Stereotipat dhe paragjykimet
Stereotipat dhe paragjykimet janë mënyra se si mund të kategorizohet bota rreth nesh. Stereotipi u përshkruan karakteristika të tjera, roleve shoqërore të anëtarëve të një grupi shoqëror, dhe kështu turbullon tiparet individuale dhe ndryshimet midis anëtarëve. Një nga elementët më të dallueshëm të stereotipave dhe paragjykimeve qëndron në faktin se ato zakonisht krijohen nga ata që kanë pushtetin dhe zbatohen nga ata që nuk e kanë, të cilët nuk mund të kontrollojnë mënyrën se si perceptohen nga të tjerët dhe nuk mund të jenë në gjendje të ndryshojnë këto perceptime.
Duke u bazuar në përkufizimin e fjalorit të Kembrixhit, stereotipat janë “një ide e fiksuar që kanë njerëzit për dikë apo diçka, veçanërisht kur bëhet fjalë për një ide të gabuar”; po në bazë të këtij fjalori, paragjykimet janë “një mendim i padrejtë dhe i paarsyeshëm apo ndjenjë, veçanërisht kur krijohet pa u menduar mirë, ose pa pasur njohuri të mjaftueshme”.(1)
Stereotipi ka shumë karakteristika negative dhe shpesh formulohet në bazë të të dhënave të pa verifikuara, false. Stereotipat e tilla janë shumë të përshtatshëm për personalitetet stereotipike. Ata nuk duan të mendojnë dhe është më lehtë të ndjekin mendimin e imponuar nga publiku. Personaliteti stereotip nuk i dëgjon dëshirat e tij dhe përpiqet të përshtatet me pritjet e të tjerëve në mënyrë që të marrë miratimin e tyre.
Me fjalë të tjera, stereotipat janë perceptime dhe klishe, ndërsa paragjykimet janë ndjenja të paarsyeshme të frikës dhe mospëlqimit ndaj dikujt apo diçkaje.
Gruaja myslimane përtej stereotipave
Ndoshta çështja më e keqkuptuar dhe më e stereotipizuar lidhur me myslimanët dhe besimin e tyre është tema e gruas. Nga perceptimi i përgjithshëm se gratë myslimane janë të shtypura e deri te pikëpamjet më specifike rreth arsimit, të drejtave martesore dhe lirisë, stereotipat janë të shumta, të ndryshme dhe të përhapura gjerësisht.
Stereotipat negative mbi mbulesën islame kanë ndikuar në diskriminimin dhe paragjykimin e femrës myslimane. Ky popullarizim i stereotipave negative është promovuar shpesh- herë nga media ose figurat publike. Kjo ka bërë që femra myslimane në shoqëri të përballet me sfida, pengesa, para- gjykime, barriera etj..
Parimet themelore, qëndrimet dhe urdhrat në lidhje me rolin e gruas janë të parashtruara në Kuran dhe në traditën profetike. Ashtu si në fetë e tjera, interpretimi i burimeve të shkrimeve të shenjta ndryshon shumë në komunitete të ndryshme, në kultura të ndryshme, në rrethana të ndryshme historike, madje edhe nga individi në individ.
Disa nga stereotipat më të zakonshme për gratë myslimane janë: të shtypura, të nënshtruara, qytetare të dorës së dytë me pak ose aspak të drejta, të fshehura pas shtresave të mbulesave, të paarsimuara dhe kryesisht janë të mira vetëm për të lindur fëmijë.
Sipas një sondazhi të Gallup-it të vitit 2010, 81% e amerikanëve të anketuar nuk pajtohen me deklaratën se shumica e myslimanëve besojnë se gratë dhe burrat duhet të kenë të drejta të barabarta.(2)
Burimet kryesore të këtyre stereotipave
Media botërore
Meqenëse shumica e amerikanëve apo e qytetarëve evropianë nuk njohin shumë myslimanë personalisht, media shpesh është burimi kryesor i informacionit për Islamin dhe pasuesit e tij.
Kjo mund të jetë problematike, pasi mediat priren të fokusohen në ngjarje dhe çështje negative – lajmet e mira përgjithësisht nuk konsiderohen të dobishme apo të vlefshme. Mediat gjithashtu janë të fiksuara te lajmet sensacionale dhe që bëjnë zhurmë, në mënyrë që të tërheqin audiencën.
Vështirë se sheh në media histori për jetën e përditshme të myslimanëve që janë njerëz të zakonshëm, në punë ose në shkollë, e jo më histori pozitive për kontributet e myslimanëve. Kjo është veçanërisht e vërtetë për tregimet për gratë myslimane, të cilat përgjithësisht fokusohen vetëm në histori të bujshme rreth konfliktit apo dhunës, ndërkohë që rrallë transmetohen arritjet pozitive të grave myslimane në shumë fusha të jetës. Për shembull, media e ka cilësuar se një nga arsyet e luftës në Afganistan ishte dëshira për të “çliruar” gratë afgane nga talebanët, por pas rënies së talebanëve, media në përgjithësi e humbi interesin për statusin dhe avancimin e grave afgane.
Hollivudi
Një burim i dytë i perceptimeve negative për gratë myslimane janë filmat e Hollivudit, të cilët priren të portretizojnë myslimanët në përgjithësi dhe gratë myslimane në veçanti, në mënyra stereotipi.
• Me një nga fotografitë e hershme të filmit “The Sheik” me protagonist Rudolph Valentino, Hollivudi i ka portretizuar gratë arabe dhe myslimane ose si anëtare të një haremi, gra të shtypura të terroristëve ose si viktima pa fytyrë që presin shpëtimin nga një hero perëndimor.(3)
• Një nga shembujt më të njohur të një filmi që tregon shtypjen e grave është “Not Without My Daughter”, historia e një gruaje amerikane të martuar me një burrë iranian, i cili befas bëhet shtypës kur ai kthehet në atdheun e tij dhe përpiqet të pengojë vajzën e tij të largohet me nënën e saj. Ky film i vitit 1991 u shfaq shpesh në klasat e studimeve sociale të shkollës së mesme për të mësuar rreth Islamit dhe myslimanëve.
Libra
Shumë libra, si artistikë dhe jo artistikë, ndihmojnë gjithashtu në përjetësimin e stereotipave rreth grave myslimane, duke theksuar vetëm aspekte negative të trajtimit të grave ose abuzimeve të kryera në emër të Islamit, pa pranuar se kulturat ose fetë e tjera ndajnë qëndrime ose praktika të ngjashme, ose se shumë nga këto praktika janë shtrembërime ose në kundërshtim me parimet kryesore islame.
•Një shembull kryesor i një vepre artistike që është përdorur si lexim i kërkuar në shumë shkolla si shtesë mbi historinë islame është “Shabanu”, historia e një vajze 13-vjeçare e detyruar nga prindërit e saj që të martohet me një burrë 55-vjeçar si gruaja e tij e tretë për të shpëtuar familjen e saj nga rrënimi. Kjo dhe vepra të tjera të trillimit thjesht përforcojnë stereotipat e zakonshme për gratë myslimane, të cilat nuk kanë lidhje me mësimet e shkrimeve të shenjta dhe as me praktikat aktuale kulturore.(4)
Retorika e urrejtjes
Myslimanët dhe arabët janë stereotipizuar prej kohësh, por që nga 11 shtator 2001, islamofobia është bërë fokus popullor i individëve dhe grupeve në media, politikë dhe kulturën masive. Një komponent i kësaj fushate, si në Amerikë po ashtu edhe në Evropë, është përqendrimi te gratë myslimane dhe në aspekte të tilla si mbulesa për të ngjallur frikën nga Sheriati ose shtypja e grave. Shpeshherë konteksti i ndalimit të shamisë nuk arsyetohet me padrejtësinë që i bëhet vajzave përmes imponimit për vënien e shamisë, por justifikohet me rrezikun e përhapjes së Islamit dhe futjen e tij brenda institucioneve shtetërore.
Veprimet e myslimanëve
Meqenëse myslimanët janë një grup i larmishëm njerëzish që përfaqësojnë vende dhe tradita të shumta, ata kanë një shumëllojshmëri interpretimesh dhe praktikash fetare. Për më tepër, besimet dhe praktikat kulturore shpesh mund të ngatërrohen ose ndikojnë në besimet dhe praktikat fetare edhe pse në shumë shoqëri myslimane ato shpesh nuk kanë të bëjnë fare me Islamin dhe madje mund të bien ndesh me kuptimet kryesore të myslimanëve të mësimeve kuranore ose profetike. Këto përfshijnë praktika të tilla si vrasjet për nder, kufizimin e arsimimit të vajzave etj..
Diskursi aktual mbi rolin e grave myslimane
Njerëzit janë qenie komplekse dhe reduktimi ose atribuimi i çdo aspekti të sjelljes së tyre ndaj fesë ose ndonjë faktori tjetër të vetëm është i pasaktë.
Diskursi aktual mbi temën e grave myslimane është shpesh problematik, sepse i mungon konteksti i duhur, i cili përfshin jo vetëm ndikimet fetare, por edhe faktorë të tillë si kultura, familja, arsimi, profesioni, statusi socio-ekonomik, si dhe situata politike. Në një vend të caktuar, të gjithë këta faktorë ndikojnë në normat dhe sjelljen.
Gratë myslimane ndryshojnë nga njëra- tjetra në këto atribute po aq sa çdo grua kudo në botë. Krahasimi, për shembull, i një gruaje profesioniste të arsimuar dhe të pasur në Malajzi me një grua që jeton në një fshat në Afganistan do të ishte krejtësisht e palogjikshme; ndërkohë që të dyja janë gra myslimane. Shumë faktorë të situatës së tyre të veçantë të jetës luajnë një rol ndoshta shumë më të madh se feja në përcaktimin e të drejtave të tyre.
Një faktor shtesë që ndikon në steriotipizimin e grave myslimane është pikëpamja e disa feministëve perëndimore se, të gjitha fetë janë patriarkale dhe për këtë arsye në thelb janë shtypëse. Supozime të tilla janë të informuara nga nocionet perëndimore të shtypjes dhe lirisë, si dhe nga vlerat perëndimore që kanë të bëjnë me rolin e gruas në familje dhe shoqëri.
Francezët që e mbështetën ligjin për ndalimin e shamisë, folën për një konflikt që, sipas tyre, ekziston ndërmjet modernizmit emancipues dhe traditës shtypëse. Ndonëse nxënëset franceze që zgjodhën të mbajnë shami, e bënë këtë zgjedhje, jo si anëtare të shoqërive apo të komuniteteve tradicionale, ato pranuan një dallim që ishte tipar i Islamit. Në terminologjinë e përdorur nga sociologu Farhad Khosro- khavar, paraqiten dy qasje mbi marrëdhëniet gjinore: qasja “e hapur” dhe ajo “e mbyllur”, ku të dyja i referohen trajtimit të trupit nga pikëpamja seksuale. Në sistemet “e mbyllura”, marrëdhëniet gjinore rregullohen nga rregullat e modestisë. “Modestia dhe nderi lidhen drejtpërdrejt me mbulimin trupor dhe mendor të gruas (të gruas si mburojë e nderit të komunitetit, si menaxhere e hapësirës private)”. Nëse nga pikëpamja tradicionale, rregulli i familjes dhe pastërtia e krejt mekanizmit social mbështetej në ndarjen mes gjinive, për vajzat myslimane në Francë ishte në lojë vetë integriteti trupor dhe nderi i tyre. Nga ana tjetër, sistemet “e hapura” janë ato në të cilat ekspozimi i trupit nuk shihet si diçka e dëmshme. Në këto sisteme, “njëfarë soditjeje dhe ekspozimi vlerësohet pozitivisht. Gjuha e trupit është ajo që hap dyert e bashkëveprimit me gjininë tjetër”.(5)
Veshja modeste, për shembull, supozohet se është shtypëse sepse në Perëndim “integriteti apo autonomia trupore” konsiderohet si vlerë parësore dhe e padiskutueshme; prandaj, një grua myslimane që zgjedh të vishet në mënyrë modeste supozohet automatikisht si e shtypur. Këto supozime e bëjnë të vështirë përfshirjen në një dialog të vërtetë.
Mbulesa vs stereotipat
Mbulesa synon ta mbrojë femrën dhe t’ia shtojë asaj vlerën dhe fisnikërinë, duke treguar se ajo është e denjë për respekt. Vënia e mbulesës është obligim nga Krijuesi, të cilën e gjejmë të ilustruar në ajetin kuranor: “O Pejgamber, thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) përreth trupit...” (El Ahzab, 59).
Sipas Islamit, gruaja ka obligim të shkollohet, të menaxhojë dhe të kujdeset për pasurinë e vet, ta harxhojë atë dhe të nënshkruajë kontrata sipas interesave të veta, pa lejen e askujt. Ajo ka të drejtën e votës dhe të vetos. Padrejtësitë që i bëhen asaj nuk janë nga Kurani, por nga myslimanët që nuk kuptojnë Kuranin. Islami është në favor të lirisë së gruas. Mbulesa nuk është për ta penguar gruan, por për të ruajtur interesin e përgjithshëm të shoqërisë, nëse ai interes është në pyetje.
Gruaja myslimane arrin të përballojë trysninë globale dhe të mbijetojë me dinjitet e me nder. Një femër myslimane, e devotshme, ka si synim kryesor përmirësimin e sjelljes, të edukatës dhe të veprave të saj; të gjitha këto bëjnë që ajo të sfidojë kohën, vendin dhe këtë sistem të vlerave të instaluara padrejtësisht. Ajo grua që vendos të plotësojë urdhëresat islame dhe vendos mbulesën ka luftuar mbi të gjitha për të pasur më shumë të drejta; lufton për të mos qenë e shtypur nga interesat globale; sfidon kohën, sfidon shoqëritë maskiliste, e vendos vetë për pamjen, për qëndrimin dhe identitetin e vet.(6)
________________________
1. https://rm.coe.int/a-perben-ky-nje-stereotip-nje-mjet-per-te-luftuar- stereotipet-ndaj-rom/1680901eef
2. Religious Perceptions in America With an In-Depth Analysis of U.S. Attitudes Toward Muslims and Islam, Gallup World Survey in conjunction with Muslim West Facts and Coexist Foundation, 2009, 6. http://www. gallup.com/strategicconsulting/153434/ENGLISH-First-PDF-Test.aspx
3. https://en.wikipedia.org/wiki/The_Sheik_(film)
4. https://en.wikipedia.org/wiki/Shabanu,_Daughter_of_the_Wind
5. Chafiq dhe Khosrokhavar, Femmes sous le voile, fq. 145. Fragment i shkëputur nga libri i Joan Wallach Scott me titull: “The Politics of Veil”, (Princeton University Press 2010), fq. 151-175. Përkthyer në shqip me titullin: “Politikat e ferexhesë”
6. Tujani, Klinaku, Rovena “Mbulesa islame përtej paragjykimeve”, https://kumti.com/mbulesa-islame-pertej-paragjykimeve
Armida Plumbi
Dituria Islame 396
/islamgjakova
0 Comments