Advertisement

Responsive Advertisement

DHUNA DHE FËMIJËT TANË (1)

 

DHUNA DHE FËMIJËT TANË

Elif Arslan

DHUNA DHE FËMIJËT TANË

Hyrje

Me sa emocione e me sa shpresa të mëdha pritet lindja e një fëmije... Ai është, sipas Kur’anit fisnik, drita e syve tanë... Bashkë me lindjen e tij rritet edhe barra, përgjegjësia dhe lodhja e prindërve. Mirëpo Krijuesi i Madh i ka pajisur ata me asi lloj force e dashurie, saqë edhe i rrinë me drithërima mbi kokë kësaj qenieje të vockël. Një foshnje e paaftë, e varur nga të tjerët, por po aq edhe e dashur dhe e këndshme. Tanimë ajo është në duart e nënës dhe të babait të saj.
Prindërit që janë të vetëdijshëm se fëmijët e tyre, përskaj që janë dritë e syve dhe burim i kënaqësisë prindërore, në të njëjtën kohë janë edhe mjet sprove (et-Tegabun, 64:15), nuk do të donin ta humbnin këtë provim. Besimtarët që e dinë se Kur’ani dhe Muhammedi a.s. kërkojnë prej tyre që të bëhen me fëmijë, por edhe se ata në të njëjtën kohë janë edhe mjet sprove për ta, të bëhen me fëmijë nuk e shohin si synim të vetmin jetësor. Pas lindjes së fëmijës, synim parësor ata kanë rritjen e një fëmije të mirë. Ata e dinë se pas vdekjes, atyre u mbyllen regjistrat e veprave të tyre dhe se përjashtim këtu bëjnë lutjet dhe veprat e mira që fëmijët e tyre do t’i bëjnë për ta (Muslimi, “Vasijjeh”, 16...).
Ajo foshnje është bërë nijet me leje të Zotit (para marrëdhënieve intime) dhe pastaj janë bërë lutje për një fëmijë të mirë gjatë gjithë kohës sa ka qenë në bark të nënës. Të njëjtin kujdes për një rritje dhe zhvillim të shëndoshë fizik e shpirtëror, prindërit do ta vazhdojnë edhe pasi të ketë lindur foshnja. Mirëpo, pjesa më e rëndë e kësaj pune fillon pikërisht tani, pas lindjes. Me rëndësi është që në këtë proces të gjatë e të lodhshëm, të mos bëhen gabime; gabimet e bëra eventuale të përmirësohen sa më shpejt që të jetë e mundur. Rritja e një fëmije që do të ishte i dobishëm për shoqërinë ku jeton dhe për vetveten, por edhe që do t’i shtonte hijeshi kësaj dhe botës tjetër, për prindërit që janë të vetëdijshëm për sprovën e mundshme, sjell me vete edhe disa detyra e përgjegjësi.
Përgjegjësia e parë, gjetja e një emri me kuptim të bukur dhe me të cilin do të mburret nesër fëmija, menjëherë ua lë vendin përgjegjësive të tjera, si kujdesi për të, plotësimi i nevojave që ka, që nga momenti i ardhjes së tij në këtë botë. Dashuria, interesimi, edukimi dhe arsimimi i mirë dhe i shëndoshë i tyre, sjellja e mirë me vëllezërit e motrat, trajtimi i barabartë i të gjithë fëmijëve, shkollimi, aftësimi për ndonjë zanat, pajisja me shkathtësi, edukatë e me sjellje të mirë, shkurt edukimi i tyre ashtu siç duhet, kërkon që prindërit fillimisht vetë të jenë të kujdesshëm e të vëmendshëm si dhe të njoftohen mirë me botën e fëmijëve, me interesimet dhe nevojat e tyre, me strukturën e tyre shpirtërore. Vetëkuptohet se përgjegjësia e të qenit prind nuk përfundon me sjelljen në jetë të fëmijës si dhe me plotësimin e nevojave elementare të tij si ushqimin, strehimin dhe veshmbathjen. Ato përbëjnë një gamë më të gjerë, duke i përfshirë natyrisht edhe këto.
Pejgamberi ynë i dashur Muhammedi a.s. ka thënë se dhurata më e mirë që prindi mund t’ia bëjë fëmijës së vet është edukimi i mirë (Tirmidhiu, “Birr”, 33). Edukata e mirë u hap derën shumë sendeve të bukura... Çdo prind ka dëshirë që fëmijës së vet t’i japë një edukatë të mirë. Një fëmijë i edukuar mirë, do të jetë i dobishëm për shoqërinë, për rrethin, për prindërit dhe për vetveten. Mirëpo, për fat të keq, pikërisht që nga kjo pikë, pra nga pika e edukimit të fëmijës, vërehen mjaft gabime të prindërve dhe të rrethit familjar e më gjerë. Në të shumtën e rasteve, dhuna që ushtrohet ndaj fëmijëve arsyetohet me “qëllim edukimi”. Sipas këtij botëkuptimi, fëmija rrihet për t’u bërë i edukuar. Këto gabime, për fat të keq, kanë zënë vend edhe në shumë thënie popullore si “Dajaku ka dalë nga Xhenneti”, “Aty ku të bie mësuesi mbin lule” etj. Njerëzit në të shumtën e herëve nuk e pranojnë se ushtrojnë dhunë... Sepse ata kanë një arsye “legjitime” për këtë: Ata me këtë kinse i edukojnë fëmijët e tyre! Mirëpo në qoftë se pakëz mendojmë për shkaqet dhe pasojat e veprimeve tona dhe pa e lënë pas dore peshoren e drejtësisë, para nesh do të shfaqet haptas kjo tablo: dhuna në fakt është pasojë e zemërimit tonë, e lakmisë sonë, e ngutjes sonë, e mosnjohjes së botës shpirtërore të fëmijës sonë si dhe, përfundimisht, e paaftësisë dhe e mossuksesit tonë në krijimin e një komunikimi të drejtë e të shëndoshë me ta.
Dhuna mund të përkufizohet nga pikëvështrime të ndryshme. Ne do ta japim përkufizimin e shënuar në fjalorin e Institutit të Gjuhës Turke: “Përdorimi i forcës së ashpër, në vend të bindjes e të gjetjes së pajtueshmërisë, kundrejt atyre që kanë mendim ndryshe nga ne.” (Ndërsa në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe dhuna nënkupton „ushtrimin e forcës a shtrëngimin me mjete e me mënyra të vrazhda ndaj dikujt; detyrim a shtypje me anë të forcës“. – R. N.)
Në qoftë se shikojmë më me kujdes, dhe ashtu siç do të shohim edhe në pjesët e ardhshme të kësaj broshure, do të vërejmë se ka disa lloje të dhunës, edhe pse në radhë të parë ne me këtë nënkuptojmë dajakun. Prandaj, edhe pse ne fillimisht me dëshira dhe ëndrra të mëdha e pritnim ardhjen në këtë botë të fëmijëve tanë, ata, për fat të keq, kohë pas kohe u nënshtrohen formave të ndryshme të dhunës si brenda rrethit familjar ashtu edhe jashtë tij.

Nga turqishtja: Rehan Neziri

Post a Comment

0 Comments