Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut xh.sh, I Cili na begatoi me këtë fe dhe na e bëri të mundur ta presim muajin e Ramazanit, dhe t’i përgjigjemi thirrjes së Tij për ta agjëruar këtë muaj. Allahu thotë: “O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm!”(El Bekare, 183).
Ramazani është muaj i agjërimit, muaji i Kuranit, i faljes së namazit, muaji më i begatshëm. Transmetohet nga ibn Hibbani, ibn Maxheh dhe Bejhakiu, nga Ebu Hurejra, se Pejgamberi a.s. ka thënë:”Çdo natë (prej netëve të Ramazanit) thërret një thirrës: “O ti që dëshiron punë të hairit, prano (këto shpërblime që t’i ka dhuruar Allahu në këtë muaj), dhe o ti që dëshiron punë të këqija, pakësoji ato!”(1)
Në qoftë se në këtë botë ekziston diçka e mirë dhe me vlerë të madhe, e që nuk mund të përshkruhet me fjalë, ajo pa dyshim se është muaji i Ramazanit. Sepse sado që të flasim për mirësitë, begatitë, mëshirën, vlerën, dobitë…, që ka muaji i Ramazanit, si në këtë botë, por veçanërisht edhe në botën tjetër, kurrë nuk do të mund ta përfundojmë numërimin. Nga cilado anë ose drejtim të fillosh të flasësh për agjërimin e muajit të Ramazanit, ai është i mbushur me plot mirësi dhe begati. Këtu po e përmend hadithin kudsij, që e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi, nga e Ebu Hurejra, se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ka thënë Allahu xh.sh: “ Me të vërtetë se çdo punë e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit. Me të vërtetë, ai (agjërimi) është për Mua, dhe Unë do të shpërblej për të.”(2)
Qëllimi i agjërimit
Për qëllimin e agjërimit kanë folur shumë nga dijetarët, e ndër ata që kam përzgjedhur është Ibnul Kajimi, që në lidhje me këtë ka thënë: “Qëllimi i agjërimit është frenimi i vetes nga epshet dhe teket, ndërprerja nga rutina e zakonshme me të cilën është i ambientuar, rregullimi dhe ekuilibrimi i dëshirave të brendshme, ashtu që të përgatitet për të kërkuar arritjen e synimit kulmor të lumturisë dhe kënaqësisë, përgatitja për të pranuar shkaqet e jetës së përjetshme, duke qenë uria dhe etja mjet për thyerjen e lakmisë tekanjoze dhe epshore.”(3)
Agjërimi njeriut ia përkujton gjendjen e të varfërve, të cilët vuajnë nga uria gjatë gjithë vitit, e gjithashtu i ngushton rrugët e shejtanit te njeriu, sikur që ngushtohen rrugët e ushqimit. Në këtë mënyrë frenohet fuqia e gjymtyrëve nga çoroditja dhe shfrenimi në gjëra që janë të dëmshme për njeriun në këtë Dynja dhe në Ahiret.
Agjërimi për besimtarët luan rolin e frerëve. Është mburojë e luftëtarëve që luftojnë me epshin e tyre me armikun e përbetuar të tyre, shejtanin, dhe është kopshti i begative për ata që i afrohen Allahut. Agjërimi është adhurim i veçantë që i kushtohet Zotit të botëve, dhe dallon nga veprat tjera. Agjëruesi nuk vepron diçka të dukshme, por heq dorë nga epshi, ushqimi dhe pija e tij, vetëm për hir të Atij që e ka krijuar. Agjërimi, në vetvete është heqje dorë nga ato që shpirti i do dhe është i ambientuar t’i shijojë, duke i dhënë përparësi dashurisë së Allahut dhe arritjes së kënaqësisë së Tij. Ai është diç e fshehtë mes robit dhe Zotit. Megjithëse njerëzit mund të vërejnë distancimin nga ushqimi e pija, ndjenjën e brendshme, faktin që kjo braktisje është për hir të Allahut, kjo është diçka që askush nga njerëzit nuk mund ta zbulojë, dhe ky është realiteti i agjërimit.
Në aspektin e ngritjes shpirtërore agjërimi besimtarit ia mundëson afrimin te Krijuesi i tij, dhe të qenit prej atyre që janë të devotshëm. Për këtë Allahu në Kuran thotë: “O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm!”(El Bekare, 183).
Pra, qëllimi kryesor i agjërimit është që të jemi të devotshëm. Po çfarë është devotshmëria?
Devotshmëria është që Zoti të të gjejë aty ku të ka urdhëruar, dhe mos të të shohë aty ku ta ka ndaluar. Nëse të ka urdhëruar të falesh, të të gjejë në xhami në kohën e faljes. Nëse të ka urdhëruar ta ulësh shikimin ndaj pamjeve të ndaluara, t’i bindesh këtij urdhri. Ta ka ndaluar alkoolin, të mos e përdorësh atë, etj.(4)
Mirësitë e muajit të Ramazanit
Mirësitë e muajit të Ramazanit vërtet janë të shumta, por do mundohemi t’i përmendim disa:
- Kur afronte muaji i Ramazanit, Profeti a.s. i mblidhte shokët e tij dhe i përgëzonte ata duke u thënë: “O njerëz! Po vjen muaji i Ramazanit, një muaj i bekuar. Zoti e ka bërë farz agjërimin në këtë muaj. Në këtë muaj hapen dyert e Parajsës, mbyllen dyert e Zjarrit, dhe lidhen shejtanët. Në këtë muaj është një natë, më e mirë se 1000 muaj. I pafat është ai njeri që nuk arrin të përfitojë nga kjo natë.”
- Gjithashtu transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Në Xhenet është një derë që quhet Rejjan, e cila në Ditën e Gjykimit do të thërret: “Ku janë agjëruesit?”, dhe çdokush që ka agjëruar do të hyjë nga kjo derë. Dhe ai që hyn nëpër këtë derë, nuk do të etet asnjëherë.” (Buhariu dhe Muslimi).
- Nga Abdullah ibn Amri r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s ka thënë: “Agjërimi dhe Kurani do të ndërmjetësojnë për robërit (e Allahut) në Ditën e Gjykimit. Do të thotë agjërimi: “O Allah, e ndalova atë nga ushqimi dhe epshet, pra mundësoma që të ndërmjetësoj për të!” Dhe thotë Kurani: “E ndalova atë nga gjumi i natës, pra mundësoma që të ndërmjetësoj për të!” Thotë Pejgamberi a.s: “Dhe do t’u mundësohet atyre që të ndërmjetësojnë.” (Ahmedi, me sened të vërtetë).
- Në një hadith tjetër Profeti a.s. ka thënë: “Zoti, në Ramazan, Ymetit tim ia ka dhënë 5 gjëra, e që nuk ia ka dhënë popujve të tjerë:
1. Era që mban goja e agjëruesit te Zoti është më e dashur sesa era e parfumit, miskut;
2. Melekët luten për faljen e mëkateve të Ymetit tim derisa të përfundojë agjërimi.
3. Për çdo ditë të Ramazanit Zoti i gjithësisë zbukuron xhenetet e Tij për agjëruesit, dhe u thotë: “Bëhuni gati, se robërit e Mi shumë shpejt do të vijnë këtu!”
4. Në këtë muaj Zoti i prangos xhindët dhe shejtanët, dhe ata nuk kanë forcën që kishin përpara muajit të Ramazanit.
5. Agjëruesve u falen gjynahet natën e fundit të Ramazanit.
Shokët e tij e pyetën: “A e ke fjalën për Natën e Kadrit, o profet i Zotit”? Profeti a.s. u përgjigj: “Jo, Nata e Kadrit është natë tjetër. Unë po flas për natën e fundit. A nuk e keni parë se punëtori meriton shpërblimin e tij pasi mbaron punën? Po ashtu Zoti ua jep shpërblimin agjëruesve natën e fundit të Ramazanit.”(6)
-Profeti a.s. ka thënë: “Për agjëruesin ka dy gëzime të mëdha. Një gëzim e ka kur nis iftar (pra gëzohet që ka agjëruar atë ditë) dhe gëzimin tjetër, më të madh, ai e ka ditën kur të takohet me Allahun xh.sh.(7)
Qëllimet tona në Ramazan
Muaji i Ramazanit është i veçantë për besimtarët, andaj edhe ne duhet të jemi më të veçantë gjatë këtij muaji. Pra duhet të jemi më aktivë e më bujarë. Është mirë që secili nga ne t’i vendos vetes disa qëllime, dhe të mundohet që ato t’i realizojë. Ndër ato qëllime të mundshme mund të jenë:
-Ne dhe agjërimi. Të kemi kujdes që agjërimi ynë të jetë në nivelin më të lartë, duke u larguar nga të gjitha gjërat që e dëmtojnë agjërimin, konform dispozitave të agjërimit. Profeti a.s. thotë: “Kush nuk lë fjalët dhe veprat e këqija, Allahu nuk ka nevojë për atë njeri që ai ta lë ushqimin dhe pijen e tij.” (Buhariu).
-Ne dhe namazi. Si do ta falësh namazin gjatë Ramazanit? Do ta falësh në shtëpi apo do të shkosh në xhami? Po sunetet a do ti falësh? Mjafton hadithi i Pejgamberit a.s., i cili thotë: “Kush i kryen rregullisht, çdo ditë, 12 rekate nafile, do të hyjë në Xhenet.”
-Ne dhe leximi i Kuranit. Profeti a.s. thotë: “Kush lexon një shkronjë nga libri i Allahut, Zoti e shpërblen me dhjetë të mira.”
-Ne dhe sadakaja. Është e njohur se Profeti a.s. ka qenë shumë bujar, e sidomos gjatë muajit Ramazan. Andaj edhe ne duhet të mundohemi të jemi të tillë.
-Ne dhe marrëdhëniet me të afërmit. Pejgamberi a.s. thotë: “Mëshira e Zotit nuk zbret tek ata njerëz që kanë shkëputur lidhjet me të afërmit.”
-Ne dhe lutjet tona. Profeti a.s. thotë: “Tre lloj njerëzve nuk u kthehen mbrapa lutjet e tyre, e ndër ta edhe agjëruesit në kohën e iftarit.” (Tirmidhiu).
Në fund e lusim Krijuesin e gjithësisë të na mundësojë të agjërojmë këtë muaj të bekuar, dhe të na shpërblejë me të mirat e Tij!
________________________________
1. Mr. Zekerija Bajrami, “Agjërimi, pse dhe si”, f. 18-19, Shkup 1999.
2. Ibid.
3. Ibid.
4. Amër Halid, “Përmirësimi i zemrave”, f. 158, Tiranë, 2005.
5. Mirsad Sediq, “Derset e Ramazanit”, f. 16, Gjilan, 2001.
6. Vehbi Sulejman Gavoçi, “Dispozitat e Agjërimit”, f. 19, Prishtinë, 2009.
7. Ibid.
8. Mr. Zekerija Bajrami, “Agjerimi, pse dhe si”, Shkup, 1999, f. 28.
Ma. Sc. Burim Bibaj
0 Comments