Advertisement

Responsive Advertisement

A lejohet zëvendësimi për Haxh?

 

A lejohet zëvendësimi për Haxh?

Pyetja: Çfarë është qëndrimi i Sheriatit islamik për personin të cilit i kanë vdekur prindërit e tij dhe nuk e kanë kryer Haxhin, a lejohet që Haxhin për ta ta kryejë dikush tjetër, apo nuk lejohet?


Përgjigjja: (Pyetjeve u përgjigjet Dr. Jusuf el-Kardavi, Kryetar i Ligës Botërore Islame):

Falënderimi qoftë për Allahun, ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi ata që e pasojnë.

Esenca e adhurimeve (ibadeteve) - sidomos e adhurimeve fizike/trupore – është që njeriu vetë t’i kryejë ato. E nëse nuk i kryen vetë personalisht, atëherë mund t’i kryejnë pas tij fëmijët e tij. Sepse Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Fëmijët tuaj janë nga fitimi juaj”. Fëmija i prindit është pjesë e tij, ai është pjesë e veprës së tij, dhe konsiderohet vazhdimi i tij edhe pas vdekjes së tij, siç theksohet në hadith: “Nëse vdes biri Ademit (njeriu), do t’i ndërpriten veprat e tij, përveç në tri raste: nëse ka lënë pas vetes një vepër bamirësie (sadaka) të vazhdueshme, nëse ka lënë një dituri nga e cila përfitojnë të tjerët, dhe nëse ka lënë një fëmijë të mirë, i cili lutet për të”.

Pra, fëmija i mirë është vazhdimi i prindit të tij dhe vazhdimësi e ekzistencës së tij. Së këndejmi, u lejohet fëmijëve të tij që ta kryejnë Haxhin në vend të prindit të tyre. E nëse nuk e kryejnë vetë, ata kanë mundësi të autorizojnë dikë tjetër që ta kryejë Haxhin në vend të tyre. E kishte pyetur një grua Pejgamberin s.a.v.s. për babanë e saj, për të cilin Haxhi ishte bërë i obliguar në pleqëri, kur as nuk ishte në gjendje të udhëtonte, pastaj kishte vdekur, pa e kryer Haxhin. A ta kryente ajo Haxhin për të? Tha: “Po, kryeje Haxhin për të”. Edhe një grua tjetër – siç theksohet në hadithin e Ibni Abbasit – e kishte pyetur Pejgamberin s.a.v.s.: ”A të kryente Haxhin për nënën e saj, e cila ishte zotuar se do ta kryente Haxhin, por ndërkohë kishte vdekur pa e kryer? Thotë: “Kryeje Haxhin për të, si do të ishte po të kishte ajo ndonjë borxh, a do t’ia paguaje?” Tha: Po. Tha (Pejgamberi s.a.v.s.): Atëherë kryeje, Allahu meriton më tepër që t’i paguhet”. Kurse, sipas një transmetimi tjetër, “Borxhi i Allahut është me prioritet në pagesë”.

Sikur që fëmija mund t’ia paguajë prindit të vet borxhin, ai po ashtu mund ta bëjë këtë edhe në çështjet shpirtërore dhe në çështjet e adhurimit. Kështu, e bija a i biri mund ta kryejë Haxhin për prindin e vet, ose së paku mund të autorizojë dikë që ta bëjë këtë. Haxhin duhet ta kryejë duke filluar nga vendi (qyteti) i tij, përkatësisht nga vendi prej nga e ka pasur obligim ta kryente Haxhin i ndjeri. P.sh., nëse ka qenë nga Katari, kur ta autorizojë dikë, ai duhet të shkojë nga Katari, e jo nga ndonjë vend tjetër; ose nëse ka qenë nga Siria, ai duhet të shkojë në Haxh duke u nisur nga Siria, dhe kështu më tutje... Përjashtimisht, nëse nuk i mjaftojnë mjetet financiare të vdekurit – nëse ka pasur ndërmend ta kryejë Haxhin me mjetet e tij – atëherë, prej nga ka mundësi të plotësohen mjetet për këtë obligim.
Në rast se fëmija e dërgon të autorizuarin për Haxhin e prindit me mjetet e tij financiare, atëherë ai e bën këtë prej cilit vend të ketë mundësi materiale.
Kush shkon në Haxh për tjetërkënd, ai e ka kusht që së pari ta këtë kryer Haxhin për vete.

Dr. Jusuf El-Kardavi
Nga gjuha arabe përktheu dhe përshtati: Miftar Ajdini

Post a Comment

0 Comments