Advertisement

Responsive Advertisement

Historiku i agjërimit te popujt e tjerë dhe specifikat e agjërimit islam

 

Historiku i agjërimit te popujt e tjerë dhe specifikat e agjërimit islam

Përgjatë historisë së njerëzimit, feja ka qenë një faktor relevant dhe me prezencë të theksuar te çdo shoqëri, sepse, si veçori kryesore e saj është lidhja e individit me Krijuesin apo shtytja për strehim tek Ai. Rrjedhimisht edhe ibadetet janë pjesë e pandashme e besimeve dhe praktikave të ndryshme fetare. Një prej këtyre praktikave padyshim se zë vend edhe agjërimi apo format e ndryshme të tij si dieta, abstenimi i përkohshëm nga disa lloje të ushqimeve, pijeve dhe jo vetëm.
Andaj agjërimi si fenomen te fetë dhe popujt e ndryshëm është një çështje dhe nocion i gjerë që ka pasur shtrirje, praktikim, koncept dhe metoda të ndryshme.

Çka është agjërimi?


Në aspektin etimologjik, agjërimi rrjedh nga fjala "saum", që do të thotë abstenim nga ushqimi, qëndrimi larg diçkaje dhe përmbajtja e vetes nga diçka, ndërsa në aspektin terminologjik, agjërimi është abstenimi nga ushqimi, pija dhe marrëdhëniet intime nga agimi i hershëm (imsaku) deri në perëndimin e diellit duke iu përmbajtur dispozitave të sheriatit dhe duke pas për qëllim kryerjen e adhurimit të agjërimit. Praktikat e zbatimit dhe qasja ndaj agjërimit tregojnë se ka koncepte dhe lloje të ndryshme të tij në mesin e popujve dhe kulturave të ndryshme përgjatë historisë.

Lashtësia, konceptet dhe llojet e agjërimit


Agjërimi është një praktikë e lashtë fetare që ka qenë dhe vazhdon të jetë prezentë te secili popull, fe qiellore, fe të sajuara apo fraksione të feve, etnive dhe kulturave të ndryshme në botë. Në çdo etapë të historisë së njerëzimit agjërimi është vlerësuar si një metodë e mundshme nga të gjitha shtresat e shoqërisë për t'ju përkushtuar "zotit" si superfuqi apo besimi më i lartë i një shoqërie të caktuar. Prandaj edhe Allahu xh.sh. në ajetin ku obligon muslimanët me agjërim e saktëson qartë se agjërimi ishte obligim edhe për popujt e mëhershëm.(1) Por agjërimi si fenomen fetar i këtyre popujve kishte përmbajtje dhe koncepte të ndryshme.

Agjërimi i parë

Të gjithë pejgamberët, nga Ademi a.s. deri te Muhamedi a.s. kanë qenë të obliguar me praktika të ndryshme fetare duke synuar afrimin te Zoti. Duke u mbështetur në ajetin e agjërimit kuptohet që agjërimi ishte obligim edhe për popujt e mëparshëm, gjegjësisht agjërimi i parë ka filluar me Ademin a.s.. Sipas transmetimeve të ndryshme është përmendur se edhe pejgamberët si, Sulejmani a.s., Ibrahimi a.s., Musai a.s., Isa a.s. etj., kanë agjëruar ditë të ndryshme të muajit, ndërsa agjërimi i Davudit a.s.(2) përmendet si agjërimi më i mirë, duke agjëruar një ditë po, një ditë jo përgjatë tërë jetës.

Agjërimi te popujt e Azisë largët

Agjërimi te fetë e Azisë së Largët, gjegjësisht te fetë e sajuara në Indi, Kinë dhe Japoni, është praktikuar në lidhje me ngjarjet që ndërlidhen me lëvizjet e Diellit dhe Hënës.

Hinduizmi

Agjërimi te hindusët mbahet në ditë të caktuara gjatë vitit dhe ditët e festave me qëllim të edukimit dhe fuqizimit të shpirtit. Obligimi i agjërimit sot praktikohet dhe ka të bëjë më shumë me udhëheqësit fetar. Elita hinduse e njohur si brahmanë, janë të obliguar të agjërojnë gjatë vitit ditë të shumta dhe kohë të gjatë. Më të njohur janë dy lloje të agjërimit: Agjërimi i adakut (zotimit), i cili mbahet me qëllim që të realizohet një dëshirë dhe ky agjërim zgjatë 15 ditë pa ndërprerje; agjërimi periodik vjetor, i cili praktikohet nga brahmanët ku agjërohet dita e parë dhe e pesëmbëdhjeta e çdo muaji. Disa prej tyre vullnetarisht agjërojnë edhe ditën e dhjetë, njëmbëdhjetë dhe dymbëdhjetë dhe kështu rregullisht agjërojnë çdo muaj nga pesë ditë.(3) Lutjet gjatë kohës së agjërimit i drejtohen Brahmës(4) duke shprehur adhurim dhe madhërim ndaj tij.

Budizmi

Budizmi duke qenë një fe e cila ka përvetësuar sistemin e jetës të mbështetur në asketizëm, edhe agjërimin e ka përshtatur si mjet të ndëshkimit të njeriut. Agjërimi në budizëm është i obliguar katër ditë në çdo muaj hënor nga lindja deri në perëndim të diellit. Këto ditë janë dita e parë, e nëntë, e pesëmbëdhjetë dhe dita e njëzet e dytë, të cilat përkojnë me katër shenjat e fillimit të hënës dhe të njëjtën kohë konsiderohen si ditë të pushimit dhe gjatë këtyre ditëve nuk lejohet asnjë lloj pune, duke e ndaluar edhe përgatitjen dhe shtrimin e sofrës.(5) Për shkak të kësaj, gjatë këtyre katër ditëve ushqimin e përgatisin para se të fillojnë agjërimin, pra para lindjes së diellit. Disa budist, 24 orë nuk hanë asgjë, duke mos gëlltitur as pështymen. Gjatë ditëve të agjërimit kryesisht luten dhe rrëfejnë mëkatet e tyre. Në kohën moderne, agjërimi te budistët vërehet që është ndikuar nga praktikat e agjërimit te hinduizmi dhe xhainizmi.(6)

Xhainizmi

Themeluesi i xhainizmit i quajtur me epitetet Mahavira (Hero i Madh) dhe Xhina (Fitimtari) për shkak të reformave dhe sukseseve të mëdha, ka pasur një jetë të thellë askete dhe dietale. Andaj edhe ndjekësve të tij iu ka preferuar dhe i ka nxitur të praktikojnë një agjërim ekstrem, duke stimuluar dhe lavdëruar edhe humbjen e jetës nga uria. Edhe vetë ai ka agjëruar deri sa ka vdekur. Pra kjo është një praktikë ekstreme e agjërimit që sot nuk përfillet nga ndjekësit e kësaj doktrine. Xhainistët agjërojnë 40 ditë pa ndërprerë, duke ngrënë vetëm disa kokrra oriz, disa nuk konsumojnë ushqimet e pjekura në zjarr, disa të tjerë largohen nga lloje të ndryshme të ushqimeve etj..(7)

Taoizmi

Taoizmi, një prej feve kineze, agjërimin e ka vlerësuar si një metodë të ruajtjes së shëndetit, përmes të cilit ka synuar shtyrjen apo vonimin e vdekjes. Andaj në taoizëm agjërimi është një prej ibadeteve kryesore i cili praktikohet gjatë festave dhe gjatë ditëve të vështira kur ballafaqohen me sprova apo fatkeqësi të ndryshme.(8)

Agjërimi te hebrenjtë

Agjërimi te hebrenjtë ka zanafillën që nga Musai a.s., i cili në kodrën Sina, gjatë pranimit të shpalljes ka agjëruar 40 ditë dhe 40 net. Andaj agjërimi në literaturën dhe burimet çifute zë një vend të rëndësishëm dhe si i tillë është konsideruar një prej adhurimeve që synohet pendimi dhe shpagimi për mëkatet e bëra. Po ashtu edhe në raste dhe kohe të vështira hebrenjtë kanë agjëruar me qëllim që të fitojnë kënaqësinë dhe faljen e Zotit. Në hebraizëm agjërimi quhet (Taanit; dhe përmendet tërthorazi në 'Tevrat, ndërsa në Talmud,(9) përmendet drejtpërdrejt. Hebrenjtë kanë agjërimin në bashkësi që e quajnë ‘Taanit Tsibur' dhe përveç të sëmurëve dhe fëmijëve, të tjerët janë të obliguar ta respektojnë atë, si dhe agjërimin individual që quhet ‘Taanit Yahid’, i cili obligohet kur personi sheh ndonjë ëndër të keqe, me qëllim që të mbrohet nga ajo e keqe dhe kur personi ka bërë ndonjë zotim, atëherë obligohet që të agjërojë.(10)
Gjatë historisë, agjërimi te hebrenjtë ka pësuar ndryshime të ndryshme me ndikimin e rabinëve, të cilët duke qenë autoritet i bekimit të agjëruesve, e të cilët kanë vendosur rregulla të veçanta dhe përveç ditëve të agjërimit të cekura në shkrimet e shenjta, ata kanë obliguar edhe agjërimin e 25 ditëve të tjera.


Llojet e agjërimit: hebrenjtë kanë agjërimet e detyrueshme si:

Agjërimi i Yom Kippur - agjërimi i faljes së mëkateve, i vetmi i mbështetur në Tevrat dhe që është dita më e shenjtë dhe e rëndësishme e tyre. Agjërimi i kësaj dite fillon me perëndimin e diellit në ditën paraprake dhe vazhdon 25 orë deri në perëndimin e diellit dhe shfaqjes së yjeve të ditës vijuese."(11) Gjatë kësaj kohe abstenojnë nga ushqimi, pija dhe marrëdhëniet intime.

Tisha Be Av - agjërimi i 9 prillit, që konsiderohet dita më e zezë e hebrenjve, duke përkujtuar shkatërrimin e tempullit të parë në 586 p.e.s. nga babilonasit dhe shkatërrimin e tempullit të dytë nga romakët në vitin 70, ndërsa në të njëjtën datë në vitin 1492, çifutët përkujtojnë edhe dëbimin nga Spanja.

Shiva Asar Be Av - agjërimi i 17 korrikut në përkujtim të okupimit të Jerusalemit nga babilonasit, të cilën e konsiderojnë si ditë zie dhe gjatë këtij agjërimi javor nuk vishen bukur, nuk zbaviten dhe nuk argëtohen.(12)

Asara Betevet - agjërimi i ditës së dhjetë të muajit të dhjetë në shenjë të përkujtimit të pushtimit dhe shkatërrimit të Kudsit (Jerusalemit) nga mbreti Nebukadnessar në vitin 586 p.e.s., ky agjërim është një ditor dhe gjatë kësaj dite vetëm abstenohet nga ngrënia dhe pirja.

Në judaizëm ka edhe agjërim individual, siç është agjërimi për lindjen e parë, që aludohet në lindjen e Musait a.s., agjërimi i dhëndrit dhe nuses me rastin e kurorëzimit, agjërimi me rastin e vdekjes së të afërmve etj..
Agjërimi te çifutët mbahet nga agimi deri në perëndimin e diellit, përveç agjërimit të Yom Kippur, që fillon një ditë para me perëndimin e diellit. Fëmijët deri rreth moshës 15-13 vjeç dhe të sëmurët janë të liruar nga agjërimi.

Agjërimi në krishterizëm


Në Bibël flitet për agjërimin e Isait a.s. dhe apostujve si dhe këshillat e tij për vlerën e agjërimit.(13) Andaj edhe në krishterizëm agjërimi ka zanafillë të hershme, stimulohet të praktikohet dhe konsiderohet si një çështje mes njeriut dhe Zotit, si dhe paraqitet si mundësi e faljes dhe arritjes së kënaqësisë së Zotit. Murgjit dhe fetarët e tjerë e praktikojnë agjërimin duke e vlerësuar si metodë të rëndësishme të edukimit shpirtëror të njeriut dhe asketizmit.

Në fillimet e para, ashtu si edhe në hebraizëm, koncepti i agjërimit te të krishterët ka ngjashmëri me konceptin e agjërimit në Islam. Me kalimin e kohës dhe ndikimet e ndryshme, koncepti i agjërimit ka pësuar ndryshime thuajse rrënjësore dhe është devijuar.
Në Bibël nuk përmendet ndonjë ditë e caktuar për të agjëruar, ndërsa ceket se Isai a.s. pasi agjëroi 40 ditë dhe 40 net ndjeu uri.(14) Prandaj Isai a.s. e ka praktikuar agjërimin e ngjashëm me Musain a.s..

Në shekullin e parë të erës sonë kanë filluar të vendosen rregulla në lidhje me agjërimin dhe në këtë periudhë ata që pagëzoheshin dhe ai që i pagëzonte agjëronin një ditë, dy ditë apo dikush edhe 40 ditë. Në shekujt e parë, të krishterët agjëronin ditën e mërkurë dhe ditën e premte, me qëllim të përkujtimit të vuajtjeve të Isait a.s.. Gjatë vitit, të krishterët, disa ditë nuk konsumojnë ushqimet me përbërje mishi dhe qumështi.
Ndërsa në shekullin e katërt ishte bërë obligim agjërimi i dy ditëve para festës më të madhe të krishterë që janë Pashkët. Me këtë besojnë që Isai a.s. është ringjallur dhe është ngritur në qiell. Agjërimi i Pashkëve ndryshon te fraksionet e krishtera. Katolikët para kësaj feste agjërojnë 46 ditë duke mos konsumuar vetëm disa ushqime të caktuara.(15)

Sot te të krishterët janë dy lloje kryesore të agjërimit:

Okaristik - Agjërimi i falënderimit, i cili veprohet çdo të diel para ceremonisë së kungimit, duke mos përdorur pije alkoolike. Disa fraksione këtë agjërim e fillojnë pas darkës së ditës së shtunë, disa të tjerë vetëm disa orë para kungimit dhe ky agjërim i falënderimit përfundon me fillimin e ceremonisë së kungimit.(16)

Eklesiyastik - Agjërimi i anëtarësimit në kishë, i cili zgjat 40 ditë në shenjë të përkujtimit të vuajtjeve të Isait a.s., i cili mbahet 40 ditë para festës së Pashkëve. Ditëve të sotme ky agjërim është lehtësuar dhe ka marrë formë dietale, duke mos konsumuar ushqime të caktuara apo duke ngrënë vetëm njëherë në ditë, ndërsa në kohët e tjera nuk konsumohet yndyrë e të ngjashme.
Përveç këtyre, fraksionet e ndryshme të krishtera kanë përvetësuar edhe metoda të tjera të agjërimit, të cilat kanë marrë formë sipas ndikimit të prijësve fetarë, të cilët kanë autoritet të vendosin për format e agjërimit, kohën dhe prishjen e tij.

Specifikat e agjërimit islam

Duke qenë agjërimi një prej ibadeteve të para që ka shoqëruar çdo të dërguar dhe shpallje, edhe te myslimanët ka një zanafillë të hershme. Arabët para fillimit të shpalljes agjëronin ditën e ashures.(17) Ndërsa nga viti i dytë hixhri, me zbritjen e ajeteve rreth agjërimit dhe muajit Ramazan,(18) agjërimi është bërë obligim për çdo mysliman të moshës së rritur (bulug) mashkull apo femër dhe që janë të shëndoshë psikikisht dhe fizikisht apo nuk kanë ndonjë arsye të lirimit nga agjërimi. Agjërimi në Islam synon devocionin dhe dëlirësinë shpirtërore, afrimin tek Allahu xh.sh. dhe edukimin shpirtëror për t’ju përkushtuar dhe nënshtruar vetëm Krijuesit, fitimin e kënaqësinë së Tij, si dhe pastrimin nga mëkatet me pendim të sinqertë.
Agjërimi në Islam është obligativ gjatë tërë muajit Ramazan dhe fillon nga imsaku deri në iftar duke abstenuar nga ushqimi, pija dhe marrëdhëniet intime gjatë kohës së agjërimit. Po ashtu në Islam gjatë agjërimit kërkohet kujdes i shtuar ndaj gjuhës, fjalorit, dorës dhe gjymtyrëve tjera që mos të mëkatojnë. Ata të cilët kanë arsye të lirohen nga agjërimi gjatë Ramazanit, janë të obliguar të agjërojnë po aq ditë pas Ramazanit.(19)

Llojet e agjërimit

Islami ka agjërimin farz, i cili është agjërimi i obliguar gjatë muajit të Ramazanit, agjërimi vaxhib, i cili është agjërimi i zotimit apo agjërimi vullnetar, i cili është prishur dhe pastaj duhet kompensuar, pra është agjërim obligativ. Agjërimi nafile, apo vullnetar, është agjërimi i ditëve jashtë muajit Ramazan apo agjërimit vaxhib. Agjërim vullnetar janë agjërimi i ditës së ashures, ditëve të hënë dhe të enjte, tre ditët e mesme të çdo muaji hënor etj.. Agjërimi i ndalur dhe i qortuar është agjërimi i ditës së Bajramit të Ramazanit dhe tre ditëve të Bajramit të Kurbanit.
Në Islam agjërimi është një ibadet i rëndësishëm, i cili ka rregullat e përcaktuara në Kuran dhe hadithe të Pejgamberit a.s., si dhe në burimet e tjera të Sheriatit. Agjërimi është një ibadet i përhapur në mesin e myslimanëve, të cilët me rastin e ardhjes së muajit Ramazan bëjnë përgatitje të veçanta dhe krijohet një atmosferë e ndjeshme shpirtërore dhe festive,

Përfundim

Agjërimi është një prej ibadeteve që kanë shoqëruar njerëzimin që nga njeriu i parë Ademi a.s. dhe ka qenë prezent në forma të ndryshme te të gjitha fetë dhe shoqëritë. Po ashtu agjërimi është një ibadet i rëndësishëm si në Islam ashtu edhe te popujt e mëhershëm. Te fetë qiellore, agjërimi ka ngjashmëri të madhe, si dhe për nga synimi dhe përmbajtja kanë elemente të përbashkëta, ndërsa te praktikimi dhe te kohëzgjatja kanë disa dallime thelbësore. Agjërimi te të gjithë popujt ka shërbyer si një ibadet për ngritje dhe pastrim shpirtëror nga gabimet dhe mëkatet e mundshme. Forma dhe specifikat e agjërimit në Islam janë vazhdimësi dhe artikulim i formës së agjërimit të kërkuar nga Allahu xh.sh., i përshtatshëm maksimalisht gjendjes dhe mundësisë së njeriut për të praktikuar këtë ibadet, për të përfituar nga ai si dhe për t’ju afruar Allahut xh.sh..


______________________
1. "O ju që besuat, agjërimi (saum) u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm." (El Bekare 183).
2. "Agjërimi më i dashur te Zoti është agjërimi i Davudit. Ai agjëronte një ditë dhe ushqehej të nesërmen...” (Ebu Davud, 2248).
3. Ali Ihsan Yitik, TDV Islam Ansiklopedisi, TDV yay., vëll. 33, Istanbul 2007, fq. 414
4. Zija Abdullahu, "Studim krahasimtar i feve", Koha, Prishtinë, 2010, fq.70.
5. Recep Demir, (Fasting in Islam and Other Religions), The Jurnal of International Social Research, Vol. 9, February 2016, fq.1786.
6. Yitik, fq. 414.
7. Recep..., fq. 1787.
8. Recep..., fq. 1786.
9. Dhjata e vjetër, Levitiku XVI 29-31; Eksodi-Dalja XXXIV 18.
10. Mehmet Aydın, Ansiklopedik Dinler Sozlugu, Din Bilimler Yay., Konya 2005, fq.576.
11. Rahim Ay, Ilahi dinlerde oruc: kaynagı, amacı ve uygulanisi bakimindan karsilaştirmali bir inceleme, Journal of Analytic Divinity International Refereed Journal 5/2, 2021, fq.214.
12. Zija..., fq. 290.
13. Dhjata e re, Mateu, Veprat e apostujve, 13/2 dhe 14/23. 14 Rahim Ay..., fq. 222.
15. Recep..., fq. 1790.
16. Yitik..., fq. 415.
17. Tahir Olgun, Muslimanlikta Ibadet Tarihi, Akçag yay., Ankara 1998, fq. 122.
18. Kuran, Bekara 183-185.
19. Ibën Kethiri, Kandili Ndriçues, vol.I, Fondacioni i Rinisë Islame, Zürich 2007, fq.439-441.


Mr. Sead Paqarizi
Dituria Islame 400

Post a Comment

0 Comments