi i dinjitetit që ia shkakton dajaku. Kur mësohet edhe me dajakun, atëherë as ai nuk ndikon në përmirësimin e sjelljes së tij. Prandaj, ndikimi i dajakut ka qenë me efekt të shkurtër, sepse nuk i ka folur ndërgjegjes së fëmijës.
Para disa vitesh punoja si mësuese në një fshat të Anadollit. Nxënësit e parë që i kisha në këtë shkollë ishin të klasës së tretë fillore. Sa kisha dëshirë që ata të fitonin njohuri për një jetë më të mirë se kjo që e kishin, po aq dëshiroja që këta fëmijë të fitonin edhe besimin në vetveten. Një ditë, disa fëmijë që më mërzitën me sjelljet e tyre, i pyeta se pse silleshin kështu. Një nxënës tha: “Zonja mësuese, ju nuk na rrihni, prandaj edhe nuk frikohen prej jush.” Po, kjo ishte e vërteta. Fëmijët që ishin mësuar të hanin dajak, të nënçmoheshin, të përbuzeshin e të trembeshin, derisa të mësoheshin me situatën e re, mësuesin që nuk ua bënte këto e perceptonin si të dobët. Mirëpo ata ishin fëmijë. Kishin tru dhe zemër të pastër, për ta parë dhe për ta mësuar të bukurën. Pikërisht për këtë arsye, brenda një kohe të shkurtër, ata u mësuan me sistemin e ri që unë mundohesha ta mbështetja në dashuri dhe respekt, e jo në dajak dhe përbuzje të nxënësve. U ndava që andej, nga bota e bukur e atyre fytyrave të njoma, duke e lutur Zotin që pas meje atje të shkonin mësues e mësuese që do ta vazhdonin rrugën time.
Fëmija qysh nga lindja priret drejt së mirës. Sapo të ballafaqohet me shembujt e mirë dhe të trajtohet nga të tjerët me durim, ai do t’i mësojë dhe përvetësojë shpejt sjelljet e mira e të drejta. Një baba që e gënjen shokun e vet dhe fëmijës së vet i thotë se gënjeshtra (rrena) është një gjë shumë e keqe, nuk e ka problem ta rrahë fëmijën e vet në qoftë se ai e gënjen. Këtu vërejmë shumë sjellje të gabuara. Njëra prej tyre është të jesh shembull dhe model i keq për fëmijët. Kur të mungojë shëmbëlltyra e mirë, asnjë këshillë e mësim nuk bën dobi. Gabimi i dytë këtu natyrisht se është dajaku ndaj fëmijës.
Fëmija që ha dajak vazhdimisht, brenda kohës ai do ta humbë vetëbesimin, do të mbyllet në vetvete, do të përjetojë probleme psikologjike, mirëpo ai edhe do të fillojë të ushtrojë dhunë mbi fëmijët e tjerë përreth vetes. Në shtëpi do të ushtrojë dhunë mbi vëllezërit e motrat, në shkollë mbi shokët e vet, ndoshta kur të rritet edhe mbi mësuesin ose mësuesen e vet, pse jo edhe mbi prindërit e vet... Shumica e fëmijëve që ushtrojnë dhunë, janë në fakt ata që edhe vetë kanë përjetuar dhunë në rrethin familjar. Kjo është kështu ngase dhuna mësohet duke parë dhe duke e përjetuar vetë. Fëmija, në këtë formë, kur të zemërohet, kur nuk i plotësohen dëshirat, kur nuk i shkojnë punët si do ai, mëson se mund të ushtrojë dhunë mbi atë që e ka përballë dhe në fund edhe ushtron dhunë. Në këtë formë, mund të themi se, dhuna përcillet nga brezi në brez.
Dajaku „nuk ka dalë nga Xhenneti”. Edhe sikur të ketë dalë prej aty, me siguri nuk ka dalë me vetë dëshirë, mund të themi pak si me ironi. Në vend që të presim ndihmë nga dajaku, le ta zhvillojmë vetveten edhe pak më shumë. Le të mendojmë pak më shumë rreth asaj se në çfarë situate si duhet të sillemi me fëmijët tanë. Në qoftë se nuk mund t’u bëjmë ballë situatave të vështira me të cilat ndeshemi, atëherë le të kërkojmë ndihmë dhe mbështetje nga të tjerët, në veçanti nga ekspertët. Le të jemi më të durueshëm, më tolerantë. Le të mos harrojmë se edhe ne dikur kemi qenë fëmijë. Le të kujtojmë se në cilat situata çka kemi ndier, për çka jemi gëzuar e për çka jemi dëshpëruar, le t’i kujtojmë kohërat kur e kemi pasur vështirë t’i kuptojmë të rriturit, le t’i kujtojmë edhe dëshirat e zjarrta, ambiciet dhe ëndrrat tona si fëmijë që i kemi pasur. Le të përpiqemi ta kujtojmë se si kanë përfunduar fjalitë tona të dikurshme që fillonin me: “kur do të bëhem nënë...” ose “kur do të bëhem baba...”. Le ta zgjojmë fëmijën që e kemi në brendinë tonë. Me fëmijët le të bëhemi fëmijë. Le të përpiqemi ta kuptojmë botën e ndjenjave të fëmijës.
Do të gabojmë në qoftë se themi “Unë kur isha fëmijë e kam mësuar të drejtën duke gabuar, ndërkaq sot unë e di se çfarë është e drejtë dhe e saktë, prandaj edhe nuk dua që fëmija im të gabojë.” (Kur ta lexoni këtë fjali dhe të thoni: “a thuhet more një gjë e këtillë...”, para se të mendoni se me këtë jeni në një pozitë të mirë, ju këshillojmë ta mendoni më mirë se sa po e zbatoni këtë.) Sepse në të shumtën e herëve fëmijët mësojnë duke gabuar. Sjellja dhe qëndrimi i drejtë i prindërve karshi gabimeve më të vogla të fëmijës, do të mund ta pengojë atë të mos bëjë gabime më të mëdha. Besoj se këtu duhet ta rikujtojmë metodën edukuese të Muhammedit a.s. që e përmendëm më lart: fillimisht ta analizojmë arsyen e sjelljes, pastaj t’i vendosim kufizimet dhe ndalesat e nevojshme për edukimin e fëmijës dhe krejt në fund fëmijës t’i ofrojmë alternativë, mundësi tjetër veprimi a sjelljeje.
Le të mos harrojmë se për dajakun nuk ka asnjë arsye apo sebep. Ndonjëherë prindërit mbështeten pas justifikimit (shfajësimit): “Aq shumë nervozohem sa s’e kontrolloj dot veten, prandaj edhe i mëshoj fëmijës!” Unë dua t’i pyes këta prindër: Në qoftë se, ai që ju nervozon dhe ju nxjerr jashtë kontrollit, nuk është fëmija juaj që me shtatin e tij ju vjen deri te beli, porse të jetë një njeri i rritur dhe trupmadh, a do ta humbnit kontrollin dhe t’ia mëshonit edhe atij? Duhet ta dimë se dajaku nuk është pasojë e gabimit të fëmijës, porse e dobësisë, e pamjaftueshmërisë dhe e mungesës së durimit që e kemi ne të rriturit. Kur nuk gjejmë fuqi për ta zgjidhur problemin, atëherë e bëjmë atë që na vjen ndoresh: e përdorim dajakun. Mirëpo këtë e bëjmë duke harruar se fëmijët i kemi amanet nga All-llahu xh.sh. dhe duke harruar se çfarë pasojash mund të lërë pas vete dajaku, shuplaka...
Nga turqishtja:
Rehan Neziri

Post a Comment

0 Comments