Advertisement

Responsive Advertisement

“A është vërtetë e vështirë që të jemi të mirë?”

 

“A është vërtetë e vështirë që të jemi të mirë?”

إنَّ الْـحَمْدَ للهِ نَحْمَدُهُ وَ نَسْتَعِيتُهُ وَ نَسْتَغْفِرُهُ وَ نَسْتَهْدِيهِ ، وَ نَعُوذُ بِاللهِ مِنْ شُرُورِ أَنْفُسِناَ وَ سَيِّئَاتِ أَعْمَالِناَ ، مَنْ يَهْدِهِ اللهُ فَلاَ مُضِلَّ لَهُ وَ مَنْ يُضْلِلْ فَلاَ هَادِيَ لَهُ.
نَشْهَدُ أَنْ لاَ إِلَهَ إِلاَّ اللهُ وَحْدَهُ لاَ شَرِيكَ لَهُ ، وَ نَشْهَدُ أَنَّ مُحَمَّداً عَبْدُهُ وَ رَسُولُهُ.
صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَ عَلَى آلِهِ وَ صَحْبِهِ أَجْـمَعِينَ ... أمَّا بَعْدُ:
Falënderimet, madhërimet janë vetëm për Allahun xh.sh. sunduesin e gjithë botëve, vetëm Atë e adhurojmë dhe vetëm prej Tij falje, ndihmë dhe udhëzim kërkojmë.

Paqja, dhe bekimi i Allahut qofshin mbi Muhammedin (savs), mbi familjen e tij të ndershme, mbi shokët e tij besnik dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij gjer në Ditën e Gjykimit.

Të nderuar besimtarë;

Tema e hutbes së sotme është: “A është vërtetë e vështirë që të jemi të mirë?”
Me të vërtetë, në kohën e sotme, ndonjëherë të tjerët na detyrojnë të mos jemi të sjellshëm dhe të kulturuar. Dëshirojnë me çdo kusht të na ulin në nivelin e tyre të sjelljes. Besimtari musliman, pavarësisht nga gjendja, shoqëria apo puna, do të duhej të jetë ashtu çfarë e ka emrin e tij të parë, para emrit që ja vë prindi, e ai (emër) është musliman. E musliman është ai i cili i nënshtrohet Allahut në të gjitha sferat e jetës, dhe ai i cili i nënshtrohet Allahut, duhet të sillet në përputhje emrin e tij.
Prandaj, Bilali (r.a.) muezini i Pejgamberit (savs), kur ai u bë musliman, tha: “Unë kam pasur dy lindje, kur më lindi nëna ime, dhe kur u bëra musliman.”
Është nder i madh! Sot ne jemi rreth 1, 5 miliardë muslimanë në mbarë botën, falënderojmë Allahun. Pikërisht kjo forcë do të duhej të jetë udhëzuese morale dhe edukative, sepse e kemi pasur dhe e kemi mësuesin më të mirë, Pejgamberin Muhamed (savs). Koha e tij nuk ka qenë aspak më e mirë se e jona, çdo gjë ishte atëherë sikur që është edhe sot, kishte: përdorim të alkoolit, kurvëri, kamatë, plaçkitje, vrasje, sulme të ndryshme ndaj fesë, ndaj nderit, dhe dinjitetit, ryshfeti dhe korrupsioni, shtypja e të dobëtëve dhe gjëra të tjera. Por përsëri, në atë shoqëri, ai mbeti i qetë, nuk u dorëzua, por ishte dhe mbeti me moral shembullor dhe për këtë shkak ai është shembulli ynë. Në të njëjtën mënyrë, ai e edukoi familjen e tij, miqtë e tij dhe shokët.

Mënyra më e mirë që Islami të paraqitet në dritën e tij të vërtetë, është sjellja e mirë apo morali i mirë. Pa marrë parasysh dikën se si e kanë edukuar prindërit e tij, ose në qoftë se dikë e ka edukuar rruga apo shoqëria, Islami është në gjendje që atë edukim ta ndryshojë rrënjësisht për të mirë dhe më pozitivisht.

Që nuk është vështirë të jemi të mirë, na tregojnë hadithet e Pejgamberit (savs), këshillat e tij të arta dhe shembujt praktik për përsosjen e edukimit dhe moralit. Nëse i kuptojmë sinqerisht dhe i pranojmë me gjithë zemër, do të shohim se nuk është aspak e vështirë të jemi të mirë.

Nga Ebu Derda (r.a.) transmetohet se Pejgamberi savs ka thënë: „Nuk ka asgjë më të rëndë në peshojën e besimtarit në Ditën e Gjykimit, se sa morali i bukur.” (Tirmidhiu)

Po ashtu, nga Ebu Hurejre (r.a.) transmetohet se Pejgamberi savs është pyetur se çka i dërgon njerëzit në xhenet, ai ka thënë: “Devotshmëria dhe morali i bukur!” Ndërsa kur u pyet se çka i dërgon njerëzit në xhehennem, është përgjigjur: “Gjuha dhe organi seksual!" (Tirmidhiu)

Nga Aishja (r.a.) transmetohet se Pejgamberi savs ka thënë: “Njeriu (besimtari), me moralin (sjelljen) e tij të bukur do ta arrij nivelin e agjëruesit, dhe të atij që fal namaz natën.” (Buhariu)
Amër ibn As (r.a.) ka thënë: “Pejgamberi savs, ka folur me fytyrë të kthyer edhe kah njerëzit më të këqij. Ai kthehej me fytyrë kah unë dhe më fliste, sa që unë mendoja se jam shoku i tij më i mirë.” (Tirmidhiu)

Enes ibn Maliku (r.a.), transmeton: “Pejgamberi (savs) nuk ishte njeri shfrenuar, as i paturp, as nuk bërtiste nëpër rrugë. Të keqen nuk ua kthente me të keqe, por ua falte dhe ishte bujar.” (Tirmidhiu)

Aishja r.a. ka transmetuar: “Pejgamberi (savs) askënd nuk e ka goditur me dorë, as shërbëtorin as gruan, përveç kur ka luftuar në rrugën e Allahut.” (Tirmidhiu)

Gjithashtu, Aishja (r.a.) ka transmetuar: “Pejgamberi (savs) kurrë nuk është hakmarrë në padrejtësinë e bërë, përveç nëse janë shkelur dispozitat e Allahut, e nëse janë shkelur dispozitat e Allahut, ai reagonte ashpër. Nëse duhej të zgjedhtë njërën nga dy veprat, ai e zgjedhtë më të lehtën, nëse nuk ishte mëkat.” (Tirmidhiu)

Enes ibn Maliku (r.a.) ka thënë: “Unë i kam shërbyer “Pejgamberit (savs) 10 vjet, dhe ai kurrë nuk më ka thënë: “Uh” për diçka që kam bërë: “Pse e ke bërë këtë?” as për diçka që nuk e kam bërë: “Pse nuk e ke bërë këtë?” Pejgamberi (savs) ishte me moralin më të bukur.” (Tirmidhiu)

Të nderuar besimtarë;

Po e përfundojmë këtë hutbe duke e lutur Allahut të Madhërishëm, që të na forcojë në rrugën e Islamit!
Që t'i ndihmoj të gjithë vëllezërit dhe motrat tona në nevojë, kudo që janë!
Që të na ruaj nga sprovat që nuk mund t'i përballojmë!
Që të ketë mëshirë ndaj prindërve tanë dhe të parëve tanë të mirë, kurse fëmijët dhe pasardhësit tanë t’i bëjë gëzim të syve dhe zemrave tona!
Që të na i falë mëkatet tona dhe të na shpërblej me xhenet, në shoqëri me pejgamberët, me të sinqertët, me shehidët dhe me njerëzit e mirë! ... Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini
/zeriislam

Post a Comment

0 Comments