Haxhi është një obligim i detyruar fetar dhe një ndër pesë shtyllat themelore të Islamit. Obligimi i tij është përcaktuar nga fundi i vitit të nëntë hixhri. Për të, në Kuran thuhet: “Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabesë) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo.” (Ali Imran, 97). Gjithashtu i Dërguari i Allahut a.s., në hadithin e gjatë në të cilin iu përgjigj pyetjeve të parashtruara të melekut Xhibril, konfirmoi se haxhi është një nga pesë shtyllat e Islamit. Muhamedi a.s. ka thënë: “Islami është ngritur mbi pesë shtylla-baza:... ndër to kryerja e haxhit.” (Buhariu dhe Muslimi).
Kryerja e haxhit është obligim vetëm një herë gjatë jetës, ndërsa kryerja e tij më shumë se një herë është nafile - vepër vullnetare. Muhamedi a.s. ka thënë: “Haxhi është i obliguar vetëm një herë, ndërsa ai që e kryen disa herë, kjo është nafile.”(1)
Pra, haxhi është një obligim individual që duhet të kryhet një herë në jetë, për të gjithë ata persona që kanë përmbushur kushtet e obligueshmërisë, kushte këto që në rast të mos përmbushjes së qoftë dhe vetëm njërit prej tyre, njeriu shkarkohet nga obligimi, dhe haxhi nuk mbetet farz për të.
Kushtet e obligueshmërisë së haxhit
Kushte të cilat në momentin që plotësohen të gjitha bashkërisht te një person, ia bëjnë obligim haxhin janë:
Islami.
Për t’u bërë obligim haxhi, personi duhet të jetë mysliman, sepse haxhi është një prej pesë shtyllave të Islamit, për të cilën obligohen vetëm myslimanët. Nga jomyslimani nuk kërkohet kryerja e haxhit, përveç nëse ai paraprakisht pranon Islamin. Nëse myslimani ka kryer haxhin dikur dhe më pastaj ka braktisur fenë islame, pas pranimit të serishëm të Islamit, sipas hanefitëve, malikitëve dhe një mendimi të hambelitëve, ai përsëri duhet ta kryej haxhin, nëse ekziston mundësia, ngase duke mohuar Islamin, ai i ka shlyer të gjitha veprat e kryera më herët. Ndërsa shafitë dhe mendimi bazë i hambelitëve, mendojnë se personi i tillë nuk është i obliguar ta përsërisë haxhin edhe një herë, dhe se haxhi i tij mbetet i vlefshëm.
Të jetë i shëndoshë mendërisht.
Personi duhet të ketë psikikë të shëndoshë, sepse ai që është me të meta mendore nuk e ka obligim kryerjen e haxhit. Mirëpo, nëse personi e kryen haxhin duke qenë i shëndoshë, dhe më pastaj sëmuret mendërisht, haxhi që e ka kryer, konsiderohet i vlefshëm dhe ai nuk është i obliguar për ta kryer sërish, kur të shëndoshet.
Pjekuria.
Kjo nënkupton se personi duhet të jetë mbi moshën madhore, moshë kjo që kur personi të hyjë në të, sipas rregullave të Sheriatit obligohet t’i kryejë obligimet e caktuara fetare, rrjedhimisht edhe haxhin. Nëse fëmija e kryen haxhin, haxhi i tij është në rregull, por atij i kërkohet ta bëjë haxhin prej kohës kur hynë në moshën madhore, nëse i plotëson kushtet e parapara, sepse haxhi i bëhet detyrim atij vetëm pasi ta arrijë moshën madhore.
Të jetë i lirë, jo i robëruar.
Robi dhe ai që është i zënë peng ose i okupuar nga armiku nuk e ka obligim që të shkoj në Qabe, madje një gjë e tillë në rrethana të tilla as nuk mund të realizohet.
Që ta dijë se haxhi është obligim për t’u kryer.
Ky kusht vlen vetëm për personin që jeton në vendet e jobesimtarëve, aty ku informimi për dispozitat e Islamit është më i vështirë. Nëse personin e tillë e njoftojnë dy burra ose një burrë dhe dy gra se kryerja e haxhit është farz, llogaritet se tashmë ai e di obligueshmërinë e haxhit. Ky kusht nuk vlen për atë që jeton në mesin e myslimanëve. Për të, mosnjohja e dispozitave themelore të Islamit nuk mund të përbëjë kurrfarë arsyetimi legjitim që të shkarkohet nga obligueshmëria e haxhit.
Të ketë mundësi.
Mundësia këtu nënkupton përfshirjen e tri komponentëve esenciale, pa plotësimin e të cilave njeriu llogaritet se nuk ka mundësi ta kryej haxhin.
a. mundësia fizike – të jetë i shëndoshë fizikisht që të mund t’i përballoj vështirësitë e udhëtimit dhe të ritualeve të haxhit. Nëse njeriu është i sëmurë nga ndonjë sëmundje që ka mundësi të shërohet, atëherë ai pret derisa të shërohet e pastaj e kryen haxhin. Ndërsa, nëse sëmundja është e atij lloji nga e cila nuk pritet shërim, atëherë e dërgon dikë tjetër për ta kryer haxhin për të (bedel).
b. mundësia materiale për udhëtim dhe qëndrim në haxh – me kusht që të mos ketë as borxhe, si dhe mundësia për të lënë pasuri të mjaftueshme për familjarët e vet që i ka lënë në shtëpi nëse ata varen prej tij, duke u siguruar atyre ushqim, vendbanim dhe veshmbathje derisa të kthehet.
c. siguria e rrugës për të udhëtuar – të jetë i sigurt dhe mos të ketë frikë për të marrë rrugë, qoftë nga armiku apo nga çfarëdolloj kërcënimi tjetër i mundshëm.
Gruaja të ketë mahrem.
Të jetë në shoqërim të bashkëshortit të saj, ose ta përcjellë atë një mashkull i afërm, me të cilin nuk ka të drejtë të martohet në asnjë rrethanë, e nëse as kjo nuk është e mundur, atëherë eventualisht të jetë në shoqërim të grave të ndershme dhe të besueshme. Mos të jetë në kohën e idetit – pritjes nga shkurorëzimi apo vdekja e burrit.(2)
Kushtet e vlefshmërisë së haxhit
Kushtet e vlefshmërisë janë ato të cilat, nëse nuk plotësohen, edhe nëse kryhet haxhi, nuk është i vlefshëm. Pra në mënyrë që haxhi i kryer të jetë i vlefshëm, duhet të plotëson edhe këto kushte:
Hyrja në ihram me nijet të pastër dhe të sinqertë për kryerjen e haxhit. Haxhi është ibadet – adhurim, ndërsa është e qartë dhe dihet mirëfilli se ibadetet nuk mund të pranohen tek Allahu nëse ato nuk bëhen vetëm për hir të Tij. Ihrami në thelb nënkupton nijetin për hyrje apo fillim të ritualit të haxhit i cili shoqërohet edhe me telbijen. Mirëpo ky nijet manifestohet me veshjen e dy petkave të bardha. Ihrami në këtë kuptim (pra të nijetit për haxh) te hanefitë llogaritet si kusht i vlefshmërisë, ndërsa te shumë dijetarë llogaritet si farz – obligim i prerë i haxhit.
Ndërsa vetë petku ose veshja e ihramit, që ishte si manifestim i ihramit konsiderohet si vaxhib i tij. Ihrami realizohet me veshjen e atyre dy petkave te bardha, të pa qepura në mes vete, me njërën prej të cilave mbulohet avreti – pjesa nën kërthizë, dhe tjetra hidhet mbi supe te meshkujt. Ndërsa femrat kryejnë ritualet e haxhit me veshjen e tyre të rëndomtë, sepse për to nuk ka rroba të veçanta të cilat llogariten ihram për to.
Për veshjen e ihramit kemi vend dhe kohë të caktuar. Sa i përket kohës së veshjes së tij, ajo është e njohur qysh nga koha e Ibrahimit dhe Ismailit a.s.. Koha e veshjes së ihramit në fakt fillon dhe mund të realizohet brenda muajve të haxhit e të cilët janë muaji sheval, dhulkade dhe dhjetë ditët e para të muajit dhulhixheh. Këta muaj janë të përmendur në Kuran, ku Allahu i Madhërishëm thotë: “Haxhi është në muajt e caktuar.” (El Bekare, 197).
Ndërsa sa u përket vendeve të veshjes së ihramit, po ashtu ato janë të përcaktuara dhe quhen mikate - vendveshje të ihrameve, të cilat haxhiu nuk lejohet t’i tejkalojë pa veshjen e ihramit, pa marrë parasysh a vjen nga toka, deti apo ajri – përmes fluturimeve. Kalimi i atyre pikave pa ihram, dhe moskthimi i serishëm aty, nënkupton obligueshmërinë e therjes së një kurbani të vogël. Ndërsa banorët e Mekës dhe ata të rrethinës së saj, të cilët jetojnë më afër se sa mikatet, veshjen e ihramave e bëjnë nga shtëpitë e tyre.
Veshja e ihramit në kohë dhe vend të caktuar ka simboliken e vet dhe bëhet me qëllim që ai i cili ka marrë rrugën për ta kryer haxhin ta ndërrojë gjendjen e tij shpirtërore dhe pamjen e tij fizike, pra të pastrohet nga çdo e keqe dhe ta largojë çdo vepër apo mendim të ligë prej vetes së tij. Rëndësi të veçantë mikateve – vendveshjeve të ihramave u dha vetë Pejgamberi a.s., i cili i caktoi ato në të gjitha anët e Mekës. Ato janë në distancë të ndryshme nga Meka e shenjtë, varësisht se nga cila anë vjen haxhiu.
Transmetohet nga Ibën Abasi r.a. se ka thënë: “Na i ka caktuar neve i Dërguari i Allahut a.s. të gjitha mikatet – vendveshjet e ihramave, kështu që për banorët e Medinës është Dhul Hulejfe, për banorët e Shamit është El Xhuhfetu, për banorët e Nexhdit është Karnul Menazil, për banorët e Jemenit është Jelemlemi, dhe ka thënë: “Këto mikate – vendveshje janë për banorët e këtyre vendeve, e edhe për ata që kalojnë për këto vende prej haxhilerëve të tjerë, prej atyre që dëshirojnë ta kryejnë haxhin ose umren, ndërsa kush banon brenda këtyre vendeve (më afër Mekës), atëherë ai e vesh ihramin nga shtëpia e tij.” (Muslimi).
Personi që ka vendosur për kryerjen e këtij obligimi, duhet t’i nënshtrohet disa rregullave të veçanta, sidomos pas hyrjes së tij në ihram, e që nënkupton fillimin e kryerjes së obligimi të haxhit.
Para se të hyhet në ihram, është e pëlqyer prerja e thonjve, shkurtimi i mustaqeve, prerja e flokëve ose rregullimi i tyre. Pastrimi apo marrja abdes para se të hyhet në ihram është synet i fortë. Gjithashtu është e pëlqyer parfumimi i trupit para ihramit, si dhe është synet falja e dy rekateve namaz (jashtë kohërave në të cilat ndalohet namazi).
Pas hyrjes në ihram, haxhiut i ndalohen disa gjëra siç janë: marrëdhëniet intime dhe çdo veprim tjetër që mund të sjell deri te ky akt, si puthja, ledhatimi, përqafimi dhe prekja me epsh. Ndalohet nëpërkëmbja e çdo dispozite të Sheriatit si dhe grindja me njerëz. Allahu i Lartësuar thotë: “Haxhi është në muajt e caktuar e kush bën (ia fillon të zbatojë) haxhin në këta muaj, nuk duhet afruar gruas, nuk bën të merr nëpër këmbë dispozitat e Sheriatit, as nuk duhet shkaktuar grindje.” (El Bekare, 197). Ndalohet gjuetia tokësore. Në Kuran thuhet: “Kurse gjahu tokësor u është ndaluar sa të jeni në ihram” (El Maide, 96). Gjithashtu ndalohet këputja ose prerja e bimëve, barit, ose pemëve që kanë mbirë vetvetiu në territorin e Haremit të Qabesë (ndërsa ato që i ka mbjellë njeriu lejohet edhe të prehen). Ndalohet përdorimi i parfumit në rroba ose trup, sikurse që ndalohet edhe prerja e thonjve. Mashkullit i ndalohet të vesh diç që është e qepur, si këmishë etj.. Ndalohet mbulimi i kokës dhe i fytyrës me çfarëdo petku. Ndalohet qethja ose rruajtja e flokëve, ose e çdo qimeje të trupit, si dhe lyerja e flokëve ose trupit me yndyra që përmbajnë erë parfumi.(3)
Që haxhi të kryhet në kohën e vet dhe në vendet e veta të caktuara. Haxhi duhet të kryhet dhe është i pranuar vetëm nëse kryhet në muajt dhe ditët e caktuara, ashtu siç ka thënë Allahu i Madhërishëm: “Haxhi është në muajt e caktuar.” (El Bekare, 197).
Po ashtu ai pranohet që të kryhet vetëm në vendet e caktuara (Qabe, Arafat, Muzdelife, Mine), në të cilat realizohen ritualet e haxhit.
Personat që i plotësojnë këto kushte obligohen me kryerjen e haxhit po atë vit që i kanë plotësuar ato, dhe shtyrja e haxhit për vitin tjetër pas plotësimit të kushteve të obligueshmërisë është mëkat tek Allahu.
Allahu ua mundësoftë dhe ua lehtësoftë vizitën e vendeve të shenjta çdo myslimani e myslimaneje! Amin!
____________________________
1. Shih kaptinën e haxhit në Sahihun e Muslimit.
2. Shih: El Fikh el Islami ve ediletuhu, prof. dr. Vehbet ez Zuhejli, fq. 2076- 2084, bot. 4, 2002, Darul Fikr, Dimeshk, dhe Kitabul Fikh alel medhahib el erbeatu, Abdurrahman bin Muhamed el Xheziri, fq. 377-378. bot. 1, 2001, Dar ibën Hazem, Bejrut.
3. Kitabul Fikh alel medhahib el erbeatu, Abdurrahman bin Muhamed el Xheziri, fq. 360-362.
Mr. Fitim Gashi
0 Comments