“Dhe Pejgamberi tha: O Zoti im, populli im, vërtetë ke lënë këtë Kuran pas dore.” ( El Furkan,30)
Ramazani, muaji i Kuranit
“O njerëz, ju ka mbërritur muaji i bekuar, muaji në të cilin një natë është më e vlefshme se një mijë muaj. Agjërimin e të cilit Allahu e bëri farz, dhe faljen gjatë netëve të tij të preferueshme. Ai që e bën një të mirë është sikurse ta ketë kryer një farz në tjetër kohë. Ky është muaji i durimit, dhe shpërblimi i durimit është Xheneti.
Ky është muaji i faljes dhe pajtimit. Muaji në të cilin Allahu e shton furnizimin për besimtarët. “Ai që e ushqen një njëri që agjëron, do t`i falen mëkatet dhe do të gjejë shpëtim nga zjarri, dhe do të shpërblehet duke mos iu pakësuar asgjë nga shpërblimi i tij.”
Ndërsa, Allahu xh.sh. për muajin Ramazan thotë: “Muaji Ramazan është ai në të cilin zbriti Kurani, udhëzim për njerëzit dhe argument i qartë i rrugës së drejtë, dhe Dallues i të mirës nga e keqja.” (El Bekare,185).
Pra, Ramazani është muaji i Kuranit. Kuranit që Allahu i Madhëruar ia zbriti Muhamedit a.s. në Natën e Kadrit, e cila është më e vlefshme se një mijë muaj. Allahu i Madhëruar na urdhëroi që ta lexojmë Kuranin: “Dhe unë jam urdhëruar të jem nga myslimanët dhe të lexoj Kuranin.” (En Neml, 91-92). Ai na urdhëron edhe ta shqiptojmë mirë: “Dhe Kuranin shqiptoje qartë dhe me kujdes!” (El Muzemmil, 1-4).
Gjithashtu na urdhëroi që, para se të fillojmë me leximin e tij, të kërkojmë mbrojtjen e Allahut nga shejtani i mallkuar: “Kurdo që të lexosh Kuanin, tek Allahu kërko mbrojtjen prej djallit të mallkuar!” (En Nahl, 98).
Ne nuk na është bërë obligim i ndonjë pjese të caktuar, por këshilla që na drejtohet thotë: “Lexoni nga Kurani aq sa të mundeni!” (El Mmuzemmil, 20).
Allahu xh.sh. na urdhëron që kur të lexohet Kurani ta dëgjojmë dhe të heshtim: “Dhe kur të lexohet Kurani, dëgjojeni atë dhe heshtni, ndoshta do të jeni të mëshiruar!” (El A`raf, 204). Ajeti i parë i Kuranit thotë: “Lexo në emër të Zotit tënd, I Cili krijoi çdo gjë! I Cili krijoi njeriun prej një rrecke.” (El Alek,1-2).
Allahu i Madhëruar është i Vetmi që krijon, dhe çdo gjë tjetër (përveç Tij) është e krijuar: “Thuaj, o Allahu im, që e ke tërë pushtetin, i jep pushtetin kujt do Ti, dhe ia merr atij që do. Ti e lartëson atë që do, dhe poshtëron atë që do. Të gjitha mirësitë janë në dorën Tënde. Ti vërtet ke fuqi për të bërë gjithçka!” (Ali Imran, 26).
Përveç Allahut, tjetërkush nuk mund të krijojë asgjë: “O ju njerëz, po ju tregohet një shembull, pra dëgjoni me vëmendje! Vërtet ata që i adhuroni ju në vend të Allahut s`mund ta krijojnë as ndonjë mizë, edhe nëse të gjithë tubohen. Dhe nëse miza rrëmben diçka, ata nuk munden ta shpëtojnë prej saj. Është i dobët ai që lyp, por edhe ajo që lypet.” (El Haxh, 73).
Kurani është fjala e Allahut, prandaj fjala e Allahut nuk është si fjala e njeriut. Provokimi i Kuranit drejtuar njerëzimit para katërmbëdhjetë shekujsh është aktual edhe sot, e do të jetë deri në Kiamet. “Thuaj: Sikur të bashkoheshin të gjithë njerëzit e xhindët për të sjellë një Kuran si ky, nuk do të mund ta bënin atë edhe nëse i ndihmojnë njëri-tjetrit.” (El Isra, 88).
Provokimi shkon edhe më larg, pra të sjellin veç dhjetë kaptina të ngjashme me ato të Kuranit: “Formuloni pra, ju dhjetë kaptina të ngjashme me atë (Kuranin), të trilluara, dhe thirrni në ndihmë cilin të doni, në vend të Allahut nëse e flisni të vërtetën!” (Hud, 13).
Por, provokimi arrin kulminacionin kur Zoti thotë: “Përpiloni ju një kaptinë të vetme e të ngjashme si ai (Kurani), madje thirrni edhe dëshmitarët tuaj, në vend të Allahut, nëse flisni të vërtetën! Po nëse nuk e bëni, dhe nuk mund ta bëni, atëherë ruajuni zjarrit të përgatitur për mosbesimtarët, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.” (El Bekare, 23-24).
Ndërsa, qëndrimi i pabesimtave kundruall Kuranit ishte refuzimi i tyre i plotë: “Dhe ata që nuk besuan thanë: “Ne nuk do të besojmë në këtë Kuran, e as librave përpara këtij.” (Sebe, 31).
Refuzimi i tyre përfshinte edhe dëgjimin e tij: “Ata që nuk besojnë, thonë: “Mos e dëgjoni këtë Kuran!” (Fussilet, 26).
“Kur ti lexon Kuranin, ndërmjet teje dhe atyre që nuk i besojnë Botës tjetër, ne vendosim një perde të fshehtë.”(El Isra, 45).
Në muajin e Ramazanit myslimani e lexon Kuranin, por obligimi i tij është që ta lexojë aq sa ka mundësi dhe për çdo ditë e çdo natë. Këtë Kuran, ruajtjen e të cilit Allahu i Madhëruar e mori mbi vete: “Ne me të vërtetë e kemi shpallur Kuranin dhe, pa dyshim, se Ne jemi mbrojtësit e tij.” (El Hixhr, 9).
Ai ruhet në rreshta dhe në zemra. E lexon myslimani në Indonezi, ashtu siç e lexon edhe ai në Mekë ose në Marok, apo ai në Rusi a në Amerikë, në Kinë apo Iindi, në Pakistan a Shqipëri.
Ky është Kurani për të cilin Allahu xh.sh. thotë: “Sikur këtë Kuran t`ia kishim zbritur ndonjë mali do ta kishe parë si përulet dhe si copëtohet nga frika e Allahut.” (El Hashr, 21).
“Libri, ajetet e të cilët janë shkoqitur, duke qenë Kuran në gjuhën arabe, për një popull që di ta kuptojë.” (Fussilet, 3).
“Por, përkujtoje me Kuran atë që i frikësohet (dhe i ruhet) kërcënimit.” (Kaf, 45).
Këtë Kuran, të cilin Allahu i Madhëruar e cilësoi si “të madhërueshëm”, “me plot urtësi”, “fisnik”, “të ndershëm”. “Dhe Ne me të vërtetë të kemi dhënë ty shtatë ajete që përsëriten, edhe Kuranin e madhërueshëm.” (El Hixhr, 87).
“Ja-sin! Pasha Kuranin plot urtësi!” (Jasin, 1-2).
“Kaf. Pasha Kurani madhështor. Në një pllakë të ruajtur” (El Buruxh, 21-22).
“Ai është, pa dyshim, Kuran fisnik.” (El Vakia, 77).
Ky është Kurani i madhërueshëm, me plot urtësi, por të cilin myslimanët e lanë pas dore: “Dhe Pejgamberi tha: “O Zoti im, populli im vërtet e ka lënë pas dore këtë Kuran!” (El Furkan, 30).
E lanë Kuranin dhe shkuan nëpër kafene dhe vende të tjera të dëfrimit dhe lojës. E ndërruan Kuranin me libra tjerë dhe gazeta. U mashtruan pas jetës së kësaj bote, dhe kështu i mbyllën mendjet dhe zemrat e tyre. Nëse ndonjëherë e lexojnë Kuranin, e lexojnë në varreza, mbi kokat e të vdekurve, edhe pse Allahu i Madhëruar atë e zbriti: “...mësim, dhe Kuran të qartë. Ta thërrasë atë që është i gjallë.” (Jasin, 69-70).
O ju myslimanë! Lexojeni Kuranin së paku në nivel të xhindëve.”Thuaj: Mua më është shpallur se disa xhind kanë dëgjuar dhe kanë thënë: “Ne me të vërtetë kemi dëgjuar një Kuran të çuditshëm. Që udhëzon në rrugë të drejtë, andaj ne i besuam, dhe Zotit tonë më nuk do t’i bëjmë shok askë.” (El Xhin, 1-2).
“Kur t’i dërguam disa xhindë të dëgjojnë Kuran, e kur erdhen, ata thanë: “Heshtni!” Dhe, kur mbaroi, u kthyen te populli i tyre t`u tërheqin vërejtjen.” (El Ahkaf, 29).
O ju myslimanë! Allahu i Madhëruar thotë: “Ne Kuranin e bëmë të lehtë për këshillë, por a po e pranon kush këshillën!” (El Kamer, 17).
“Ne në këtë Kuran i sjellim njerëzve gjithfarë shembujsh, ndoshta ata marrin mësim.”(Ez Zummer, 27). “Ne ty të rrëfejmë, duke të shpallur këtë Kuran, më të bukurat rrëfime.” (Jusuf, 3).
O ju myslimanë! Lexojeni Kuranin gjatë muajit Ramazan, gjatë muajit të Kuranit. Lexojeni atë në mëngjes: “Me të vërtetë Kuranin në sabah e dëshmojnë shumë.” (El Isra, 78).
Lexojeni atë më vëmendje dhe me përkushtim, dhe veproni sipas këshillave dhe urdhrave të tij! “A nuk e mendojnë ata fare Kuranin, apo në zemra kanë dry?!” (Muhamed, 24).
“A nuk mendojnë ata për Kuranin? Sikur të ishte ai prej tjetërkujt e jo prej Allahut, me siguri në të do të gjenin shumë kundërthënie.” (En Nisa, 82).
O ju myslimanë, dëgjojeni fjalën e Zotit tuaj në Kuranin famëlartë: “Ne shpallim nga Kurani atë që është bar dhe mëshirë për besimtarët.” (El Isra, 82).
“Ky Kuran pa mëdyshje çon rrugës së drejtë dhe rrugës më të përshtatshme, dhe përgëzon besimtarët.” (El Isra, 9).
Lexojeni atë se: “Muaji i Ramazanit është ai në të cilin zbriti Kurani, udhëzim për njerëzit dhe argument i rrugës së drejtë, dhe Dallues i të mirës nga e keqja.” (El Bekare, 185).
Mr. Qemajl Morina
0 Comments