Advertisement

Responsive Advertisement

Rukja – Pështymfryerja

 

Rukja – Pështymfryerja

Rukje, është fjalë e cila nënkupton diçka që largon të keqen, pra mbrojtje nga e keqja, e padëshiruara, ose shërim për të sëmurin.

Rukje, do të thotë të pështyhet në enën e cila ka ujë, apo mjaltë, apo ushqim, apo diçka tjetër, me fjalë të tjera, rukje konsiderohet lëshimi i ajrit të kondensuar prej fytit në ujë.

Në të kaluarën është thënë “me fry” ndërsa në esencë është frymëpështymje (pa lëng).

Arabët paraislamik besonin në këtë besëtytni, ndërsa islami rukjen e sheh si diçka që nuk ka ndikim pa dëshirën e Allahut.

Ka ardhur tekst i drejtpërdrejtë për refuzimin dhe ndalimin e Rukjes. Muhamedi a.s. për ata që hynë në xhenet ka thënë: “janë ata të cilët: as nuk kërkojnë t’u bëjnë rukje, as nuk bëjnë rukje, dhe as nuk merren me hajmali, por i mbështeten Zotit të tyre.

Bërja e rukjes dhe kërkesa që të të bëhet rukje janë veprime të urryera në Islam. Transmetohet nga Ibn Mesiu r.a. se ai ka hyrë te gruaja e tij dhe kur sheh diçka të varur në qafën e saj, ja heq prej qafe dhe i thotë: Ka ardhur Umeti i Muhamedit a.s. që të mos i bëhet idhujtari Allahut, në çështje për të cilat nuk ka njohuri dhe të mos bëjnë “Tilvete”.

I thonë: O Abdurrahman, sa i përket dukurisë së rukjes dhe hajmalisë e dimë, por çka është “Tilvete”.

Është përgjigjur: (Tilvete është) Veprimi, të cilin e bëjnë gratë, për të qenë të dashura te burrat e tyre. Hajmalitë i kanë vendosur në trupin e fëmijës për t’i larguar nga mësyshi dhe xhinët.

Muhamedi a.s. ka thënë. “Rukja, Hajmalia dhe Tilvete janë idhujtari.” (Transmeton Ahmedi, Ebu Davudi, Bejhekiu dhe Hakimi, ndërsa e ka vërtetuar edhe Dhehebiu).

Dijetarët të cilët e kanë lejuar rukjen, e kanë lejuar me tre kushte:

  • Të përmendet Allahut;
  • Emrat e tij të përmenden në gjuhën arabe;
  • Të dihet se rukja nuk ka ndikim por shërimi është prej Zotit.

Përderisa, dijetarët i kanë ndaluar hajmalitë, pa marrë parasysh pa ajete të Kur’anit apo me ajete të Kur’anit.

Personi i cili ballafaqohet me situata të rënda shpirtërore dhe i cili dëshiron të triumfoj kundër shejtanëve, thjesht e këndon “Eudhubilahin” (Eudhu bil-lahi minesh-shejtanirr-rraxhiimë / Kërkoj mbrojtje tek Allahu që të më mbrojë nga shejtani i mallkuar).Thotë Zoti i Lartëmadhëruar:”Dhe kur të cyt shejtani me ndonjë cytje atëherë kërko mbrojtje nga Zoti. Pa dyshim se Ai dëgjon dhe është i Ditur”. Për këtë arsye, kusht i rukjes është gjuha arabe, dhe nuk lejohet që të bëhet as me simbole as me shenja.

Ka dallim në mes të lutjes për shërim dhe rukjes

Askund nuk përmendet se Rukja është “shërimin me Kur’an dhe Sunet” ashtu siç pretendojnë rukjexhitë.

“Lutjet për shërim” janë lutje për shërim të cilat mund të lexohen në Kur’an duke e mësuar Kur’anin dhe jo duke e lënë pas dore dhe në duart e të tjerëve. Zoti i Lartëmadhëruar thotë: “Ne shpallim nga Kur’ani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët e që mohuesve keqbërës u shton vetëm humbje.” (El Isra : 82)

Allahu nuk ka zbritur nga qielli ndonjë shërues më të dobishëm, më gjithëpërfshirës, më madhështor dhe më efektiv për heqjen e sëmundjes se sa Kur’ani, i cili është shërim për zemrat nga sëmundja e injorancës, e dyshimit, e pasigurisë, etj. Muslimani duhet të lexojë sa më shumë Kur’an, ose të dëgjojë sa më shumë. Nëse nuk mund të lexojë atëherë duhet të përpiqet sa më shumë që të mësojë të lexojë Kur’anin arabisht, sepse kështu ai e ruan veten dhe shtëpinë e tij nga çdo e keqe dhe e lidh veten me Allahun e Madhëruar dhe kështu nuk mbetet vend për të keqen, as për stres e as për sëmundje, as për magji e as për xhin, por vetëm për melek, mirësi, e pas kësaj Allahu është Ai i cili e ka në dorë suksesin, prandaj lutjuni Allahut sa më shumë.

Nëse rukja do të kishte efekt shërues mbi një femër e cila kurrë nuk falet dhe nuk i kryen obligimet e saj, dhe është e zhytur në mëkate, dhe prapë mendon të vazhdoj jetën si e tillë, atëherë çfarë dobie ka rukja te ajo, kur edhe pas rukjes vazhdon të jetojë e tillë. E njëjta vlen edhe për meshkujt e tillë. A mund të ketë rukja efekt shërimi për këta? A mund të ketë këndimi i Kur’anit efekt shërimi te ta? Kurrsesi jo!

Kur’ani është shërim i zemrave, ai largon nga mëdyshjet, injoranca, besimi i verbër, pikëllimet, vështirësitë, brengat, mërzitë, etj.. Për këtë arsye Muhamedi a.s. ka bërë këtë lutje: “O Zot! Bëje Kur’anin qetësim të zemrës sime, dritë të gjoksit tim. Largim të mirësisë sime. Largues të brengave dhe vështirësive të mia.”


Rukja dhe praktikumi bashkëkohor i saj nuk ka të bëjë me atë të cilën e kanë lejuar dijetarët


Mënyra se si bëhet ‘rukje’ në këtë kohë, nuk është sipas sheriatit dhe kjo mënyrë nuk është vepruar në kohën e gjeneratave të para. Nëse dikush e përdor si argument hadithin e Ebu Seid el Hudrijut r.a. kur ai me shokët e tij kërkuan të priten si mysafir nga një fis por ata nuk i mirëpritën por i refuzuan, e që më pas kryetari i këtij fisi ishte kafshuar (nga një gjarpër ose akrep), kështu që, ata filluan që të kërkonin dikë për ta shëruar nga helmi i gjarprit, dhe Ebu Seidi dhe sehabet që ishin me të u thanë: Po, ne do t’i bëjmë lutje për te. Ai u tha atyre: Betohem në Allahun, unë vërtet bëj rukje, por ju nuk na mikpritët si mysafir, andaj ne nuk do t’i bëjmë rukje atij përderisa ju të na jepni ndonjë shpërblim. Ata u dhanë një tufë dele, kështu që Ebu Seidi i këndoi atij suren “El Fatiha”. Muhamedi a.s. e aprovoi këtë, e madje tha: Më jepni edhe mua një pjesë (të mishit). Ky hadith është i vërtetë, por argumentimi me të është i paqëndrueshëm, sepse ata kishin arsye përse morën dhuratë dhe arsyeja ishte se ai fis ishin koprrac, kështu që ata u ndëshkuan për shkak të refuzimit të kërkesës së tyre. Asnjëri nga sahabët nuk e mori këtë rast si shkas që të hapë ‘klinika’ për të bërë rukje. Në qoftë se ky veprim do të ishte i lejuar, ata (sahabët) do të na kishin paraprirë neve sepse ata ishin më të interesuarit për të qenë më të dobishëm për njerëzit dhe për ta zbatuar sunetin.

Kështu që, të merret “rukja” si profesion dhe të hapet diçka e ngjashme me klinikat apo spitalet, nuk është vepruar nga askush tjetër përveç dashakeqësve të islamit. Ata kanë shfrytëzuar shumë gënjeshtra në mënyrë që të hanë pasuritë e njerëzve padrejtësisht, kështu që kanë filluar të hapin “klinika të rukjes” me pretendimin se kjo është “Rukje sheriatike”. Ata kanë trilluar gënjeshtra dhe besëtytni, dhe janë fshehur në sy të njerëzve me anë të leximit të Kur’anit, dhe kësisoj janë tallur me njerëzit. Për shkak të kësaj janë bërë shumë dëme të cilat nuk numërohen e as llogariten.

Veprimet që ne i shohim si f.v.: shishe në disa shitore me ambalazhe si: “kjo është rukje e filanit”, dhe rastet tjera si thëniet: “rukja e filanit shitet më shtrenjtë se rukja e alanit”, me pretekste banale se ky ‘hoxhë’ është më i fortë se ky tjetri. Këta që po praktikojnë këtë lloj rukje në esencë janë duke u marrë me magji (mashtrim), gënjeshtra, marrëzi dhe ngrënie të pasurisë së njerëzve me pa të drejtë. Disa që bëjnë rukje i shtojnë metodat e rukjes me qëllim që të grumbullojnë sa më shumë pasuri. Ata të cilët hapin ‘qendra klinike’ apo ‘zyra ambullantë’ le të dihet se islami nuk ka të përbashkët asgjë me ta, por ky lloj veprimi është bidat të cilin e kanë shpikur njerëzit e kohës së sodit sepse ky nuk është veprim as i sahabëve, as i gjeneratave të para, ndërsa dihet se çdo bidat shpie në humbje, dhe çdo humbje shpie në zjarr, pra “rukjen” të cilën e kanë shpikur këto njerëz është bidat në islam dhe nuk buron nga sahabët ashtu siç pretendojnë këta bidatgjinj.

Nuk ka argument se sahabët e kanë hapur shtëpinë me pretendimet se: Unë shëroj me Kur’an, apo jam i specializuar të shëroj me Kur’an, e edhe pejgamberi s.a.v.s. nuk e ka bërë një gjë të tillë, përkundrazi Muhamedi s.a.v.s. për shërim e ka ligjësuar mjekësinë.

Nuk ka argumente se sahabët kanë hapur ‘ordinanca’ dhe kanë thënë se “largojnë xhinët nga trupi i njeriut”. Veprimet e tilla nuk kanë të bëjnë asgjë me islamin.

Disa njerëz e shfrytëzuan këtë bidat për të shitur “ujë” në të cilin është bërë rukje apo që është fryrë në të.

Disa të tjerë janë duke bërë tregti me ullinj, vajin e ullirit, mjalt me fara të zeza, saqë tani çmimin e tyre e kanë bërë të papërballueshëm për njerëzit. Kësisoj është duke u bërë çrregullim (fitne). Ata e blejnë një shishe me vaj ulliri, kurse të njëjtën e shesin me çmim të dyfishuar (apo shumëfishuar) me pretendimin se në të është kënduar Kur’an.

Veprimet e këtilla e bëjnë të ndaluar (haram) marrjen e rukjes për profesion, ashtu siç e kanë bërë zakon disa.

Islami e ka lejuar shërimin me barna shpirtërore si p.sh.: njeriu lutet për vete dhe për të sëmurin: O Zot, o Përkujdesës i njerëzve, largoje këtë vështirësi, shëro, Ti je shërues, nuk ka shërim nëse Ti nuk shëron, shëro me shërimin me të cilin nuk ndien dhembjet.” (Ahmedi dhe Buhariu). Këtë lutje mund ta bëjë çdo njeri për veten e tij por edhe për tjetrin, por kurrsesi ta bëjë profesion “rukjen/lutjen” dhe të përfitohet prej saj. Muhamedi a.s na ka mësuar ta bëjmë këtë lutje për veten tonë dhe jo domosdoshmërish duhet ta bëjnë të tjerët për ne: O Zoti im, bëje Kur’anin dritë të gjoksit tim, largues të pikëllimit tim, lehtësues të brengave të mia dhe fatkeqësive të mia.

Kush thotë se shërimi me Kur’an është rukje, ai e ka shpikur këtë term, që do të thotë se ky term nuk është përdorur prej sahabëve por është term i mëvonshëm, sepse shërimi me Kur’an është shërim me Kur’an, dhe shërimi me sunet është shërim me sunet dhe nuk është rukje, pra nuk dihet se ndonjëri prej dijetarëve islam e ka determinuar ashtu.

Zemra i nënshtrohet Allahut dhe e pranon Librin e Tij, dhe njeriu ka vendosmëri të fortë në shërimin me Librin e Allahut dhe me lutjet pejgamberike, atëherë njeriu shërohet me shërim të plotë nga Allahu i Madhëruar, sepse në këtë rast ka ndodhur ajo që ka thënë Pejgamberi s.a.v.s.: Për çdo sëmundje ka ilaç dhe nëse qëllohet ilaçi i sëmundjes, njeriu shërohet me lejen e Allahut. (Muslimi)

Kur thotë Zoti i Lartmadhëruar: “Pyete ekspertin për çështje” me këtë nënkuptohet se ekspertët pyeten në çdo lëmi, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për çështje të fesë apo të dunjasë, p.sh., për ndërtim pyetet arkitekti, për bujqësi agronomi, e në rastin tonë për mjekësi pyetet mjeku.

Dr.Musli Vërbani

Post a Comment

0 Comments