Zemzem është një pus/burim brenda Xhamisë Saudite, 20 metra në lindje të Qabesë. Pusi i zemzemit ka një histori të veçantë në historinë e njerëzimit sepse ua shton bindjen te Zoti atyre që kanë sadopak besim në zemrat e tyre.
Se si ka rrjedhur historiku i ujit të zemzemit na përshkruan Kurani Famëlartë dhe na tregon vetë Muhamedi a.s .. Ibën Abasi, njëri ndër transmetusit e hadithit na përshkruan tregimin e gjatë të Haxherës me të birin e saj, Ismailin a.s .. Nga kjo ngjarje do të kuptojmë se si Zoti iu përgjigj lutjes së Ibrahimit a.s .. Haxherja ka qenë gruaja e parë që ka përshkruar rrugën deri në shkretëtirë, ku nuk kishte as kushte minimale për jetesë. Sidoqoftë, kur Haxherja e lindi Ismailin a.s., Allahu xh.sh. e urdhëroi Ibrahimin a.s., që t'i dërgonte e t'i linte në një vend të largët e të shkretë. Kur i la aty dhe dëshiroi të kthehej prapa, ajo iu afrua atij dhe e kapi për rroba e i tha: "O Ibrahim, ku po shkon, e ne po na lë këtu pa ujë, bukë e pa shtëpi?" Ai nuk iu përgjigj asgjë. Ajo e pyeti disa herë, por ai nuk iu përgjigjej fare, pastaj ajo iu drejtua me fjalët: ''A të ka urdhëruar Allahu që të veprosh kështu?" Po, tha Ibrahimi a.s .. "Atëherë, ne nuk do të jemi të humbur, tha ajo."(1)
Ibrahimi a.s. largohej derisa arriti te një kthesë derisa nuk mund të shihej më. Aty u kthye kah Qabeja, i ngriti duart dhe filloi të lutej me këto fjalë: "O Zoti ynë! Unë i kam vendosur disa pasardhës të mi në një luginë ku nuk mbillet asgjë te Tempulli yt i Ndershëm, në mënyrë që ata, O Zoti ynë, të falin namazin andaj bëj që zemrat e njerëzve të priren kah ata dhe furnizoji ata me fruta, që te jenë mirënjohës:"(2)
E ëma vazhdonte t'i jepte gji Ismailit a.s., dhe të pinte nga uji që kishte mbetur, kur u është mbaruar uji që e kishin me vete, ata i mori etja.
Ajo filloi ta shihte Ismailin duke u përpëlitur në agoni, ajo e la aty dhe filloj të kërkonte ndonjë njeri nëse e sheh kështu që tu ndihmojë, mirëpo nuk pa asnjë njeri atypari. Andej, jo njeri por as edhe një zog nuk fluturonte! Askund nuk dukej ndonjë shenjë jete! Mirëpo, kur ndodhej në maje të Mervës, pasi nuk gjeti asgjë Haxherja shkoi pranë djalit të saj dhe, për çudi, pa se nga vendi ku ndodhej thembra e këmbës së djalit të saj kishte shpërthyer ujë. Ajo e falënderoi Zotin për atë gëzim të madh. Nga frika se mos mbaronte, bëri një hauz prej rëre dhe ujit i tha zem, zem (Qëndro, qëndro).(3)
Ajo filloi të bënte diçka si pellg rreth tij dhe filloi të mbushte me duar çantën e saj prej lëkure, uji po rridhte, pasi ajo kishte marr pak për vete dhe për djalin e saj. Meleku i tha asaj: "Mos ki frikën se do të braktisesh pasi kjo është Shtëpia e Allahut, e cila do të ndërtohet nga ky djalë dhe babai i tij, se Allahu kurrë nuk i braktis njerëzit e Tij."
Shtëpia (Qabeja) në atë kohë ishte në një vend të ngritur që i ngjasonte një kodrine dhe kur vinin përrenjtë, ata rridhnin në të djathtë dhe në të majtë të saj.
Rihapja e pusit
Kur në Gadishullin Arabik u shfaq idhujtaria dhe njerëzit iu larguan mësimeve të Pejgamberit Ibrahim a.s., burimi i Zemzemit shteroi. Abdulmutalibit, gjyshit të Muhamedit a.s., i është urdhëruar në ëndërr që të hapë pusin Zemzem, dhe i është dëftuar vendi ku duhej gropuar. Gjatë gropimit hasi në sende, të cilat i kishin fshehur xherahimët kur patën ikur nga Meka, gjeti shpata, stoli dhe dy kaproj prej ari. Me shpatat stolisi portën e Qabesë, e muroi pusin dhe hapësirën përreth tij për haxhilerët. Kur u zbulua pusi Zemzem, kurejshitët u grindën me Abdulmutalibin duke thënë: "Ne duam të marrim pjesë me ty", e ky u përgjigj: "Kurrsesi, unë jam i zgjedhuri për këtë punë". Ata nuk e lënë të qetë derisa e nxorën para gjyqit te magjistari nga Beni Seadët. Ende pa u kthyer në shtëpi, këta gjatë rrugës hasën në shenja, të cilat paralajmëronin se Abdulmutalibi kishte të drejtë u betua dhe tha: Në qoftë se Zoti i dhuron dhjetë djem e ai jeton gjersa ata të rriten e ta ndihmojnë, do ta flijoj njërin prej tyre para Qabesë.
Të veçantat e ujit të Zemzemit
Uji i Zemzemit dallon nga ujërat tjerë për nga sasia e kripërave të kalciumit dhe të magnezit. Këto kripëra janë pak më shumë në ujin e Zemzemit sesa në ujërat tjerë. Ndoshta, kjo mund të jetë arsyeja që ky ujë i freskon haxhilerët e lodhur. Por, një e mirë tjetër e ujit të Zemzemit është se ai përmban fluorite, të cilat kanë veprim të frytshëm mikrobevrasës. Pusi i Zemzemit nuk është tharë asnjëherë. Përkundrazi, ai i ka plotësuar gjithmonë nevojat për ujë. Ai ka ruajtur gjithmonë të njëjtën përbërje kripërash dhe të njëjtën shije, qëkur ekziston. Që ky ujë pihet, njihet botërisht, sepse haxhilerët nga e tërë bota e vizitojnë Qabenë çdo vit për Haxh dhe për Umre, dhe asnjëherë nuk janë ankuar për të. Përkundrazi ata janë kënaqur gjithmonë me të. Joshja e ujit të Zemzemit ka qenë dhe është gjithmonë universale.
Zemzemi asnjëherë nuk është trajtuar kimikisht dhe asnjëherë nuk është klorinuar, siç ndodh me ujërat e qyteteve. Zakonisht, në shumicën e puseve ka rritje biologjike dhe bimësi (alga etj.). Kjo e bën ujin e tyre të papëlqyeshëm në shije dhe në erë. Por, me pusin e Zemzemit nuk ndodh kështu. Aty asnjëherë nuk ka pasur shenja rrit jesh biologjike. Për ujin e Zemzemit Pejgamberi s.a.v.s., thotë: "Uji i Zemzemit është përmbushës i atij qëllimi për të cilin pihet."
Disa nga dijetarët e shquar të Islamit për ujin e Zemzemit kanë thënë si në vijim:
Ibën Ebi Xhemreh ka thënë: "Muhamedi a.s., është pastruar me ujin e Xhenetit për faktin se uji i Zemzemit bazën e ka në Xhennet e më pas është përqendruar si burim në tokë.
Suhejliu ka thënë: "Meqë Zemzemi buroi si rezultati i gropimit të Xhibrilit a.s, për nënën e Ismailit a.s., u për-o shtatet faktit se Muhamedi a.s., nipi i Ismailit a.s., është pastruar me këtë ujë me rastin e takimit me këtë melek dhe bisedimit që kishte më të.
Shejhul-islami Siraxhuddin el Belkini ka thënë: "Uji i Zemzemit është më i mirë sesa uji i Keutherit ngase me të është pastruar gjoksi i Pejgamberit a.s.. Zemzemi është uji më i mirë në faqen e dheut. Taberaniu transmeton në El-Kebir dhe në El-Eusat dhe Ibni Hibbani, i cili e ka cilësuar si autentik, se Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë:
"Uji më i mirë në faqen e dheut është uji i Zemzemit; në të ka ushqim që të ngop dhe shërim nga sëmundja." Është vërtetuar se, bazuar në këtë hadith autentik, uji i zemzemit është ushqim, pije dhe shërim.
Ibnul-Kajjimi ka thënë: "Uji i Zemzemit është uji më i mirë, më me vlerë, më i ndritshmi, më i dashuri te shpirti, më i shtrenjti dhe më i çmuari te njerëzit."
Uji i Zemzemit është gropuar nga Xhibrili a.s., dhe është ofruar si pije nga Allahu xh.sh., për Ismailin a.s .. Është ushqim i të uriturit, shërim-ilaç i të sëmurit, uji i tij është favorizuar edhe mbi atë të Keutherit meqë me të është pastruar zemra e Pejgamberit a.s .. Shejhul-islami Siraxhuddin el-Belkini ka thënë: "Uji i Zemzemit është më i mirë sesa uji i Keutherit ngase me të është pastruar gjoksi i Pejgamberit s.a.v.s ..
Ndërsa, përkitazi me atë se është ushqim me shije, pra ushqim që të ngop, kjo është një gjë e ditur. Ka thënë Ibën Abasi r.a., siç rrëfen Abdurr-Rrezzaku në Musnedin e tij, se ujin e Zemzemit e quanim ngopës, e llogaritnim si idare (furnizim) të mirë për familje. Një gjë e tillë është vërtetuar edhe në rrëfimin e Ebu Dherrit kur kishte ardhur në Mekë, tha: "Erdha te Zemzemi dhe pastrova gjakun nga plagët dhe piva nga uji i tij. O nipi im, kam qëndruar tridhjetë ditë e net pa pasur asnjë ushqim përveç ujit të zemzemit. Fitova peshë aq shume saqë barku m'u bë palë-palë dhe në mëlçitë e mia nuk ndieja dobësi të urisë ... " Erdhi Pejgamberi, s.a.v.s., dhe tha:Prej kur je këtu? Jam këtu qysh tridhjetë ditë. Kush të ka ushqyer? - më pyeti. Nuk kam pasur ushqim tjetër përveç Zemzemit dhe ja, kam fituar peshë aq sa barku më është bërë palë-palë dhe nuk ndiej dobësi urie në mëlçinë time - ia ktheva. Pejgamberi s.a.v.s. tha: ''Ai ujë është i bekuar, ai është ushqim ngopës."
Gjithashtu nëna e besimtarëve, Aishja r.a., thotë se Muhamedi a.s., gjithmonë bartte ujë Zemzemi me veti.
Muxhahidi ka thënë: "Nëse e pi ujin e zemzemit që të shërohesh, të shëron Allahu, nëse e pi që të ngopesh, të ngop Allahu me të, nëse e pi që ta largosh etjen, ta largon Allahu atë."
Sheukaniu ka thënë: Në këtë ka dëshmi se uji i zemzemit bën dobi për çdo gjë për hir të së cilës e pi njeriu atë, pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për gjëra të dynjasë apo të ahiretit.
Mu për këtë, një grup dijetarësh e kanë pirë ujin e Zemzemit për gjëra që do t'i përmendim:
• Ibni Mubareku e pinte që të mos etej në Ditën e Kiametit.
• Hakimi e pinte që të shkruante (përpilonte libra) mirë.
• Ibni Huzejme e pinte që të përfitonte dituri të dobishme.
• Ibni Ujejne ua rrëfente nga 100 hadithe atyre që pinin ujë Zemzemi.
• Ibni Haxheri e pinte që ta arrinte pozitën e Dhehebiut në nxënien përmendsh të hadi theve.
• Sujutiu e pinte që të arrinte gradën e Siraxh el-Belkinit në fikh dhe Ibni Haxherit në hadith.
_________________
1. Hafidh ibën Kethiri, "Rrëfime për të dërguarit e Allahut”: Prishtinë, 2007, f. 164.
2. Ibrahim 37.
3. Osman Nuri Topbash, "Vargu i profetëve", Stamboll, 2005, f. 193.
Ibrahim Iljazi
/islamgjakova
0 Comments