Advertisement

Responsive Advertisement

Hoxhë H. Hfz. Sabit ef. Shehu Veleshtari i urtë 1924 -2011

 

Hoxhë H. Hfz. Sabit ef. Shehu Veleshtari i urtë  1924 -2011

Shkruan: Jusuf ef. Zimeri

H. h. Sabit ef. Shehu nga Veleshta e Strugës si hafiz i Kur’ani Kerimit dhe si hoxhë, i takon plejadës së hoxhallarëve të cilët veprimtarinë dhe aktivitetet e tyre fetare e kombëtare, jo vetëm që i zhvilluan nën hijen e egër të sistemit brutal komunist dhe që përjetuan momentet më të vështira të quajtura “jetë a vdekje”, por me punën e tyre të mundimshme, me bindje dhe këmbëngulësinë e tyre arritën të mbajnë të gjallë organizimit të jetës islame në popullatën e vendit tonë. Ata përjetuan momentet kur toka tona shqiptare ishin tkurrur në maksimum, kurse ideali shpirtërorë pa të cilin nuk vlen të jetohet, ishte shpallur si Opium i shoqërisë. Përjetuan rëndë kohën e sistemin totalitar monisto-titist, në të cilin, shumë hoxhallarë u terrorizuan dhe arrestuan nëpër qelitë e burgjeve sllave, duke i fyer dhe ofenduar edhe në bazë fetare edhe kombëtare. Eksperimentuan me ta duke përdorë mjete dhe metoda çnjerëzore që dinë dhe mund t’i përdorin vetëm kriminelët e kalibrit të tillë. Sistemi totalitar ndaj tyre kishte përdorë dhunë të sistematizuar, jo se ata kishin bërë ndonjë krim, por vetëm për faktin se ata kërkonin të drejtën elementare të tyre dhe të popullit të tyre, të jetojnë të lirë, në paqe e krenar në vendin e tyre dhe në fenë e tyre. Në mesin këtyre shumë hoxhallarëve tanë, që u arrestuan dhe u dhunuan nga sistemi i egër monist, vetëm se ishin këmbëngulës në ruajtjen e idealit shpirtërorë ishte edhe hfz. H. Sabit ef .Shehu nga Velesha e Strugës.

Nga vetë fakti se Hfz. Sabit ef. Shehu, në moshën 12 vjeçare, kishte arritur që me sukses të përfundojë Hifsin (nxënien përmendësh) e Kur’ani Kerimit, dhe me këtë akt t’i bashkëngjitet elitës së rojtarëve të Kur’anit për të cilën Pejgamberi a.s. ka thënë se “janë elitë e veçantë e Allahut xh.sh.” dëshmon për faktin se ai ka lindur nga dy prindër të devotshëm, me moral dhe edukatë të lartë islame dhe, edukatën e përthithur prej tyre e ka demonstruar gjatë tërë jetës së tij. Hfz. Sabiti ef. pas përfundimit të Hifzit te hoxha i tij H. Idriz ef. Shehu, prej vitit 1936 deri vitin 1941 mësimet i vazhdon në Medresenë e Ohrit, te Myderrizi i njohur Hfz. Osman ef. Maliqi.

Nivelin e njohurive nga shkencat islame nuk më takon mua ta vlerësojë, sepse këtë e ka bërë myderrizi i tij, ajo që mua më mahnit është veprimtaria e tij, edukata e tij, pathyeshmëria e tij, këmbëngulësia e tij për të vërtetën. Ai kaloi një jetë mbi gjysmë shekullore në shërbim të thirrjes islame dhe të myslimanëve. Kishte bindje të pa thyeshme se islamin duhet ruajtur si tërësi dhe me fanatizëm. Që nga viti 1937 ishte i lidhur shpirtërisht dhe fizikisht me xhaminë, me Mihrabin, me Kur’anin, me mësimdhënien, me edukimin e gjeneratave të reja dhe asnjëherë nuk u mërzit nga kjo punë. Si rojtar i mirë i Kur’anit (Hafiz) që ishte, ndiente për obligim që të jetë edhe rojtar i mirë i mësimeve islame, që të ruaj vlerat islame, etikën islame dhe shenjtërinë e Islamit. Ai e kishte të qartë se mirësitë dhe vlerat nuk duhet mbajtur vetëm për vete, ato duhet dhënë edhe të tjerëve, por gjithashtu e kishte të qartë për t’ia dhënë dikujt një vlerë, duhet që fillimisht vetë ta demonstrosh në praktikë, e pastaj t’i ftosh të tjerët në praktikumin e asaj vlere. Këtu, më duket se qëndron edhe dallimi mes asaj gjenerate dhe neve, sepse ne më shumë flasim se sa veprojmë, e ata e bënin të kundërtën, më shumë punonin e flisnin vetëm kur kishte nevojë. Hfz. Sabiti ishte një shërbëtor besnik i fesë dhe atdheut, andaj kur nuk lejonte për asnjë çmim të shkelë ndonjë normë fetare, qofshin edhe ato më të lehtat, e për detyrimet as që mund të bisedohej. Bindja e tij, jo elasticiteti i tij, këmbëngulësia e tij që të jetë vetëm në shërbim të fesë e vatanit dhe askujt tjetër, si dhe mos toleromi i pazarllëqeve në dëm të fesë e atdheut, që janë vlera të larta të besimit stabil islam, por këto qëndrime burrërore që mund t’i ketë vetëm një i edukuar në shkollën e Muhamedit a.s. i tmerruan qarqet shoviniste antiislame kurse për shërbimet shtetërore të sistemit monist ishte motiv i mjaftueshëm që më 11 Nëntor 1961, ta privojnë nga liria dhe ta mbajnë në burgun e Ohrit si i burgosur politik. Arsyeja ishte banale si çdo herë, e akuzat ishin të tmerrshme, por bëhej fjalë heqjen e mbulesës (hixhabit) të femrave islame. Bëhej fjalë që të heqin dorë nga dispozitë që në rregullat islame mund të jetë mendub apo sunet (varësisht nga vlerësimet e fukahave) por hoxhallarët e kalibrit të Hfz. Sabitit nuk pranuan as këtë, sepse mirë i dinin pasojat e mëtutjeshme. E për farzin, ç’të thuhet ???. Hfz. Sabiti efendiu i përballoi edhe kësaj telashe, me plotë bindje, dhe jetoi faqebardhë e besnik ndaj të vërtetës deri në vdekje, por zullumqarët dhe spiunët ngelën të turpëruar në këtë botë dhe llogarinë më të madhe do ta japin ditën e llogarisë.

Si e njoha unë H. Sabit ef. Shehun, Allahu e mëshiroftë?

Në realitet hfz. Sabitin, pa e parë kurrë fillimisht e njoha gjatë fillimit të viteve të nëntëdhjeta të Shekullit XX-të nga prindi im H. Zimeri Allahu e mëshiroftë. Thënë të vërtetën babai edhe pse kishte qenë nxënës i Medresesë së Kumanovës të cilën e kishte ndërpre për shkaqe ekonomike, ai ishte lexues i rregullt i literaturës islame nëpër kohë dhe kishte njohuri të shumta për islamin, edhe pse ai asnjëherë nuk u paraqit e as që veproi si hoxhë, por gjithnjë jetoi me hoxhallarët dhe vdiq në prehrin e hoxhës. Babai im disa herë kishte qenë në Haxh, për të kryer obligimin islam, dhe siç e kishte traditë gjithnjë shoqërohej me hoxhallarë. Kur kthehej nga udhëtimi, e sidomos netëve të gjata të dimrit, shpeshherë na tregonte për ndjenjat e pa përshkruar të Haxhit dhe gjithashtu na tregonte për shumë hoxhallarë, e në mesin e tyre që i mbaj mend janë: Mulla Iljazi nga Kumanova, Mulla Garipi nga Tetova, Mulla, Qemalin e Çegranit, por me theks të veçantë fliste për Hfz. Sabit ef. Shehun nga Veleshta e Strugës, me të cilin kishin kaluar momente të veçanta dhe kishin ndarë ndjenja të veçanta mes veti.

Me Hfz. Sabitin kemi fjetur jo me një dhomë, por me një jastëk thoshte babai im. Hfz. Sabiti ishte njeri shumë i urtë, i qetë i pa lodhshëm në kryerjen e obligimeve islame dhe i pa ngopur në leximin e Kur’anit. Nuk llafoste shumë e shumë me të tjerët sepse kohën e kishte të angazhuar në ibadet, fjalët e huaja nuk i interesonin fare, kurse gibetin e urrente, e tregtia as që i interesonte. Jemi këtu mysafir të Allahut xh.sh. t’a shfrytëzojmë këtë begati që na e ka dhënë Allahut xh.sh. sepse nuk dihet a kemi fat tjetër të vijmë në këto vende të shenjta. Përveç gjumit që e bënim në banesë, shumicën tjetër të kohës e kalonim në Bejtullah (Qabe) ose në xhaminë e Pejgamberit a.s.. Pra, kështu e përshkruante babai i im shokun tij të udhëtimit Hfz. Sabit ef. Si burrë me halle dhe me nam, thoshte ai.

Unë shtoja kureshtjen t’i shihja dhe t’i njihja këta burra të mëdhenj të fesë dhe atdheut, por, për momentin nuk tejkaloheshin kufijtë e iluzionit. Njeriu mendon, por Allahu xh.sh. përcakton gjërat, ky iluzion i imi do të bëhet realitet gjatë fundviteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.

Në pranverën e vitit 1997, me një sebep tjetër për një punë familjare udhëtova për në Strugë, i shoqëruar me babain tim. Do t’a vizitojmë edhe hfz. Sabit ef. Shehun në shtëpinë e tij në Veleshtë. Rruga ishte e gjatë, por mallëngjimi për të parë miku mikun, ishte më i madh. Arritëm në Veleshtë, na priti djali i tij Mushtebah efendiu me përshëndetje të ngrohtë paqësore (selam) dhe me mikpritje tradicionale siç e kanë zakon struganët në përgjithësi, por veleshtarët në veçanti. U takuan miku me mikun të mallëngjyer, përkujtuan ca momente kënaqësie dhe uruan njëri tjetrin për të mira e begati në jetën e kësaj bote dhe botës tjetër, kurse unë dhe djali i tij Mushteba ef. ngelëm të stepur, në heshtje sepse ashtu ishim edukuar që në praninë e prindërve të heshtim dhe vetëm vështronim se si i dhuronin dashuri dhe sinqeritet pa asnjë interes njëri tjetrit. Aty e njoha nga afër Hfz. Sabit ef. Shehun, kur e pashë në shikim të parë menjëherë më përkujtuan fjalët e prindit tim. Thash vetmevete, ky qenka ai burri për të cilin babai im thoshte “burrë me halle e me name”.

Në fytyrën e tij rrezatonte diçka e pa përshkruan, shiheshin edhe shenjat e vuajtjeve dhe vështirësive që i kishte shkaktuar regjimi totalitar, por më shumë reflektonte shpirti optimist i tij, se Islami është forcë ngadhënjyese, është dritë që nuk mund ta shuaj askush.

Allahu i shpërbleftë me Xhenetin Firdevs.

Post a Comment

0 Comments