Sadekatul fitri është një adhurim material i lidhur për muajin e Ramazanit, dhe këtë adhurim e kanë detyrë ta zbatojnë muslimanët që zotërojnë sasinë e nisabit, sipas shkollës juridike Hanefite, si dhe personat që kanë nën kujdestari, të cilët arrijnë Fitër Bajramin. Sadakatul Fitri sipas Hanefitëve është Vaxhib.
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka folur në disa hadithe të tij për rëndësinë dhe kuptimin e sadekatul fitrit, si dhe për sasinë e saj.
Ibn Omeri tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e bëri detyrim dhënien e një Sa’ hurmash ose një Sa’ elbi si sadaka fitri për çdo musliman: rob ose të lirë, burrë ose grua, i vogël ose i madh, si edhe urdhëroi që të jepet përpara se njerëzit të dalin për të falur namazin e Bajramit. Hadithin e ka shënuar Buhariu në Sahih, libri i Sadakasë së Fitrit.
Pra, nga ky hadith, si dhe shumë hadithe tjera, shihet qartë se ky detyrim lidhet për ata që kanë lindur gjatë kohës kur detyrohemi ta japim sadekatul fitrin, ndërkaq foshnja ende nuk ka lindur, dhe për atë nuk është detyrim të jepet sadekatul fitri. Ky është mendimi i pjesës dërmuese të dijetarëve.
Megjithatë, Ibn Hazmi ka qenë i mendimit se është vaxhib dhënia e sadekatul-fitrit për fetusin i cili gjendet në barkun e nënës nëse i ka mbushur 120 ditë, kurse Jusuf el-Karadavi thotë është mustehab, andaj njeriu mund të zgjedh.
Mendimi i shumicës është më i argumentuar, por siç ka thënë edhe Jusuf el-Kardavi, nëse dëshironi vullnetarisht, mund ta jepni sadekatul fitrin edhe për fetusin, inshaAllah është lëmoshë për të.
Allahu e di më së miri.
Dr. Bashkim Aliu
0 Comments