Advertisement

Responsive Advertisement

A lejohet prerja e thonjve dhe rruajtja e kokës gjatë dhjetë ditëve të para të muajit Dhulhixhxhe?

 

A lejohet prerja e thonjve dhe rruajtja e kokës gjatë dhjetë ditëve të para të muajit Dhulhixhxhe?

LEJIMI I PREREJES SË THONJVE DHE RRUAJTJES SË KOKËS GJATË 10 DITËVE TË PARA TË MUAJIT DHULHIXHE.

(Të nderuar lexues, si zakonisht kur afrohen kohët më të vlefshme për adhurime, në skenë paraqiten fetva të quajtura “Exspres” fetva, që borojnë nga njerëz që ose nuk dinë kriteret e fetvave apo synojnë vetëm për të shkaktuar huti te xhemati jonë. Ata që merren me këto çështje duhet të jenë besnik dhe të sinqertë ndaj argumenteve nëse jo me xhematin. Duhet të jetë i sinqertë me aspektet shkencore islame dhe të tregoj mënyrën e shkoqitjes së argumenteve dhe të lidhë mendimin me mendimtarin, jo ta përvetësoj për vete. Lidhje me këtë çështje lexuesve po ua barti një punim me vlera shkencore i punuar nga dijetari dhe profesionisti i njohur i jurisprudencës islame Prof. Dr. Taxhedin Bislimi. Temën po e paraqes pa kurrfarë reduktimi.)

Lejimi i prerjes së thonjve dhe rruarjes së kokës gjatë 10 ditëve të para të Muajit Dhulhixhe, për ata që nuk janë në Haxh.

Sipas medhhebit hanefi dhe shumë dijetarëve tjerë, për ata persona që dëshirojnë të therin kurban lejohet prerja e thonjve dhe qethja e flokut, respektivisht rruajtja e mjekrës apo shkurtimi i saj. Që nënkupton se nuk është e ndaluar qethja e flokut dhe prerja e thonjve.

Hanefijtë dhe dijetarët tjerë, të cilët lejojnë qethjen e flokut, mjekrës dhe prerjes së thonjve qëndrimin e tyre e bazojnë në disa argumente;

1.Në Hadithin të cilin e transmeton Aisheja r.a.h., e cila thotë:
“Zijad ibn Ebi Sufjan i kishte dërguar një shkresë Aishes r.a.h., (në të cilën thuhej) se Abdulla ibn Abbasi r.a. thotë: Kush dërgon hedji (hedije-kurban për në Mekke) atij i ndalohet, ajo që i ndalohet haxhiut derisa ta therë hedjin (kurbanin) e tij. Umrete (bint Abdurrahman r.a.h.) ka thënë: Aisheja r.a. ka thënë: Nuk është ashtu siç ka thënë Ibni Abbasi. Unë me dy duart e mia kamë përdredh varëset e qafës (kollaret) e hedjeve (dhuratave, kurbaneve) të Të Dërguarit të All-llahut sa.v.s.. pastaj i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. me dy duart e tij ua kishte vënë (kurbaneve) në qafë. Pastaj ato i dërgoi me babin tim (për në Mekke), ndërsa të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s. nuk ju kishte ndaluar asgjë, nga ajo që ia kishte lejuar All-llahu atij, kështu derisa ishin therur hedjet (kurbanet). Transmeton Buhariu, nr, i hadithit, 1700. Muslimi, nr 1321. Tirmidhiu, nr 909. Ebu Davudi, nr 1758. Nesaiu, nr 2788. Ibni Maxheh, nr 3095. Imam Ahmedi 25565.
Nga ky hadith kuptohet se:
-I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. kishte dërguar hedji (hedije- kurban) për në Mekke, ndërsa dërgimi i hedjit për në Mekke është më me vlerë dhe më me peshë se sa therja e kurbanit, por me gjithë atë Pegamberi a.s. asgjë nuk i ndaloi vetvetes së tij, andaj, nuk është e mundur që Pejgamberi a.s. të tjerët t’i ndaloj për një gjë ndërsa Ai a.s. e vepron të njëjtën.
-Nëse vendosja dhe dëshira për të ther kurban nuk ndalon shumë sende tjera, të cilat i ndalohen muhrimit (haxhiut), siç janë veshja e rrobave, parfumimi, gjuetia dhe marrëdhëniet intime, kur dihet se më e ndaluara dhe më e rrezikshmja nga këto të gjitha është marrëdhënia intime, e cila nëse ndodh gjatë haxhit, haxhin e bënë të kotë, prandaj, nëse të gjitha këto janë të lejuara, atëherë, pse mos të jenë të lejuara prerja e thonjve dhe ruajtja e flokut. Prandaj është apriori që sendet e tilla të jenë të lejuara.
-Kjo çështje nuk mund të bëhet analogji me muhrimin (haxhiun), respektivisht, nuk mund të themi se ai që nuk ka shkuar në haxh duhet t’i ngjason atyre që janë duke e kryer haxhin. Sepse këtij që nuk ka shkuar për në haxh, nuk i ndalohet marrëdhënia intime me bashkëshorten e tij, nuk i ndalohet veshmbathja, nuk i ndalohet parfumi e sende tjera. Prandaj, nuk mund të krahasohet me muhrimin për në haxh.

2. Ky hadith, respektivisht, hadithin që e transmeton Aisheja r.a.h. është më i fortë dhe më autentik se sa hadithin të cilin e transmeton Ummu Selemete r.a.h., për faktin se hadithi i Aishes r.a.h. është hadith mutevatir (i plotëbesueshëm), kurse hadithi i Ummu Selemete r.a.h. është hadith ahad, për të cilin transmetuesit kanë divergjenca (mospajtime) mes tyre, se ky hadith është merfu apo hadith mevkuf. Dijetarët e hadithit thonë se, hadithi i Ummi Selemete r.a.h. është hadith mevkuf, kurse hadithi i Aishes r.a.h. është hadith merfu. Dihet fakti se hadithi sahih (autentik) merfu ka përparësi ndaj hadithit mevkuf. Prandaj, hadithi i Ummi Selemete r.a.h. është hadith i përfolur.

3. Hadithi i Ummi Selemet r.a.h. është hadith Hass (i përmend disa sende të caktuara) mos prerjen e thonjve dhe mos qethjen, kurse hadithi i Aishes r.a.h. është hadith Amm (i përfshin të gjitha sendet) i lejon ti gjitha veprimet. Andaj, sipas rregullave të usuli fikhut, në këtë rast bëhet posaçësimi i argumentit të përgjithshm (ar, El-Aam) me argumentin e posaçëm (ar, El-hass). Që sipas kësaj në këtë rast do të thotë se, çdo gjë është e lejuar për atë që dëshiron të ther kurban, përveç qethjes dhe prerjes së thonjve. Kjo është kështu, kur dy argumentet – dy tekstet janë të një rangut, respektivisht, të një kategorie, për shembull, dy argumentet janë mutevetir apo ahad, ndërsa kur nuk janë të një rangu dhe shkalle atëherë nuk vjen në shprehje posaçësimi i El-Aamit me El-Hassin. Në këtë rast, hadithi i Aishes r.a.h. është mutevatir kurse i Ummi Selemet r.a.h. është ahad, prandaj nuk ka ndonjë kundërshtim mes tyre dhe kështu nuk mund që hadithi i Ummi Selemete r.a.h. të përjashton diçka (qethjen dhe prerjen e thonjve) nga hadithi i Aishes r.a.h..
Ngjashëm me këtë është edhe rregulli i usuli fikhut se, nëse mes dy teksteve ka kundërshtim (kuptohet në shikim sipërfaqësor, formal dhe në shikim të parë), kur njëri tekst (argument) ndalon, kurse tjetri lejon, përparësi i jepet tekstit, i cili ndalon. Në këtë rast, hadithi i Ummi Selemete r.a.h. ndalon, ndërsa hadithi i Aishes r.a.h. lejon, sipas kësaj rregulle dhe principi duhet vepruar me hadithin e Ummi Selemete r.a.h., kështu duhet vepruar kur dy tekstet janë të një rangu, mirëpo, marr parasysh se në këtë rast njëri argument është mutevetir (hadithi i Aishes r.a.h.), kurse tjetri është ahad, atëherë nuk veprohet me këtë rregull, sepse, nuk ka ndonjë kundërshtim dhe divergjencë mes dy teksteve.
Hanefit dhe dijetarët tjerë, qëndrimin e tyre e mbështesin edhe në argumente tjera, për ata që dëshirojnë më tepër mund të konsultojnë literaturën e jurisprudencës islame dhe shkencën e hadithit.

Shënim:
Ata (hoxhallarët) të cilët prononcohen dhe flasin në lidhje me këtë çështje dhe çështje tjera, që kanë të bëjnë me jurisprudencën Islame, duhet të përmendin dhe theksojnë se mendimin dhe qëndrimin e cilit medhheb e përcjellin dhe jo thjesht të thonë se ky është qëndrimi i Sheriatit Islam në lidhje me këtë çështje, sepse atyre që ju lejohet të thonë se kështu është vendimi dhe qëndrimi i Sheriatit Islam, pa mos e përmend ndonjë medhheb apo dijetar eminent, duhet të jenë dijetar të dëshmuar, respektivisht “Muxhtehid”.
Prandaj, kujdes, kujdes se kjo shpien dhe shkakton huti, dyshim dhe mos besim në mesin e muslimanëve! All-llahu i Lartësuar e di më së miri.

Autor: Prof. Dr. Taxhedin ef. BISLIMI

Post a Comment

0 Comments